23 vjet pavarësi: Varfëri dhe papunësi – Maqedonia nëpërmjet numrave!

Standard jetësor që vendin e numëron në mesin e vendeve më të varfëra në Evropë, rritje ekonomike e cila nuk arriti të jetë e qëndrueshme me vite të tëra, përqindje dramatike të inflacionit, të cilat gjatë disa viteve ishin shok për qytetarët, mund i madh për tërheqjen e investitorëve, ndërsa efekte të ngadalashme. Pas 23 vitesh pavarësi, problemet e vjetra akoma presin zgjidhje. Maqedonia feston tetë shtatorin, ditën e pavarsimit në vitin 1991. E ndarë ndërmjet tranzicionit, demokracisë dhe marrëdhënieve të brishta ndëretnike, Maqedonia akoma përpiqet të mbetet në rrugën e integrimeve euroatlantike.

“Mendoj se do të jetojmë në ambient pluralist dhe multikulturor, por a do të jetë ai stabil është pikëpyetje, kur dita-ditës shohim se largohemi nga njëri tjetri si në aspekt psikologjik ashtu edhe në atë fizik. Si mund të kemi multikulturalizëm të vërtetë kur kryeqyteti, i cili është zemra e gjithë shtetit, gjithnjë e më shumë ka ngjyrim njëetnik, është qytet i ndarë, dhe bejrutizohet” – thotë për “Portalb”-in, profesori universitar Ali Pajaziti.

Cila është gjendja ekonomike në Maqedoni nëpërmjet numrave?

Papunësi, varfëri, standard…..

Përqindjet jo të qëndrueshme dhe të pamjaftueshme të rritjes ekonomike, gjatë gjithë këtyre viteve nuk arritën që në masë të konsiderueshme ta ndryshojnë pasqyrën për standardin jetësor në vend. Edhe pas 23 viteve të pavarësisë, sipas statistikave evropiane, standardi jetësor në vend është vetëm 35% e mesatares së Bashkimit Evropian. Sipas të dhënave statistikore që janë në dispozicion, gjatë viteve të kaluara përqindja e varfërisë nivelin më të lartë e ka arritur në vitin 2009 kur ka qenë 31,1% ndërsa më e ulët ka qenë në vitin 2011, sipas matjes së re metodologjike në bazë të standardeve evropiane. Ja si ka qenë përqindja e varfërisë gjatë viteve të kaluara:

Tabela 1-Perqindja më e ulur e varfërisë
Tabela 1-Perqindja më e ulur e varfërisë

Përqindje të larta të varfërisë në pako me papunësi të lartë. Rekrutimi i të papunësuarve filloi me tranzicionin dhe privatizimin – pasojat numërohen edhe sot e kësaj dite. Papunësia mbetet problem kyç me të cilin u ballafaqua garnitura në pushtet – por pa gjetur zgjidhje të qëndrueshme për zvogëlimin e saj.

“Është për të ardhur keq që edhe pas pothuajse një çerekt shekulli tranzicion, të cilin disa e quajnë se është me “gabim fabrike”, ne assesi si shoqëri ta kapim trendin e Evropës së parë, akoma ballafaqohemi jo vetëm me varfërinë relativem por paraqitet edhe varfëria ekstreme, absolute, e cila nënkupton luftë për mbijetesë, për një copë buke. Elitat politike ishin ato të cilat e promovuan evropeizimin, demokracinë, shoqërinë liberale, ekonominë e tregut, kualitetin e e jetesës, por për fat të keq, elitat politike u bënë grupe të interesit dhe pastorë të favorizuar, të cilat shumë pak menduan për demosin – popullin” – thotë profesoir Pajaziti.

Pas 23 vitesh pavarësi, sipas të dhënave, në vend ka mbi 272 mijë të papunësuar dhe pak më shumë se 686 mijë të punësuar ose në 2,5 të punësuar ka nga një të papunësuar. Pas vitit 1993, kur përqindja e papunësisë ishte 27,7%, filloi trendi i rritjes, i cili pastaj u zvogëlua ngadalë. Në fakt, në vitin ‘93 është regjistruar edhe përqindja më e ulët e papunësisë. Sipas të dhënave të fundit, në tremujorin e parë të këtij viti, papunësia ishte 28,4%. Ja si ka lëvizur përqindja e papunësisë në vitet e kaluara:

Niveli i papunesise
Niveli i papunesise

Nëse analizohet struktura e papunësisë sipas përkatësisë nacionale, deri në fund të korrikut të këtij viti në Agjencinë për punësim janë paraqitur mbi 13.700 qytetarë të nacionalitetit shqiptar, pastaj 2.000 të papunësuar romë dhe pothuajse numër i njëjtë i qytetarëve me përkatësi nacionale turke. Në krahasim me fundin e vitit të kaluar, numri i qytetarëve të papunësuar të nacionalitetit shqiptar për shtatë muaj është rritur për pesëqind veta. Numër më të madh të të papunësuarve ka në Tetovë, pothuajse 7.000, pastaj vijnë Shkupi dhe Gostivari, ndërsa në vendin e katërt sipas numrit të qytetarëve të papunësuar të nacionalitetit shqiptar është Kumanova.

Pothuajse një çerek shekulli pavarësi, Maqedonia edhe më tej nuk mund të shënojë rritje ekonomike të cilën më në fund do ta ndjenin edhe qytetarët dhe sektori privat. Sipas të dhënave, viti më dështues në aspekt ekonomik ka qenë viti 1993, kur përqindja e PBB-së ka qenë -7,5%, pastaj viti i krizës 2001 me -4,5%. Vite më të mira ekonomike, me rritje më të madhe të PBB-së kanë qenë viti 2008 dhe 2007. Megjithatë, gjatë gjithë këtyre 24 viteve, ekonomia maqedonase nuk arriti të realizojë përqindje më të larta të rritjes ekonomike. Të cilat do ta ndryshonin dukshëm jetesën e qytetarëve. Ja si ishte përqindja e rritjes ekonomike gjatë viteve të kaluara:

Rritja ekonomike
Rritja ekonomike

Të dhënat më të fundit tregojnë se standard më të ulët jetësor kanë qytetarët e rajonit të Pollogut ku në disa qytete shumica e qytetarëve janë të nacionalitetit shqiptar. Kështu, në rajonin e Pollogut, Prodhimi i brendshëm bruto është vetëm 47,3% nga mesatarja në nivel të gjithë vendit. Pason rajoni Verilindor me standard prej 65,2% të mesatares maqedonase. Më së miri jetojnë qytetarët e rajonit të Shkupit dhe atij Juglindor, me PBB për kryebanori më të madh për 44% gjegjësisht 15,6%.

Pas 23 vitesh pavarësi, Maqedonia akoma bën luftë në disa fronte ekonomike dhe politike. E varur nga importi, e lidhur në aspekt tregtar me ekonomitë e fuqishme evropiane, e ballafaquar me probleme serioze në rrethin fqinjësor, me kontest të pazgjidhur të emrit me Greqinë, me çështje të hapura me Bullgarinë, vendi akoma ballafaqohet me përqindje të larta të papunësisë, me popullatë të varfër që jeton në ambient me marrëdhënie të brishta ndëretnike, me kriza politike dhe demokraci që akoma është në testim.  /PORTALB

Lajme të ngjashme

Back to top button