Deklarata e Ramës, mesazh i fuqishëm për liderët shqiptarë dhe iluzionistët që minojnë MO

Në një ndër evenimentet politike më të rëndësishme ndërkombëtare siç ishte Samiti i NATO-s në Uells, vërejtja e kryeministrit shqiptar Edi Rama  për mos implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, përcjell një mesazh të fuqishëm liderëve politik shqiptar në Maqedoni që minojnë marrëveshjen e Ohrit duke e sjellë atë në nivele kompromisesh për interesa të ngushta politike, vlerësojnë analistët për Portalb.

Sipas tyre, deklarata e Ramës është në funksion të paqes dhe një deklaratë e cila qartë u tregon  iluzionistëve maqedonas në qeverinë e Shkupit, se marrëveshjet si kjo, zbatohen në tërësi ose ndryshe ka ballafaqime serioze.

Pozicioni i Shqipërisë kundrejt Maqedonisë është i ditur prej kohësh

Deklarata e Ramës nuk mund të merret e ndarë nga kontesti i zhvillimeve ballkanike. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Glevin Durvishi për Portalb thotë se pozicioni i Shqipërisë kundrejt Maqedonisë është i ditur prej kohësh.  Të dyja vendet i lidh një e ardhme e përbashkët, ku për ne integriteti i saj mbetet i pacënueshëm dhe ne mbështesim në mënyrë të plotë Maqedoninë në rrugën e saj euro-atlantike.

“Shqipëria e konsideron zbatimin e plotë të Marrëveshjes se Ohrit si shtyllën e shtet ndërtimit demokratik dhe të përshpejtimit të proceseve modernizuese për Maqedoninë.”  tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Glevin Durvishi për Portalb.

Rama duhet tu tregojë shtigjet liderëve shqiptarë që minojnë Marrëveshjen e Ohrit
Analisti Zeqirja Ibrahimi vlerëson angazhimin e Edi Ramës për shqiptarët e Maqedonisë, ndërkohë që vlerëson se Rama nuk mund të bëjë detyrat tonat derisa përfaqësuesit politik shqiptarëve të Maqedonisë gjithnjë e më shumë po minojnë Marrëveshjen e Ohrit.

“Deklarata e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë për Maqedoninë, veçmas në lidhje me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, sigurisht se duhet të lexohet si një lajm i mirë për shqiptarët e Maqedonisë. Rama i flet Maqedonisë nga pozita e një vendi anëtar të NATO-s, por edhe nga pozicioni që iu njoh atij nga kancelarja Merkel në konferencën mbajtur në Gjermani”, thotë Zeqirja Ibrahimi.

Sipas Zeqirija Ibrahimit, ky mesazh duhet të lexohet në frymën se Shqipëria i ka vërejtjet dhe kërkesat e saj ndaj Maqedonisë nëse ajo dëshiron t’i bashkëngjitet kësaj aleance. Ndërsa, sipas këtij mesazhi, thotë ai, përafrimi i qëndrimi të këtij shteti me kërkesat e Shqipërisë bëhet përmes respektimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Mesazhi është i qartë dhe i thënë në një tubim që ka relevancë të madhe në arenën ndërkombëtare.

“Duke qenë mirënjohës ndaj Ramës, nuk duhet të harrojmë se ai nuk mund t’i kryejë edhe detyrat tona. Ndërsa shqiptarët e Maqedonisë, duke marrë pjesë në këtë pushtet, që përditë e më shumë e minon Marrëveshjen e Ohrit, bëhen pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të politikës antishqiptare të maqedonasve kundrejt shqiptarëve në Maqedoni. Prandaj, Rama, përveç deklarimeve në samitin e NATO-s, duhet t’i mbledhë në Tiranë edhe liderët politikë shqiptarë të Maqedonisë dhe t’ua vizatojë sakte shtigjet e veprimit politik, për t’i ngritur e për t’i shpëtuar nga katandia ku kanë rënë prej politikave të Nikolla Gruevskit. Në të kundërtën, faji nuk do të jetë te Gruevski, por te Ali Ahmeti e Menduh Thaçi”, thotë analisti nga Maqedonia Zeqirija Ibrahimi.

Deklarata e Ramës jo  papritur, aktorët politik në Maqedoni mbyllën sytë për MO

Analisti nga Kosova Mentor Tahiri, thotë për Portalb se deklarata e Edi Ramës duhet ët merret si moment reflektimi edhe për komponentën shqiptare në politikbërjen brenda Maqedonisë.

“Marrëveshja e Ohrit, shpesh ballafaqohet me obstrukcione të dallueshme, jo rrallë vetë faktori politik shqiptar ka mbyllur sytë para kësaj, ngase implementimi apo mosimplementimi i segmenteve të saj është perceptuar gabimisht si lojë kompromisesh, duke harruar krejtësisht përgjegjësinë që Maqedonia ka si shtet dhe si aktor politik ndërkombëtar”, thotë Tahiri.

“Deklarata e kryeministrit shqiptar, Rama, se Maqedonia para anëtarësimit të saj në NATO duhet veç tjerash të implementoje tërësisht Marrëveshjen e Ohrit, duhet cilësuar si një deklaratë e moderuar dhe e thënë me përgjegjësi politike, në shërbim të përmirësimit të ambientit politik në rajon. Është e qartë se qeveria në Shkup në vazhdën e politikës së gabuar të cilën e zhvillon, me mos implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, jo vetëm që dështon të ofrojë barazi dhe prosperitet për qytetarët e saj, por ajo vazhdon me kokëfortësi e cila nuk çon në fund të asnjë rruge.  Kuptohet, këtu mendohet saktë në VMRO-në e kryeministrit Gruevski. Deklarata e kryeministrit shqiptar e thënë në Uels, i tregon qartë iluzionistëve maqedonas në qeverinë e Shkupit, se marrëveshjet si kjo, zbatohen në tërësi ose ndryshe ka ballafaqime serioze”, thotë Mentor Tahiri.

Sipas tij,  kur të mendohet më thellë në situatën e brishtë në të cilën gjendet Maqedonia, i vetmi garant për mbijetesën e saj është konsolidimi i rrugëve integruese.

“Deklarata e kryeministrit shqiptar, nuk është thënë në një moment të papritur. Kanë kaluar plot 13 vite që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Ohrit, janë ndryshuar shumë qeveri, dhe ndërkohë pushtetin kanë shijuar dyja blloqet politike shqiptare. Lehtësisht dhe vazhdimisht radikalizohen momente të dhunës ndëretnike, kurse vetë Marrëveshja e Ohrit nuk synon asgjë më shumë se eliminimin e padrejtësive ndaj shqiptarëve. Sigurisht që në këtë situatë, qeveria shqiptare ka në dispozicion mekanizma të rëndësishëm për të inkurajuar Shkupin zyrtar që të jetë më i përgjegjshëm. Pikërisht këtu qëndron fuqia këndellëse e deklaratës në Uells, e cila gjithashtu sensibilizon edhe para anëtarëve të NATO-s dhe në përgjithësi tek bashkësia ndërkombëtare se disa përgjegjësi politike më nuk mund të anashkalohen përmes turkeve politike”, thotë për Portalb, analisti nga Kosova – Mentor Tahiri

LEXO: Bushati: Marrëveshja e Ohrit, është pjesë e dosjes tonë diplomatike

Lajme të ngjashme

Back to top button