Maqedonia e ndarë midis kryqit dhe gjysmëhënës

Dhjetë viteve të fundit në Maqedoni janë ndërtuar rreth 350 xhami dhe minare të reja dhe rreth po aq kisha të reja, kishëza, manastire, paraklise, kryqe… Sipas të dhënave zyrtare të BFIM dhe Kishës Ortodokse të Maqedonisë Arqipeshkvia e Ohrit, në territorin e Shkupit gjenden 133 xhami dhe 112 kisha. Ekspertët vlerësojnë se me këto objekte fetare shënohet territori, ndërsa BFIM dhe Kisha Ortodokse kërkojnë ndërtimin e objekteve të reja fetare sepse objektet e vjetra, sipas tyre, janë “shumë të ngushta” për t’i pranuar besimtarët.

Feja në Maqedoni luan një rol gjithnjë e më të madh dhe më të fuqishëm në jetën politike dhe publike. Ajo nuk është më vetëm çështje private e individit, por tashmë krijon potenciale për të ndikuar në shoqëri dhe në politikë dhe bëhet një faktor i rëndësishëm i jetës politike dhe publike të vendit. Akoma më shumë shqetëson ndikimi gjithnjë e më i madh i kishës në jetën publike, në të cilën sipas përkufizimit feja nuk duhet të ketë asnjë ndikim.

Në Maqedoni funksionojnë 1952 kisha dhe 580 xhami, ndërsa të paktën rreth pesëdhjetë kisha dhe dhjetëra xhami janë duke u ndërtuar ose restauruar. E gjithë kjo do të thotë se për çdo 831 banorë të Maqedonisë është ndërtuar nga një kishë ose xhami.

Sipas rezultateve të anketës për marrëveshjen religjioze në Maqedoni, të cilin vitin e kaluar e realizoi Fondacioni “Konrad Adenauer”, shumica prej 74,2% të banorëve të anketuar të fesë ortodokse vlerësojnë se në Maqedoni ka një numër të mjaftueshëm kishash, ndërsa 20,4% kanë vlerësuar se numri i kishave është shumë i madh. Gjithashtu 44,6% të myslimanëve të anketuar vlerësojnë se numri i xhamive është i mjaftueshëm, ndërsa 43,1% prej tyre vlerësojnë se numri i xhamive është shumë i madh.

Në dy bashkësitë më të mëdha fetare në Maqedoni, Kisha Ortodokse e Maqedonisë – Arqipeshkvia e Shkupit dhe Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë mendojnë të kundërtën – mendojnë se numri i objekteve fetare nuk i plotëson nevojat reale të qytetarëve. Ato akuzojnë njëra-tjetrën për qasje agresive dhe për mosrespektimin e ligjeve gjatë ndërtimit të objekteve fetare.

Kisha Ortodokse e Maqedonisë – Arqipeshkvia e Shkupit akuzon Bashkësinë Fetare Islame se kjo e fundit uzurpon sipërfaqet tradicionale etnike të besimtarëve të krishterë dhe se për këtë arsye janë të detyruar që me ngritjen masive të kryqeve, parakliseve, kishave dhe koshëzave të mbrojnë sipërfaqet e tyre etnike nga “veprimi agresiv i myslimanëve”.

PAMJE KAOTIKE

Në Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë janë kategorikë se 580 xhamitë në Maqedoni nuk mund t’i plotësojnë nevojat e besimtarëve islam. „Besimtarët e fesë islame janë me përkatësi të ndryshme etnike dhe përbëjnë 40% të popullatës së vendit. Besimtarët tanë janë të detyruar që gjatë faljeve të të premteve të luten në oborret dhe jashtë xhamive sepse brenda tyre nuk ka vend. Në Prilep mbi 10.000 besimtarë të fesë islame nuk kanë ku të luten sepse nuk lejohet restaurimi i Çarshi xhamisë së djegur”, thotë Afrim Tairi, Sekretari i përgjithshëm i Bashkësisë Fetare Islame. Ai vlerëson se në opinion krijohet një përshtypje e gabuar sipas të cilës janë duke u ndërtuar shumë xhami dhe ndërkohë anashkalohen nevojat reale të besimtarëve.

Ndërtimi i objekteve fetare, kishave, parakliseve, kryqeve, minareve dhe xhamive rezulton me fitimin e një pamjeje kaotike. Dinamika më e madhe e ndërtimit të kishave të reja, parakliseve, kryqeve dhe simboleve të tjera fetare mund të vërehet në lagjen e Aerodromit, në Shkup. Banorët e kësaj lagjeje thonë se tendencën e sotme e paralajmëroi që në vitin 2008 Kryetari i atëhershëm i Aerodromit, Kiril Todorovski. „Menjëherë pas ardhjes në detyrë ai paralajmëroi ndërtimin e pesë kishave të reja në lagjen tonë, të cilat janë vërtetuar dhe planifikuar me Planin urbanistik dhe vendosi gurëthemelin e kishës „Shën Ilia“. Kretari i ri i Komunës së Aerodromit, Ivica Konevski, me një ambicie akoma më të madhe filloi ndërtimin e kishave të reja dhe objekteve të tjera fetare në territorin e komunës sonë. Brenda pesë viteve në çdo kryqëzim të lagjes së Aerodromit u ndërtua nga një kishë, që do të thotë se vetëm në pjesën qendrore të lagjes ne kemi gjithsej tetë kisha, të cilat për mendimin tim vizitohen shumë pak. Në fakt, përveç kishës „Shën Ilia“, kishat e tjera janë vazhdimit të mbyllura“, thotë Misho Cvijiq, një banor i bashkësisë urbane “Vasko Karangeleski” në lagjen e Aerodromit.

Para disa javësh në këtë lagje u vendos gurëthemeli i një tjetër kishe ruse, gurëthemeli i kishës “Sveta Troica”, me të cilën do të shënohet sipërfaqja në dhe përreth kompleksit sportiv “Jane Sandanski” dhe hotelit “Rusia”, i cili është në ndërtim e sipër, hotel ky që financohet nga ana e biznesmenit rus Sergej Samsonenko. Gjithashtu, planifikohet ndërtimi i një tjetër kishe përballë Stacionit hekurudhor, që gjendet në afërsi të lagjes së Aerodromit.

Në Eparkinë e Shkupit është paralajmëruar ndërtimi i kishave të reja në lagjet e Kisella Vodës, Karposhit, Vllaes, Debar Mallos, Draçevës dhe Ilindenit.

Në praninë e ministres së kulturës, Elizabeta Kançevska-Milevska, në fillimin e verës së këtij viti, në fshatin Lubancë të Shkupit u vendos gurëthemeli i ndërtimit të objektit të ri me kambanë në kompleksin fetar “Shën Nikolla”, i cili u financua nga ana e Johan Tarçullovskit, i cili nga ana e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës u dënua me burg.

Me ndërtimin e “Kryqit të mileniumit” në majën e malit “Vodno” dhe kishës në Pllaoshnik, filloi mbështetja e shtetit ose shpenzimi i parave të qytetarëve për ndërtimin e objekteve fetare. Menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2006, qeveria morri një vendim për të financuar ndërtimin e kishës “Konstantin dhe Elena” në sheshin qendror të Shkupit, ndërsa si realizues i projektit u zgjodh Ministria e kulturës.

Qeveria ndau 150.000 euro për të filluar ndërtimi i kishës së Të gjithë shenjtorëve në Manastir. Ndarja e këtyre mjeteve shkaktoi reagime të ashpra në Bashkësinë Fetare Islame, e cila kërkoi që në qendër të Shkupit të ndërtohet ose të rindërtohet Xhamia Burmali.

Këtë shembull e ndoqën pothuajse të gjitha komunat e vendit, të cilat ngritën iniciativa dhe ofruan lehtësime financiare dhe lirim nga pagimi i taksave komunale për subjektet që do të financonin ngritjen e kishave. Ai që do të ndërtonte një kishë do të lirohej nga pagimi i detyrimeve tatimore gjatë ndërtimit. Në këtë mënyrë filloi “gara” midis biznesmenëve të fuqishëm, personave publikë dhe politikanëve, kush të ndërtojë më shumë kisha dhe në lokacione më të mira, duke shënuar në këtë mënyrë “sipërfaqen e tij”.

Një shembull tipik i shënimit të sipërfaqeve me objekte fetare ishte edhe fillimi i ndërtimit të kishës në kalanë e Shkupit, si rezultat të të cilës ndodhën trazira dhe përplasje midis maqedonasve dhe shqiptarëve, ndërsa kalaja deri më sot mbeti e mbyllur për vizitorët. Ndërkohë, sipas personave që kanë arritur të ngjiten në kala mbi themelet e objektit ndërtimi i të cilit u bllokua, tashmë është ndërtuar kisha. Një shembull i ngjashëm i “shënimit dhe uzurpimit të sipërfaqeve me objekte fetare” regjistrohet edhe në Parkun kombëtar “Mavrovo”, me ndërtimin e kishës në pjesën rreth ish hotelit “Plaza”, kishë kjo që ndërtohet nga ana e familjes së ish ministrit të financave, Boris Stojmenov.

Tairi pyet nëse bëhet fjalë për “shënimin” e sipërfaqeve në vendet në të cilat nuk dëshirohet prania e myslimanëve. Midis personave të njohur, politikanëve të tanishëm dhe ish politikanëve dhe biznesmenëve që u deklaruan hapur si financues të objekteve fetare, të cilët me vendosjen e gurëthemelëve dhe me fillimin e ndërtimit të objekteve fetare bënë evenimente shtetërore – fetare u gjetën Vanço Çifliganec, pronari i firmës së ndërtimit “Adora”, firmë kjo që ndërtoi kishën “Shën Gjoni” në lagjen e Aerodromit, Sasho Davitkovski, pronari i “Skopski Pazar”, financues i kishës “Shën Sofia”, që ndërtohet në lagjen Lisiçe e Re, Zhivko Pandev, pronar i firmës së ndërtimi “Zhikol”, i cili ndërton kishën “Shën Nikolla” në lagjen Lisiçe e Sipërme dhe dy kisha të tjera në pjesën lindore të Maqedonisë. Drejtori i Drejtorisë së sigurisë dhe kundërzbulimit, Sasho Mijallkov dhe biznesmeni Orce Kamçev këtë verë filluan ndërtimin e kishës “Shën Dhimitri” në fshatin Novo Sello, në Shtip. Me më pak publicitet, vite me radhë edhe biznesmenët Risto Gushterov dhe Trifun Kostovski ndërtuan objekte të tjera të fesë ortodokse në Radovish dhe në Shkup.

Me ceremoni fetaro-shtetërore dhe solemnitete të ndryshme, në të cilat kanë marrë pjesë shumë politikanë, midis të cilave edhe vetë kryeministri, shumë individë, grupe, administrata komunale dhe biznesmenë, filloi ndërtimi i kishave të reja në Prilep, Strumicë, Kërçovë, Misleshevë, Leskoec, Ohër, Novaci, Stojakovo, Novo Sello në Shtip, Vidovishtë, Zërnovcë, Manastir, Jankoec, Pretor, Slivnicë, Shtrbovo, Lagovo e Poshtme, Sellce dhe Dren. Gjithashtu është paralajmëruar edhe ndërtimi i tetë kishave të reja në Eparkinë e Prespës dhe Pellagonisë. Financues të këtyre objekteve fetare janë individë-biznesmenë, familje të ndryshme ose grupe qytetarësh.

Gjatë dhjetë viteve të fundit në Maqedoni janë ndërtuar edhe 350 xhami të reja, 88 nga të cilat janë ndërtuar në rajonin e Shkupit, Tetovës dhe Gostivarit dhe në fshatrat poshtë malit të Sharit, një pjesë e të cilave janë ndërtuar në vende plotësisht të pabanuara, në Malin e Thatë dhe në pjesën perëndimore të malit “Vodno”. Në fshatin tercë është restauruar xhamia e vjetër, ndërsa filloi ndërtimi i një xhamie dhe një kishe të re. Në Trebishtë dhe Rostushë pas viti 2006 u ndërtuan dy xhami të reja.  Në hyrje të Tetovës mund të shihet xhamia e papërfunduar, ndërsa në aksin Gostivar – Bogovinjë janë ndërtuar dhjetë xhami të reja. Xhami të reja janë ndërtuar edhe në fshatrat Çegranë, Forinë, Sllupçan, Vaksincë dhe Likovë. Në rajonin e Kërçovës gjatë tetë viteve të fundit janë restauruar dhe ndërtuar shtatë xhami, ndërsa para pak kohësh është hedhur edhe gurthemeli i xhamisë së tetë. Gjithashtu, xhami të reja janë ndërtuar edhe në Valandovë dhe Demir Hisar.

VIJA E NDARJES ETNIKE

Profesori Cane Mojanoski, ish kryetar i Komisionit të marrëdhënieve me bashkësitë etnike dhe grupet fetare, thotë se në Maqedoni ka shumë kisha dhe xhami, krahasuar me numrin real të besimtarëve, të cilët marrin pjesë rregullisht në liturgjitë dhe faljet dhe se vetë objektet fetare bëjnë një lloj ndarjeje etnike.

“Ato përbëjnë një lloj shënimi të territorit që merret nga ana e partive politike, të definuara në aspektin etnik. Për partitë politike objektet fetare për shumë kohë nuk janë tempuj të fesë por vegla për realizimin dhe manifestimin e fuqisë politike, ndërsa çdo homogjenizim në baza fetare do t’i shkaktojë dëm Maqedonisë”, thotë Mojanoski.

Në Kishën Ortodokse të Maqedonisë – Arqipeshkvia e Ohrit vlerësojnë se ndërtimi i kishave ka për qëllim parandalimin e “tendencave pushtuese të myslimanëve”, të cilët kanë filluar t’i popullojnë edhe vendet tradicionale ortodokse.

„Ndërtimi i objekteve fetare nuk duhet vendosur në kontekstin e shënimit të territorit nacional sepse në këtë mënyrë vetë objektet fetare do ta humbasin qëllimin e tyre kryesor. Megjithatë, gjendja reale në terren tregon se myslimanët marrin territorin dhe e shënojnë me objekte fetare, bile edhe në vendet në të cilat realisht nuk mund të gjenden besimtarë dhe popullatë islame. Si një lloj kundërpërgjigjeje ne ndërtojmë kisha dhe ngremë kryqe dhe mbrojmë territorin tonë nga “pushtuesit”. Ne mbrojmë territorin tonë dhe përpiqemi besimtarëve tanë t’u sigurojmë kushte të mira për të shprehur dhe për t’u kujdesur për ndjenjat e tyre fetare“, thotë at Boban Mitevski, profesor i Fakultetit të teologjisë në Shkup dhe Shefi i kabinetit të kryepeshkopit të Kishës Ortodokse të Maqedonisë, z. Stefan.

Menjëherë pas paralajmërimeve për ndërtimin e objekteve me 100 kate në lagjen Aerodrom nga ana e “Skaj Siti” dhe “Xhevair Holding” nga Turqia dhe paralajmërimeve se banesat e këtyre objekteve u ofrohen për shitje më së shumti qytetarëve të Tetovës dhe Kosovës, Kongresi Botëror Maqedonas, me mbështetjen e pushtetit të qytetit dhe pushtetit lokal, vendosi në këtë vend të ndërtoj “Kryqin Maqedonas” me një lartësi prej 51 metra. Ky është shembulli më tipik që flet për ndarjen etnike dhe fetare dhe për uzurpimin e sipërfaqeve publike që u takojnë të gjithë qytetarëve.

Todor Petrovi, kryetari i Kongresit Botëror Maqedonas nga foltorja e solemnitetit shtetëroro-fetar u porositi të pranishmëve se „Maqedonasit, të krishterët, dinë të dallojnë sipërfaqen e tyre etnike dhe duhet ta shënojnë me simbolin në të cilin besojnë. Kryqi është legjitimacioni i maqedonasve dhe ato kanë të drejtë të shënojnë me të sipërfaqet e tyre etnike“.

Në këtë kontekst Kisha Ortodokse e Maqedonisë – Arqipeshkvia e Ohrit arsyeton ndërtimin e kryqit të madh në lagjen e Aerodromit, si një simbol i mbrojtjes së territorit që u takon të krishterëve. Vendimi i papërgjegjshëm dhe i shpejtë i pushtetit lokal lidhur me ndërtimin e këtij kompleksi banimi dhe shitjen e banesave t’ia japin një kompanie myslimane provokoi lëvizjen e Kongresit Botëror Maqedonas. Ndërtimi i kryqit pritet të ndikojë që myslimanët të heqin dorë nga popullimi i vendit në të cilin është i ndërtuar një simbol i krishterë”, thotë at Mitevski.

AKUZA PËR EKSKLUZIVITET

Afrim Tairi, sekretari i përgjithshëm i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, vlerëson se Kisha Ortodokse e Maqedonisë ka një pozitë ekskluzive në shoqërinë e Maqedonisë dhe bashkëvepron me institucionet shtetërore dhe Qeverinë, që mund të konstatohet me praninë e tyre të vazhdueshme dhe pjesëmarrjen në vendet ku kisha ortodokse nuk duhet të marrë pjesë si një bashkësi fetare.

„Kleri i Kishës Ortodokse të Maqedonisë merr pjesë në shenjtërimin ose hedhjen e gurëthemeleve të objekteve të ndryshme publike dhe objekteve të tjera që duhen ndërtuar për të gjithë qytetarët e vendit, pa dallim të përkatësisë së tyre fetare. Me praninë e tyre në manifestimet e ngjashme dhe në ngritjen e objekteve fetare në vende publike, ato bëjnë të ditur se janë dominues dhe se bëjnë shënimin e vendeve përkatëse. Ndarja e shtetit nga kisha është shkelur në mënyrë direkte edhe me vendimin e Qeverisë në kuadër të projektit “Shkupi 2014” të ndërtohen kisha. Këto tendenca ndiqen edhe nga ana e pushtetit lokal dhe ministrave. Nëse jemi një shtet me shumë fe, atëherë në hapjen e objekteve publike ose në fillimin e ndërtimit të tyre, prania jonë si punonjës fetarë mund të jetë vetëm në funksionin e një dekori ose si qytetarë të këtij vendi, por jo në funksionin e realizimit të zakoneve fetare“, thotë Tairi.

Në Bashkësinë Fetare Islame akuzojnë hapur shtetin dhe pushtetin e tanishëm konzervativ se ato i japin ekskluzivitet Kishës Ortodokse të Maqedonisë – Arqipeshkvisë së Ohrit dhe se sekularitetin e shtetit e zbaton në mënyrë selektive. Më saktësisht, kur bëhet fjalë për ndërtimin e objekteve të reja fetare ose për restaurimin e objekteve të vjetra, sekulariteti nuk vlen për Kishën Ortodokse të Maqedonisë – Arqipeshkvia e Ohrit, e cila ka të drejtë ekskluzive dhe mund të ndërtojë kisha dhe objekte fetare kudo.

Në Kishën Ortodokse të Maqedonisë – Arqipeshkvia e Ohrit, në vetëmbrojtje thonë se bëhet fjalë për një nevojë reale të besimtarëve të krishterë. “Në metropol, për shembull, duke filluar nga kisha qendrore e Shkupit e deri në lagjen më të afërt të qytetit, lagjja e Gjorçe Petrovit, nuk ka asnjë kishë, ndërsa premtimi i kryetarit të Komunës së Karposhit, Stevçe Jakimovski, se në Vllae do të ndërtojë një kishë nuk është realizuar”, thotë at Mitevski.

BESIMTARË TË SAJUAR

Arkitektja Maja Arsova, e cila dhjetë viteve të fundit studion seriozisht dhe krahason pamjet e identitetit të zonave urbane në Maqedoni dhe në qytetet evropiane, thotë se “shpeshherë kritere për ndërtimin e objekteve fetare nuk janë nevojat shpirtërore dhe fetare të popullatës, por bëhet fjalë për akte simbolike të demarkacionit fetar. E njëjta gjë vlen edhe për gabaritin e tyre. Ekzistojnë standarde të unifikuara urbanistike sipas të cilave për çdo besimtar në tempujt fetarë duhet siguruar nga 0,25 deri në 0,6 m2, që do t’i mundësonte besimtarit të qëndrojë në këmbë, të ulet ose të përkulet. Sipas normativave evropiane objektet fetare për të qenë ideale duhet të planifikohen për 10-12.000 besimtarë, ndërsa tempulli, sipas sipërfaqes, duhet të përputhet me numrin e besimtarëve që lëvizin drejt tij, më saktësisht 250 deri në 500 m2, sipas numrit real të besimtarëve“, thotë Arsova.

Në Maqedoni nuk është bërë një analizë lidhur me përqindjen e besimtarëve që i takojnë fesë ortodokse ose myslimane, të cilët rregullisht shkojnë në kishë ose xhami. Sipas përvojës së një prifti të lagjes së Aerodromit, i cili insistoi të mbetet anonim, vetëm pesë deri në dhjetë për qind të besimtarëve ortodoksë të kësaj lagjeje shkojnë rregullisht në kishë për të ndjekur liturgjinë e të dielës ose për t’u falur. Për shembull, gjatë kohës së realizimit të këtij hulumtimi, në kishën më të madhe ortodokse në Shkup, kisha “Shën Klimenti i Ohrit”, në ditët e shënimit të festave më të madha të fesë ortodokse nuk u drejtuan më shumë se rreth tridhjetë besimtarë.

Lubica Ajtovska nga lagjja e Aerodromit shkon shpesh në kishën “Shën Ilia” që gjendet në këtë lagje. Kishën e kam shumë afër dhe çdo mëngjes marr pjesë në liturgjitë. Në kishë shumë rrallë mund të shihen më shumë se dhjetëra besimtarë, ndërsa vetë kisha mund të jetë plotë vetëm në rastet e martesave, për Krishtlindjet ose për Pashkët. Gjatë këtyre ditëve besimtarët vijnë më shumë në kishë sa për adet dhe jo se vërtetë besojnë në Zot.

Në Shkup xhamitë janë plotë vetëm të premteve, gjatë faljes së xhumasë, kur hoxha u drejtohet në veçanti besimtarëve. Në rajonin e Shkupit, në Plaigrad, Aldinci, Crvena Voda etj. nuk ka as besimtarë dhe as hoxhallarë. Në fshatrat e braktisura mund të shihen vetëm minaret si “roje të territorit të tyre”.

„Tempujt e rinj, pa dallim të fesë të cilës i takojnë, nuk duhet t’i rrezikojnë peizazhet, panoramat dhe pamjet e objekteve që janë simbole të qytetit. Bashkësitë lokale mund të kenë qëndrim pozitiv ndaj iniciativave për ndërtimin e objekteve fetare, nëse në zonën konkrete ku kërkohet ndërtimi i një objekti fetar është përqendruar një numër i madh besimtarësh, por procedura e planifikimit të objekteve të këtij lloji duhet të jetë maksimalisht publike dhe transparente. Përvojat evropiane dhe ndërkombëtare thonë se për ndërtimin e objekteve të këtij lloji, njësoj si shkollat, fakultetet, spitalet dhe kopshtet, bëhen studime lidhur me nevojat reale të popullatës“, thotë Arsova.

Arqipeshku i Eparkisë evropiane të Kishës Ortodokse të Maqedonisë – Arqipeshkvia e Ohrit, z. Pimen, thotë se me ndërtimin masiv të objekteve me kambana dhe minareve shënohet territori i “pushtuar”.

„Një gjë e tillë nuk ndodh vetëm në Maqedoni. Nga përvoja ime mund të them se sot në të gjithë Evropën kambana dhe minarja janë elemente dekorative të objekteve fetare, por për fat të keq ato janë edhe objekte me të cilat synohet të tregohet dominimi në një rajon të caktuar, që në fakt është një lloj shënimi i territorit përkatës“, thotë arqipeshku Pimen.

Ish kryetari i Komisionit të marrëdhënieve me bashkësitë etnike, Cane Mojanovski, thotë se ndërtimi i objekteve fetare është një mënyrë e re veprimi e pushtetit aktual dhe një strategji politike për shënim etnik dhe fetar të territorit në të gjithë pjesët e Maqedonisë, veprime këto të cilat në aspektin afatgjatë mund të interpretohen si shenja që tregojnë se “të tjerët” nuk janë të mirëseardhur në territorin e shënuar. Në këtë mënyrë vendi dhe qytetarët kthehen në mesjetë dhe prishet aspekti sekular i shtetit dhe institucioneve.

„BARIKADA“ ME KRYQE DHE GJYSMËHËNA

Profesorja Mirjana Najçevska, ish kryetare e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut dhe një aktiviste civile, thotë se ndjenja e përkatësisë në një fe të caktuar është e drejtë njeriu që nuk duhet rrezikuar. “Megjithatë, shteti shpesh dhe drejtpërdrejtë përzihet në çështje fetare dhe duke folur për mbrojtjen e interesave nacionale vendos Kishën Ortodokse të Maqedonisë – Arqipeshkvinë e Ohrit në një pozitë të veçantë, duke ndikuar në mënyrë direkte në prishjen e karakterit sekular të vendit. Duke ditur ekzistimin e dy bashkësive më të mëdha etnike në Maqedoni, të njëjtën e kërkon dhe fiton edhe Bashkësia Fetare Islame në vendet që i ka markuar si të saja, që në fund rezulton me ndarjen e qytetarëve në baza fetare, ndarje kjo që në fakt është ndihmuar nga ana e shtetit“, thotë Najçevska. Ajo vlerëson se në Maqedoni ekziston një simbiozë e fuqishme midis fesë dhe politikës e cila është e forcuar me faktin se dallimi fetar në një masë të madhe ka të bëj me ndarjen fetare.

Sipas saj kjo gjë mund të konstatohet me numrin e objekteve fetare, i cili është shumë më i madh se numri i besimtarëve që mund t’i vizitojnë rregullisht këto objekte. “Objektet fetare janë vetëm një lloj shënimi të territorit që “pushtohet” nga ana e partive politike të ndara sipas përkatësisë etnike. Objektet fetare nuk janë një lloj përmbledhje të veprimit humanitar të njerëzve që manifestojnë besimin e tyre nëpërmjet ndihmës që mund t’ua japin të tjerëve, por vende në të cilat zhvillohet propaganda politike dhe mesha ose falje me orientime politike. Me praninë e tyre në manifestimet dhe ngjarjet e shenjta përfaqësuesit e klerit i japin legjitimitet pushtetit dhe krijon iluzione se bëhet fjalë për pushtet popullor. Shënimi i territorit bëhet edhe nëpërmjet mësimit të fesë që u imponohet nxënësve. Në kushte të tilla, vlerëson Najçevska, tensionet ndëretnike mund të fitojnë shumë lehtë karakter fetar dhe të rezultojnë me ndarje të qarta të popullatës, ndarje këto të cilat në momente të caktuara mund të jenë të përshtatshme për mobilizim të shpejtë dhe për veprime të dhunshme. Kjo simbiozë është demonstrative sidomos në rastet e hedhjes së gurëthemeleve ë ndryshme dhe fillimit të ndërtimit të objekteve, pa dallim nëse bëhet fjalë për objekte të shenjta ose shpirtërore“, thotë Najçevska.

Në këtë kontekst, gazetari dhe analisti politik Sasho Ordanoski sqaron se Maqedonia i përket grupit të vendeve që quhen “vende gjysmësekulare”. “Maqedonia nuk është një vend sekular, për shembull si Franca dhe nuk është plotësisht një vend josekular, si një nga vendet e teokratisë lindore, por më shumë është një model gjerman në kuadër të të cilit shteti dhe kisha janë të ndarë, por shteti i ndihmon kishës në mënyrë indirekte ose në mënyrë “të fshehur”. Në kohën e sundimit të nacionalistëve, siç është VMRO-ja, kjo ndihmë është e qartë, direkte dhe demonstrative”, thotë Ordanoski.

At Boban Mitevski vlerëson se Maqedonia nuk mund të jetë plotësisht një vend sekular si rezultat të ndërthurjes shekullore të kulturës maqedonase, traditës dhe historisë me fenë. “Të gjitha momentet e rëndësishme të historisë dhe ekzistimit të shtetit maqedonas dhe etnitetit maqedonas janë të lidhura dhe ndërthurura me traditën kishtare dhe me datat e fesë së krishterë. E gjithë kjo nënkupton pjesëmarrje të përbashkët të pushtetit dhe klerit të krishterë në të gjitha manifestimet që kanë të bëjnë me festat shtetërore dhe fetare”, thotë Mitevski.

Sipas tij ”kisha nuk duhet të mbrojë qytetarët sipas përkatësisë etnike sepse në një rast të tillë ajo do të humbiste qëllimin e fesë. Megjithatë, në situatën e tanishme politike dhe rrezikimit të interesave nacionale kryesore dhe vlerave tradicionale, kisha duhet të jetë aktive edhe në jetën shoqërore dhe të tregojë qëndrimin e saj lidhur me çështjet me rëndësi për kombin dhe shtetin”.

Eksperti i çështjeve fetare, hoxha Ramadan Ramadani, thotë se “si rezultat të mosnjohjes së Kishës Ortodokse të Maqedonisë nga ana e kishave simotra dhe përjashtimit të saj nga uniteti i krishterë, ajo gëzon një pozicion të veçantë. Krijohet një simbiozë e çuditshme midis shtetit (pushtetit) dhe hierarkisë kishtare në kuadër të të cilës njëra dhe pala tjetër ndihmohen midis tyre në realizimin e interesave të përbashkëta. Nga ana tjetër, raporti i tillë midis Kishës Ortodokse të Maqedonisë dhe shtetit rezulton me shfaqjen e një sekulariteti asimetrik. Ajo që nuk konsiderohet si sekulare, kur bëhet fjalë për Kishës Ortodokse të Maqedonisë – Arqipeshkvia e Ohrit, në rastin e Bashkësisë Fetare Islame konsiderohet si sekulare”. Për këtë arsye ne gjendemi në situatë kur shteti mbështet ndërtimin e kryqit me lartësi prej 51 metra në lagjen e Aerodromit, që nuk konsiderohet si një cënim i sekularitetit të shtetit dhe njëkohësisht është kundër restaurimit të xhamisë së rrënuar në Komunën e Qendrës, në lagjen Maxhir Maalo dhe në Komunën e Aerodromit sepse një veprim i tillë “do të cënonte sekularitetin e shtetit”. Përhapja e stereotipit sipas të cilit për maqedonasit të gjithë shqiptarët janë myslimanë, ndërsa për shqiptarët të gjithë maqedonasit janë të krishterë, në mënyrë të drejtpërdrejtë rezulton me kodin e identifikimit dhe rezulton me ndarje”, vlerëson Ramadani.

BASHKËSITË E MARGJINALIZUARA

Në Maqedoni, përveç ortodoksëve dhe myslimanëve, jetojnë edhe mbi 60.000 qytetarë të feve të tjera (katolikë, protestantë, dëshmitarë të Jehovait, përfaqësues të sekteve të ndryshme lindore, siç janë Hare Krishna, myslimanët e radhëve të Dervishëve, përfaqësuesit e Arqipeshkvisë së krishterë të Ohrit etj.), të drejtat fetare të të cilave shkelen gjithnjë e më shumë. Këto shkelje janë më të theksuara në rastin e përfaqësuesve të Arqipeshkvisë së krishterë të Ohrit dhe në rastin e dervishëve, të cilët janë në konflikt të drejtpërdrejtë me Kishën Ortodokse të Maqedonisë dhe me Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë.

Sipas të dhënave të Komisionit për marrëdhënie midis bashkësive etnike, në territorin e Maqedonisë ekzistojnë dhe kanë besimtarët e tyre edhe tridhjetë e dy bashkësi të tjera fetare dhe religjioze.

Ivan Grozdanov, besimtar i kishës së krishterë – baptiste në Maqedoni, vlerëson se vendimi i Qeverisë për të ndërtuar një kishë ortodokse në qendër të Shkupit është një shkelje e rëndë e të drejtave të bashkësive të tjera fetare. “Është e qartë se Qeveria filloi të bëj me vendin një shtet mesjetar kishtar. Bëhet fjalë për një shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe barazisë së garantuar të bashkësive fetare. Kishat evangjeliste – protestante rreth pesëdhjetë vjet me radhë nuk mund të fitojnë leje për të ndërtuar objektet e tyre në qytet”, thotë Grozdanov. Bashkësitë fetare dhe religjioze që veprojnë jashtë Kishës Ortodokse të Maqedonisë dhe Bashkësisë Fetare Islame vazhdimisht ankohen se janë të margjinalizuara nga ana e shtetit.

Bashkësia fetare evangjeliste-metodiste ka rreth 5.000 besimtarë. Në territorin e Republikës së Maqedonisë kjo bashkësi është e pranishme rreth 150 vjet dhe është e përfshirë në unitetin ekumenik dhe është pjesë e kishave të tjera metodiste, por ajo ka vetëm dymbëdhjetë objekte fetare – kisha në Strumicë, Koçani, Radovish, Shkup, Manastir dhe Resnjë. Këto objekte nuk janë të mjaftueshme për t’i plotësuar nevojat fetare të besimtarëve tanë. Mbi dyzetë vjet me radhë ne kërkojmë të ndërtojmë kisha të reja në zonat në të cilat është rritur numri i besimtarëve tanë, por ndërtimi i objekteve fetare nuk lejohet me arsyetimin e sekularitetit të shtetit dhe me planet e detajuara urbanistike, me të cilat nuk është paraparë ndërtimi i kishave të këtij konfesioni“, thotë Sofija Trajkovska, anëtare e Sekretariatit të kishës evangjeliste-metodiste me seli në Strumicë.

Silvana Petrusheva, përfaqësuese e bashkësisë parakrishtere “Jeta universale” ankohet për sjelljen injoruese të komisionit shtetëror për marrëdhëniet midis bashkësive fetare dhe thotë se Kisha Ortodokse e Maqedonisë – Aripeshkvia e Ohrit, si një organizatë fetare, gëzon ekskluzivitet.

Sipas Ligjit të ri të bashkësive fetare, i cili është harmonizuar me normativën evropiane të kësaj fushe, shteti duhet të ketë më shumë mirëkuptim edhe për bashkësitë e tjera fetare, pa dallim nëse ekzistojnë grupe të ngjashme fetare me Kishën Ortodokse të Maqedonisë ose Bashkësinë Fetare Islame, siç janë e ashtuquajtura POA dhe Bektashinjtë, Ehli Sunet Velxhemat etj.

ALIBI PËR POLITIKAT E KËQIJA

Profesori Cane Mojanoski vlerëson se lidhjet midis politikës dhe kishës janë të forta, megjithëse kisha realisht nuk mund të jap kontribut për zgjidhjet e caktuara politike. Megjithatë, ajo ndikon në strukturën besimtare dhe mbron politikat e caktuara të pushtetit. “Në rrethana të tilla në kishë do të dëgjoni përkujtim për 100 vjetorin e Marrëveshjes së Bukureshtit lidhur me ndarjen e Maqedonisë, thirrje për të mbrojtur integritetin dhe emrin e vendit, përzierje në politikën e popullimit, raportet brenda familjes, martesën etj. Të gjitha këto thirrje i drejtohen popullatës vendase dhe mund të jenë një bazë ose të shfrytëzohen si alibi për zgjidhjet që nuk përputhen gjithmonë me pritjet. Sa janë të devalvuara ose të zbatueshme parimet e sekularitetit dhe si mund të ndikojë bashkëveprimi i fesë dhe politikës në marrjen e vendimeve që realisht nuk duhet t’i marrin parasysh parimet fetare, por parimet civile, si për shembull qëndrimi ndaj përkufizimit të martesës, edukimit të fëmijëve dhe të rinjve, çështjeve lidhur me abortin dhe politikën demografike“, sqaron Mojanoski.

Sociologu dhe profesori Ilija Acevski paralajmëron se Kisha Ortodokse e Maqedonisë – Aripeshkvia e Ohrit gëzon ekskluzivitet nga ana e shtetit dhe lidhja midis kishës dhe politikës në shoqërinë maqedonase është e qartë. Fjalimet e liderëve fetarë gjithnjë e më shumë u ngjajnë fjalimeve politike që nuk mund të gjejnë vendin dhe rëndësinë e tyre në një demokraci, ndërsa pasojat mund të jenë serioze. Fillimisht, në kuptimin e mungesës së tolerancës midis të tjerëve dhe së dyti, krijohet përshtypja se kisha merr përsipër të gjej zgjidhje për problemet politike, që gjithashtu është një konotacion i pakuptimtë”, thotë Acevski. Sipas tij, problemi qëndron në faktin se partia në pushtet shpesh kërkon mbështetjen e Kishës Ortodokse të Maqedonisë – Aripeshkvia e Ohrit, ndërsa fjalimet fetare fitojnë kontekstin e alibisë politike në kuadër të formimit të qëndrimeve të caktuara lidhur me çështjet politike kruciale për të cilat synohet të krijohet përshtypja se bëhet fjalë për një qëndrim të përgjithshëm.

Teksti është punuar nga rrjeti hulumtues i gazetarisë, BIRN.

Lajme të ngjashme

Back to top button