Shqiptarët në 23 vite pavarësi: Politikanë të korruptuar dhe të drejta të mohuara

Rrugëtimi i shqiptarëve në 23 vite pavarësi, është një bilanc që nuk ndryshon shumë nga fillet e jetës parlamentare në vend dhe shpalljes së pavarësisë që filloi me  mohimin e të drejtës së shqiptarëve për të qenë popull shtetformues në Maqedoni, kështu përkujtojnë këtë rrugëtim dy nga personalitetet politike që ishin dëshmitarë të kohës dhe rrjedhës së luftës së shqiptarëve për të drejtat e tyre.

Shaqiri: Shqiptarët jetojnë periudhën më të dështuar politike

Ish deputeti  i asaj kohe Hysni Shaqiri, përkujton për Portalb se deri sa në fillet e jetës politike kishte një organizim politik që mohoi Kushtetutën e Maqedonisë si akt themeltar dhe një rezistencë politike ndaj akteve antishqiptare, sot kemi një realizim të plotë të projekteve madhore anti-shqiptare  që vënë në pikëpyetje vazhdimësinë  historike  të shqiptarëve para syve të BDI-së.

“Atë kohë strukturimi i shqiptarëve ishte shumë masovik dhe pritej ndryshime ne favor të çështjes shqiptare, por që nga dita e pavarësisë, shqiptarët nuk arritën që t’i realizojnë pritshmërinë e tyre. As strukturat tjera politike të shqiptarëve ne vitet e mëvonshme nga pavarësimi nuk arritën që t’i realizojnë aspiratat e shqiptarëve dhe pikërisht për këtë ndodhi konflikti i 2001 që dha shpresë tek shqiptarët se do të realizohen të të drejtat për të cilët kishin shpresuar”, thotë Hysni Shaqiri.

Sipas tij, edhe pas konfliktit të 2001-shit që mori gjithë sakrificën e popullit shqiptarë, nuk u arrit që të realizohen të drejtat e popullit shqiptarë në Maqedoni. Për më shumë se kaq, thotë Shaqiri, pas këtij konflikti kemi një periudhë shumë më të dështuar që nuk mund të krahasohet me asnjë periudhë tjetër.

“Në gjithë këto vite shqiptarët nuk arritën të organizohen dhe të dalin me një platformë të përbashkët kombëtare. Edhe sot e kësaj dite na mungon një organizim i mirëfilltë politik rreth një platformë të përbashkët. Popullata është e dezorientuar me forma më imponuese politike të strukturave ekzistuese politike”, thotë Hysni Shaqiri.

Hysni Shaqiri thotë se në fillet e jetës parlamentare në Maqedoni, kishte një rezistencë aktive politike të shqiptarëve në Maqedoni. Kushtetuta e Maqedonisë nuk o votua dhe si e tillë nuk u njoh nga shqiptarët.

“Për momentin partitë politike që kanë fituar mandatin e popullit, kanë dështuar në të gjitha pikëpamjet. Shqiptarët sot nuk e dinë se cili është aleat strategjik i partisë maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE-së e cila është parti më antishqiptare. Janë realizuar projekte të mëdha antishqiptare që kanë vendosur në pikëpyetje kontinuitetin historike  të shqiptarëve. Përkundër gjithë kësaj, BDI asnjëherë nuk e ngriti zërin ndaj këtyre çështjeve që janë shumë të dhimbshme. Pavarësisht se kush i ka nënshkruar këto projekte antishqiptare, shohim se BDI është në pushtet gjatë realizimit të këtyre projekteve”, thotë Shaqiri.

Halili: Shqiptarët pas 23viteve janë keq dhe pa rrugëdalje

Ish deputeti Muhamet Halili, thotë për Portalb se 23 vite rrugëtim në jetën demokratike, për shqiptarët kemi një situatë pa rrugëdalje në të gjitha aspektet.

“Sa i përket strukturimit politik të shqiptarëve në vitet e 90-ta, mund të thuhet se të gjithë shqiptarët ishin masovisht të organizuar për realizimit të të drejtave të shqiptarëve. Në këtë vijë të gjithë punonin  dhe nuk kishte mundësi devijimi sepse kishte një opozitë të fortë edhe nga ana e vetë qytetarëve”, thotë Muhamet Halili.

Sipas tij, sot kemi një ndryshim të madh në dëm të realizimit të të drejtave kombëtare për arsye se partitë politike janë fokusuar në interesin e tyre material për pasurim ndërsa të drejtat e shqiptarëve i kanë lënë anësh. Halili thotë s krijohet përshtypja se për këtë kanë edhe të drejtën e elektoratit shqiptarë, por kjo sipas tij nuk është e vërtet.

“ Shqiptarët pas 23 vitesh zhvillim demokratik  në aspektin ekonomik janë keq dhe pa rrugëdalje. Shqiptarët janë vënë në një situatë që edhe pa vullnetin e tyre ta shesin përcaktimin politik, gjegjësisht votën. Kjo ka bërë që një grup politikanësh të pasurohen dhe të degradohen të drejtat e shqiptarëve”, thotë Muhamet Halili.

Halili thotë se edhe përkundër luftës së vitit 2001, jemi shumë larg në aspektin politik duke anashkaluar atë që proklamohej si luftë për të drejtat kombëtare duke degraduar atë në një luftë për të drejta komerciale dhe politike”.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Shqiptaret fajin te kerkojn te vetja mandej te folin te gjithe e fajsojn Gruevskin ej kadal kush e voton Vmro-n shqiptaret JO,vota e shqiptareve shkon Ali,Mendu njani shpijun qetri udb punet tregojn çka bejn kto rezultatin e keni sot ju lutem mos kerkoni llogari ati ku nuk investoni.Hapni syte kur vitoni mos u shitni per 500 denar

Back to top button