Rebelët pro-rusë lirojnë 1.200 robër

Rebelët pro-rusë në Ukrainë kanë lënë të liruar 1.200 të burgosur, ka njoftuar personalisht presidenti ukrainas Petro Poroshenko.

“Lirimet vijnë pas marrëveshjes së armëpushimit të arritur ditën e premte, që përfshinte edhe shkëmbimin e të burgosurve”, ka deklaruar Poroshenko.

Ai ka folur gjatë një vizite në qytetin strategjik të Mariupolit, një qytet-port në jug-lindje që është ndodhur nën bombardimet e rebelëve pro-rusë në ditët e fundit.

Zoti Poroshenko e ka anunçuar mbërritjen e tij atje përmes një mesazhi në Twitter, ku thotë: “Mariupoli është Ukrainë. Nuk do t’ia lëmë askujt këtë tokë”.

Përpara se armëpushimi të hynte në fuqi, separatistët pro-rusë avancuan shumë në lindje të Ukrainës dhe morën nën kontroll pjesë të tëra territori, duke arritur deri pak milje jashtë Mariupolit.

Megjithatë, pavarësisht disa të shtënave sporadike, armëpushimi duket se po funksionon. Luftimet në lindje kanë lënë të paktën 2.600 të vdekur që prej muajit prill.

“Gjatë katër ditëve të fundit kemi arritur të sigurojmë lirimin e 1.200 robërve”, ka thënë Poroshenko, i cituar nga agjencia ukrainase e lajmeve “Interfax”.

Armëpushimi mes Moskës dhe Kievit u arrit javën e kaluar në Minsk të Biellorusisë, me ndërmjetësimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE.

Në negociata u përfshinë ish-presidenti ukrainas, Leonid Kuchma, liderë të rebelëve pro-rusë dhe një delegacion nga Moska. Po gjatë së hënës Poroshenko i ka bërë thirrje OSBE-së që të dërgojë përfaqësues në zonat ku armëpushimi është shkelur.

Lajme të ngjashme

Back to top button