Ku mbetën premtimet e Ademit dhe Jakupit për shkollën e Çellopekut? (VIDEO)

Kanë kaluar dy vite që u hodh gur themeli për ndërtimin e shkollës ‘7 marsi’ e cila do të ishte me efikasitet energjetik në fshatin Çellopek të Tetovës. Që atëherë asgjë nuk ka ndryshuar, punimet kanë ngecur dhe ky projekt nuk është realizuar akoma, madje as edhe në fazën karabina. 

I pyetur nga Portalb pse mbeti në harresë ky projekt, kryetar i komunës së Bërvenicës, Enver Pajaziti tha se ende për këtë projekt kërkohet donatorë  dhe ndihmë nga ana e Qeverisë.
Edhe përkundër gjendjen së tillë Pajaziti shprehet optimist se deri në shtator i njëjti do të përfundojë deri në fazën karabina.

Para dy vitesh, në një ceremoni pompoze morën pjesë ministri i atëhershëm i Ambientit  jetësor dhe planifikimit hapësinor, Nexhati Jakupi dhe zëvendës/kryeministri i atëhershëm tash ministër i Ambientit jetësor Abdilaqim Ademi të cilët deklaruan se kjo shkollë me efikasitet energjetik shumë shpejtë do të përfundojë.

Madje, kryetari i komunës së Bërvenicës, Pajaziti me 2 korrik të 2011 deklaroi se kjo është një ëndërr 20 vjeçare e banorëve.

Kjo shkollë duhet të kishte tri kate, me një hapësirë të përgjithshme prej 1300 metra katrorë, ndërsa ishin paraparë 4 milion e 100 mijë denarë  dhe një donacion italian me vlerë prej 75 mijë eurove. Por pse ende nuk pa përfunduar ky projekt dhe kur do të përfundoj, akoma nuk dihet sepse kompetentët refuzojnë të japin sqarime. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button