Zvarritet dygjuhësia në Shkup, Trajanovski nuk ka përgjigje

Përdorimi i gjuhës shqipe në Qytetin e Shkupit vazhdon të mbetet peng i Komisionit që u formua për tejkalimin e keqinterpretimeve të ligjeve për përdorimin e gjuhëve. Gjashtë muaj pas formimit të këtij komisioni, nuk është mbajtur asnjë seancë për shqyrtimin e problemit dhe gjetjes së një zgjidhjeje. Kreu i Qytetit Koce Trajanovski sot tentoi t’i ikte pyetjeve rreth kësaj çështjeje, duke mos lejuar pyetje të padëshiruara.

Pas insistimit të Alsat M, Trajanovski u kthye në vendin e tij, dhe pranoi se deri tani nuk ka kontaktuar anëtarët e Komisionit për të thirrur mbledhje.

‘Trajanovski kaluan zgjedhjet, kaluan edhe pushimet verore, cila është tani arsyeja që ende nuk mblidhet komisioni për interpretimin e ligjeve për përdorimin e gjuhës shqipe”?

‘Duhet të shohim me Komisioni’, u përgjigj shkurt Koce Trajanovski, Kryetar i Shkupit.

Zvarritja e punës së Komisionit deri tani arsyetohej me zgjedhjet e dyfishta në pranverë, ndërsa më pas me pushimet verore. Përdorimi i gjuhës shqipe në qytetin e Shkupit është peng i mospërputhjes në tërësi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe Ligjit për Qytetin e Shkupit. Trajanovski është zotuar se do ta pranojë dhe respektojë zgjidhjen që do ta vendosë komisioni i formuar për këtë çështje. Deri atëherë, Qyteti i Shkupit vazhdon të përdorë vetëm maqedonishten dhe anglishten në tabelat udhërrëfyese në kryeqytet, duke shkelur kështu amendamentin V të Kushtetutës që obligon përdorimin zyrtar të gjuhës të cilën e flasin mbi 20% e popullatës.

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button