BDI pjesë e marrëzisë “Shkupi 2014”, fajëson të tjerët nga kolltukët e qeverisë

Vendosja e përmendoreve të reja, duket se e ka renduar sedrën e lënduar të BDI-së, e cila sodit si një dëshmitare e kohës, tjetërsimin e qytetit të Shkupit. Kështu shprehet për Portalb, deputeti i opozitares PDSH, Bekim Fazliu i cili thotë se BDI nuk ka asnjë prononcim kundër autorëve të kësaj marrëzie “Shkupi 2014” që vet ia kanë zgjatur jetën me vite deri sa të mbarojë.

Ministrat e BDI sodisin nga dritaret përmendoret e reja dhe fajësojnë të tjerët thotë ai. Gjithçka është lehtë të thuhet nga kolltukët e ngrohta të qeverisë, por është rendë për të vepruar në interes  të ndalimit të kësaj marrëzie që po ndodhë në kohën e BDI-së, shprehet Fazliu.

“Gjithkush e din se tani më pas shtatë vitesh, BDI nuk ka kurrfarë arsye për të akuzuar dikë tjetër për dështimet e saj, ashtu siç është dështimi i radhës me tjetërsimin e Shkupit, të cilën po vëzhgon nga ambientet e ngrohta qeveritare. Në fund të fundit për këtë gëzon pushtetin për të ndaluar projekte të tilla në dëm të shqiptarëve”, thotë për Portalb, Fazliu.

Sipas tij, të gjitha projektet janë kontroverse, por BDI me lehtësinë më të madhe ia mundëson pushtetit realizimin e tyre. Fazliu thotë se më e freskët është rebalanci i buxhetit të cilën BDI e votoi pa kurrfarë ndrojtje.

Neziri: BDI tregon dyfytyrësi
“Është absurde të jesh në pushtet dhe të mos marrësh përgjegjësi për veprimet e pushtetit. BDI aktron pushtet vetëm kur bëhet fjalë për projekte nga të cilat fiton pikë politike. Por, distancohet kur bëhet fjalë për vepra të pushtetit që kritikohen nga opinioni shqiptar. Është një qyqarllëk dhe dyfytyrësi politike e legjitimuar në zgjedhje” shprehet për Portalb, analisti Xhelal Neziri.

BDI, pas shumë viteve në pushtet, akuzon të tjerët për përmendoret e reja. Në komunikatën e saj dhe në prononcimet e përfaqësuesve të saj, flitet sikur projekti Shkupi 2014 është shkruar në librat e shenjtë.

Në komunikatat e saj, BDI dëshmon se nuk mund të bëjë asgjë kundër këtij projekti vetëm se është vendosur një firmë diku në dokumentet qeveritare para shtatë vitesh.

Madje deputeti i saj, Artan Grubi, flet për përmendoret e reja të Shkupit si një marrëzi.

“Unë kam protestuar shumë herë kundër këtij projekti që po ma bën qytetin tim të huaj dhe nuk e kapërdi dot këtë marrëzi dhe përpjekje që nëpërmjet të turbo-historisë dhe falsifikimit të trashëgimisë të ndryshohet e vërteta e kryeqytetit të Dardanisë dhe të vilajetit të Kosovës. Tash, në këto rrethana, kur e gjithë kjo u bë realitet dhe ne e shohim me sy, pak rëndësi ka përkrahja e PDSH-së për këto përmendore si dhe për projektin Shkupi 2014, pak rëndësi ka që të gjithë protestojnë në Facebook ndërsa kur rrënonim gardhet e këtij projekti nuk na bashkëngjit. Vetëm marrëzia dhe universi nuk kanë fund edhe pse për këtë të dytën nuk jam shumë i sigurt, ndërsa për të parën po bindem çdo ditë me projektin Shkupi 2014 dhe përmendoret që po mbijnë si kërpudha në vend të kanalizimit mbas shiut që po vërshon çdo ditë rrugët tona”, shkruan në Grubi, i cili prononcimet i bën në Facebook e aspak për mediat. /Portalb

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Ky eshte kulmi kta jan perfida te pa ftyr.Kta jan ata te cilet luftuan per drejta nuk luftofet per drejta e drejta meret, kta jan ata te cilet luftuan per liri dhe humben te drejtat

Back to top button