fbpx

Kush do jetë partia e re shqiptare në Maqedoni?

Nuk jemi as me Turqinë, as me AK-në. Jemi Vetëvendosje shqiptare në Maqedoni”. Kështu kanë deklaruar nismëtarët e një partie të re, që pritet të promovohet ditëve të ardhshme në Maqedoni.

Pas zërave që qarkullojnë tashmë një kohë nëpër media se po formohet një parti erdoganiste, portali Albvizion arriti të kontaktojë disa nga nismëtarët e këtij subjekti, të cilët duan të mbeten anonimë deri në zyrtarizmin e kësaj organizate, por që deklarojnë hapur se ata nuk kanë kurrfarë lidhje me Turqinë, me AK-partinë e as me ndonjë nga figurat e skenës politike turke.

“Nëse duhet të identifikohemi me dikë, për nga tipizimi më shumë na ngjan të identifikohemi me Vetëvendosjen, megjithëse jo në gjithçka, por assesi me ndonjë subjekt turk. Ne do të jemi subjekt absolutisht shqiptar, i krijuar për nevojat tona dhe për mjedisin tonë”, thonë ata.

Megjithëse kanë kontakte të mira miqësore me disa nga figurat qendrore të Vetëvendosjes, ata nuk dëshirojnë të identifikohen plotësisht as me këtë subjekt. Ne, thonë ata, jemi prodhim vendor, prodhim i nevojave tona dhe i fuqisë sonë, njofton Albvizioni.

“Natyrisht, ata që kanë studiuar në shkollën staliniste për ‘agjitacion dhe propagandë’ kujtojnë se me akuzën për lidhje me Turqinë do ta frikësojnë shqiptarin e Maqedonisë dhe ne kemi mirëkuptim për panikun e tyre, por paraqitja jonë në skenë përfundimisht do ta vulosë identitetin tonë, ndërsa edhe ato subjekte që sajojnë këso gjëra do t’i shpie në historinë e turpit”, shprehen ata.

Sipas tyre, ata do të formohen që t’i shërbejnë pikërisht popullit, e jo që t’i shërbejnë Gruevskit e kauzës maqedonase, përfundojnë nismëtarët e subjektit të ri.

“Dhe, për këtë shumë shpejt do të binden të gjithë shqiptarët në Maqedoni dhe më gjerë”, përfundojnë ata.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close