OLIGARKËT

Korbat nuk ja nxjerrin sytë njeri tjetrit. Trekëndëshi evropiano – putanisto – neootomanist është hedhur në veprim, duke i hapur shumë probleme Shqipërisë. Pse nuk kanë kurajo të flasin hapur politikanët tanë, kur është fjala për shumë ngjarje tragjike që kanë shoqëruar jetën tonë? Pse duhet t’i mbyllet goja Erion Braçes dhe shumë të tjerëve, të cilët në këto vite të vështira, nuk pranuan të deformonin karakterin dhe personalitetin e tyre?

Kryeminstri le të rrijë edhe shtrembër, siç e ka zakon, por ai e ka detyrim institucional të flasë hapur, drejtë dhe të na thotë të vërtetën. Nëse dhe vetë është i zhytur në këtë llum korruptiv (dhe s’ka se si të jetë ndryshe) të gjejë rrugët dhe vendin që i takon për besimin që i kanë dhënë shqiptarët. Ai vetë e di shumë mirë se këtu në Shqipëri po të hapën dosjet e grekëve dhe serbëve qelbet dynjaja, qelbet tërë bota. Të shikosh ndeshjet e demave në Spanjë në shoqërinë e Bakojanit dhe monstrave të tjera antishqiptare, është një luks dhe privilegj, që se kanë të gjithë. Kush e gëzon këtë luks nga shqiptarët?! Pse duhet të vazhdojnë në pafundësi fatkeqësitë ndaj vendit dhe popullit tonë të vuajtur? Peng i kujt janë shqiptarët dhe Shqipëria? Pronë e kujt është Shqipëria, pronë e hajdutëve, kusarëve, e atyre që mohuan nënat dhe baballarët e tyre, e maskarenjve, apo e shqiptarëve?

Kaq e lehtë na qenka të shesësh miqësinë dhe mirënjohjen e Amerikës tek Evropa, Putini dhe Erdogani? Është kënaqësi të shkosh në Pekin në të njëtën kohë me homologun serb. Kush e merr koston për këtë qëndrim në tri karrige? Cila është hallka më e dobët në zinxhirin e politikës shqiptare, e cila rezulton e këputur? Kush e ka radhën tani, cila hallkë tjetër?
Çfarë nuk bënë të korruptuarit dhe “koka e Meduzës”, që ta mbronin dhe ta mbanin Fullanin larg skandalit dhe ndëshkimit. Kjo tregon se janë të gjithë të përlyer, jo vetëm me Bankën e Shqipërisë, por me të gjithë sistemin bankar të nivelit të dytë, ku kanë bërë trasfertat marramendëse jashtë Shqipërisë. Janë të përfshirë në një stan, me gjëma e stratagjema, duke e branisur Shqipërinë në rrugë pa krye.

Kush është i interesuar të mbulohet aisbergu i krimit më të rëndë në historinë e shtetit shqiptar dhe pse? Kush e burgosi Fullanin dhe pse, pa pasur asnjë denoncim nga shteti shqiptar?
Do të rrëfehet Fullani, do të rrëfehet, sepse vetëm kur e rrasën në burg, kuptoi se ata që e futën e kanë seriozisht këtë punë. Çfarë do të sillte “Fullani brenda burgut dhe Fullani jashtë”? Atje e kanë vendin edhe anëtarët e Bordit të BSH dhe nënguvernatorja. Askush nuk do të gjejë qetësi këtë herë, nëse nuk i shkohet këtij krimi të rëndë deri në fund.

Mjaftë më. E keni sajdisur Kushtetutën e vendit me njëmijë vrima dhe ligje të shqyera, për t’i pasur duart të lira, të vidhni, të grabisni pasurinë kombëtare, të majmeni dhe të shpëtoni pa u lagur. Çfarë është ky shtet i zi katran brenda shtetit të shqiptarëve? Ky është turpi juaj, përgjegjësia e rëndë penale, që ua ka ulur kokën përfundimisht dhe u ka hequr të drejtën të bëni moral qytetarëve shqiptarë.

Shqiptarëve nuk u bëhet shumë vonë se në Bankën e Shqipërisë u vodhën 7 milion dollar. Besoj e keni vëne re këtë. Shqiptarët ndihen të fyer shumë rëndë nga soji dhe sorrollopi i këtyre sheikëve oligarkë, që kanë arritur të fshijnë djersën në ballë me kartmonedha të shtrenjta dhe të reklamojnë koleksione në vlera marramendëse.
Shqiptarët i zëmëron rëndë karrshillëku që i behet popullit të varfër, me dasma sheikësh me luks dhe pasuri të pamerituar, me darka të shtrenjta, me amoralitetin e hapur të këtyre rioshëve pelivanë. Këto janë fyerje shumë të rënda në dinjitet, për popullin që përjeton varfërinë dhe llogarit bukën e gojës.

Shqiptarët janë të fyer me qeverisjen e “dhjamit nga pleshti”, me taksat dhe uljen e pensioneve, në kurriz të atyre që kanë dhënë shumë e shumë për këtë vend. Jemi të tronditur kur s’kemi një model ekonomik, kur kërkojmë borxhe jashtë me paratë mal brenda vendit, kur njerëz të penalizuar dhe të sëmur mental nga Gjeorgjia merren për “këshilltarë”, kur “pashai” i Jugut bën pazare dhe dikton kundër interesave madhore strategjike të vendit. Kush ja rekomandon “pashait tonë të kuq” këto punë? Nga po shkon Shqipëria?

A i bëjnë përshtypje këto Kryeministrit mendjemadh, arrogant por dhe frikacak, Presidentit kukull, sheikut në krye të Kuvendit, apo shpurës së deputetëve oligarkë, që kanë kapur me mafien e tyre të parasë së pistë tërë politikën? Kujt i bëjnë përshtypje këto marrëzi në këtë vend të mjeruar?
Këto janë fyerje të rënda përkundrejt varfërisë tonë, me karrshillëk prej dobiçave përfaqësues të oligarkisë financiare të Partisë së Punës, të cilët kanë qenë dje, dhe bijtë e tyre të harbuar janë edhe sot. Kur ata nuk ngurruan të hedhin baltë të zezë mbi nënat dhe baballarët e tyre që u bënë kokën, si mund të bëjnë këta për këtë popull dhe këtë vend? Oligarkët, pa asnjë nxitje dhye pa asnjë pengesë, me makutërinë e tyre po e ushqejnë shumë këtë urrejtje me karrshillëkun e tyre përvers. Nëse këta oligarkë sot mbulohen dhe stimulohen nga një sietem mediatik i blerë dhe i kapur, në shërbim të tyre, kjo nuk do të zgjasë shumë, pasi Braçeve dhe mijëra të tjerëve, nuk u mbyllet dot goja aq lehtë.

Klasa politike shqiptare nuk ka më moral. Ajo është diskretituar përfundimisht në opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Dikush duhet të kërkojë dhe të gjejë zgjidhjen. Fundit nuk i dihet. Sot populli i varfër ka kohë që ka filluar të flasë me gjuhën e Ali Asllanit dhe të Lame Kodrës në gojën e Reshat Arbanës. Mos ju duket pak? Mos ju duken shqiptarët miza në bythën e kalit?! Talluni, por duhet ta dini se, çdo gjë në këtë botë është e përkohëshme dhe kalimtare.

Dr. Sulejman Abazi (NESHAJ)
Ekspert pranë Qendrës së Investigimit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit.

Lajme të ngjashme

Back to top button