MASH e papërgatitur për shkollën fillore nëntëvjeçare

 

Arsimtarët shqiptarë ankohen se për klasën e nëntë nuk ka libra dhe se në shkollën fillore nuk ka asnjë ndryshim nga ai që ishte në tetëvjeçaren.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve të Kumanovës, Etem Xheladini për Portalb bën të ditur se disa herë i janë drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për këtë çështje por nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete.

“Nuk ka asnjë ndryshim të programit, nuk e di se si do të shkojnë punët mirëpo klasa e nëntë do të mësojë më librat e klasës së tetë, e teta me të shtatës e kështu me radhë. Kjo nuk është në rregull kjo është gjenerata e parë që ka klasë të nëntë dhe përgatitjet nuk janë askund. Disa herë kemi dërguar kërkesë drejtuar MASH-it se si të punojmë me librat dhe se a do të ketë ndryshime por ja që ende nuk kemi marrë përgjigje”, tha Xheladini.

Ai shtoi se problemi më i madh qëndron se MASH po ashtu nuk ndryshoji edhe librat me të cilat po mësohet tani më pesë vite.

“Librat skandaloz nuk tërhiqen, librat e dëmtuar dhe të grisur nuk zëvendësohen me të rinj, plani për nëntëvjeçaren nuk realizohet, nuk e di se a është e përgatitur MASH për projektet të cilat vet i vlerëson si te realizuara”, tha për Portalb, Xheladini.

“Asgjë nuk ka ndryshuar vetëm se foshnjorja tani vlerësohet si klasë e parë, por kjo nuk është në rregull sepse në tekstet shkollore të gjeneratës së parë tani që hyn në klasën e nëntë shkruan libra për klasën e tetë. Duhet të ndërmeren masa që të formulohen tekste të reja konform shkollës fillore nëntëvjeçare përndryshe ndryshimi është i kotë dhe i pa nevojshëm”, tha Drita Abdullai, arsimtare.

“Në perëndim funksionon shkolla fillore nëntëvjeçare dhe shumë mirë që u bë edhe te ne. Fillimi ishte shumë i mirë, u fillua që nga foshnjorja ndryshimi të zbatohet mirëpo sa është i realizueshëm ky ndryshim duke pasur parasysh programin mësimor i cili mbetët i njëjti?”, tha Afrim Memeti, arsimtar.

Ndërkaq nga ana tjetër Ministria e Arsimit dhe Shkencës vazhdon të mos jep asnjë informacion për redaksinë Portalb sa i përket problemeve të natyrave të ndryshme në tekstet shkollore.

Lajme të ngjashme

Back to top button