“Horizont”: Të gjithë të papunët të marrin para nga shteti

Në Maqedoni ka persona të cilët nuk marrin as rrogë e as pension si dhe asnjë lloj kompensimi tjetër prandaj është e nevojshme që  të ndërhyhet në Ligjin për mbrojtje sociale i cili edhe përkundër ndryshimeve të fundit nuk i jep mbështetje të drejtës për jetë si e drejtë themelore e njeriut. Këto ndryshime i kërkoi sot organizata jo-qeveritare “Horizont” e cila propozon që në kushtetutën e Maqedonisë që aktualisht është duke u ndryshuar, të futet një nen me anë të së cilit do të garantohen tre të drejtat sociale.

“Në kushtetutën tonë, e drejta për të jetuar është vetëm e shkruar dhe mbetet një përkufizim pa mbështetje reale. Andaj, kërkojmë tre ndryshime dhe atë: Në Kushtetutë të futet neni për të drejtën e kompensimit në para për shkak të papunësisë për personat nga18 deri më 65 vjet. Të futet e drejta për pension social për personat që nuk mund të marrin pension as në bazë të përvojës së punës as në bazë të pensionit invalidor të cilët kanë 65 vjet. Si dhe kërkojmë që të garantohet e drejta për kompensim në para në raste të sëmundjeve apo invaliditeti dhe personat që kanë pësuar të mund të marrin 70% nga rroga mesatare në vend” shkruhet mes tjerash në kumtesën e OJQ “Horizont”.

Përfitimi kryesor nga këto ndryshime është se do të sigurohet e drejt sociale dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë do të shndërrohen në persona që marrin mjete financiare të rregullta mujore me anë të së cilave do të mund të jetojnë në mënyrë dinjitoze, thonë nga kjo OJQ.

Propozim ndryshimet ia kanë dërguar kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë si dhe komisioneve përkatëse, kryeministrit, presidentit, ministrit për punë dhe politikë sociale si dhe partive VMRO-DPMNE, LSDM, BDI, PDSH e tjerë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button