Askush nuk çan kokën për rrezikun që paraqet ura në hyrje të Vranishtës në Strugë (FOTO)

Ura  në  rrugën Strugë-Dibër, në hyrje të fshatit Vranishtë, vazhdon të paraqes rrezik për pjesëmarrësit në trafik dhe për këtë askush nuk po e çan kokën. Ajo ka degraduar tej mase, ndërkohë që nuk dihen arsyet, pse është lënë dhe pse lihet në këtë gjendje.

Pjesëmarrësit në komunikacion shprehen të indinjuar për këtë fakt, por edhe pas një viti që ajo është në këtë gjendje përgjegjësit nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për ta përmirësuar gjendjen. Ata thonë se gjendja do të rëndohet edhe më tani kur do të shtohet  numri i pjesëmarrësve në komunikacion, si pasojë e ardhjes së mërgimtarëve.

Madje, qytetarët duke parë mosinteresimin përgjegjësve për të ndërmarrë diç në këtë drejtim, janë përpjekur që vetë të përmirësojnë diç që mund të përmirësohet, ndaj ndonjëri prej tyre me vetiniciativë ka  hedhur beton mbi urë, i cili aspak nuk është rrafshuar, ndërsa njëra korsi  e urës është plot me gropa të mëdha.

Ata që kalojnë shpesh mbi urë, mbase e dinë rrezikshmërinë që paraqet ajo, dhe e kalojnë shumë ngadalë, por ka të tillë që nuk  e dinë gjendjen e saj, sepse nuk paralajmërohen me asnjë shenjë për këtë, ndaj edhe mund të rrezikohen.

por edhe gjatë kësaj kohe asgjë nuk është bërë në drejtim të evitimit të rrezikut potencial që shkakton gjendja e kësaj ure, për të gjithë ata që kalojnë nëpër të.

Qytetarët ndërkaq, shpresojnë që më në fund do të vihet dorë edhe mbi të, sepse tanimë po punohet për meremetimin e një ure,  në brendi të Veleshtës, e cila gjithashtu  paraqitet në gjendje shumë të keqe, e që nuk është shumë larg saj.

Përndryshe, kjo urë nuk është e vetmja që është lënë në gjendje kaq të keqe, që kur filloi rekonstruimi i rrugës Strugë-Dibër. Në fakt, me rekonstruimin u përmirësua gjendja e kësaj rruge, nga udhëkryqi që lidh Strugën, Ohrin, Dibrën dhe Qafthanën, por u la pa asfaltuar një pjesë e mirë në këtë udhëkryq, që pengon dukshëm komunikacionin dhe dëmton automjetet  pjesëmarrësve në komunikacion. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button