‘Lulesyri’, libri mi i ri i Puntorie Muça Ziba, në dorë të lexuesit

Këto ditë doli nga shtypi libri me poezi “ Lulesyri” i autores Puntorie Muça-Ziba. Në këtë libër janë përfshirë edhe disa poezi të përkthyera në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën angleze.

Botimin e këtij libri, të njëzetë e pestin me radhë të saj, e ka mundësuar për botim Ministria për Kulturë e R. së Maqedonisë. Poezitë janë sistemuar në dy cikle: “ Një portë” dhe “ Vargje hënë e diell”.

Nga vargjet e këtij libri buron cilësi e cila e josh dhe e mahnit lexuesin artdashës, nëpërmjet tyre nënkuptohet fati tragjik i shqiptarëve kudo që jetojnë në tërë rruzullin.

Në lirikat sublime hasim një kolorit motivesh përmes të cilave përjetojmë bindshëm realitetin i cili perceptohet lehtë nga vargu në varg të radhitura me freskinë mëngjesore dhe me bukurinë hyjnore . 

Në qendër të ndjeshmërisë së shpirtit të poetes sonë është njeriu shqiptar, është zëri i së kaluarës së hidhur dhe zëri shpresëdhënës i autores. Poezitë e kësaj autoreje janë plot shpirt kombëtar. 

Nivelet e larta të mendimit dëshmojnë se bëhet fjalë për një poete bashkëkohore , të thellë , fisnike dhe me shprehje të fuqishme.

 Nju Jork hijerëndë

unë brenda hirit tënd të trëndafiltë
eci me sy të ndezur
trotuareve,
mbi gjurmët e Sylvia Plath,
si çupëlinë e trembur
futem në ankth
nga kjo bukuri e hirtë
që e kërcënojnë të katër stinët 
brenda një muzgu.
Lulegjethet e tua
dridhen nga mnera
si gurbetqarët e mi,
nga koloriti sterrë
i Atlantikut gojë çaraveshur…

Poetja dëshmon se është zë, është zëri i së ardhmes, si do të thoshte Gabriel S. se poezia është armë e mbushur me të nesërme.

Poezitë nga gjuha shqipe i ka përkthyer poeti Ilir Hajdini ,kurse nga gjuha shqipe në gjuhën maqedonase Z. Rajmonda Mojsiu.

Përkthimi i këtij libri pas librit “Suita ime”- “Mojata Svita” paraqet edhe një hap në afrimin e kulturës maqedonase e më gjerë, me atë shqiptare”.

Xheladin M.

Lajme të ngjashme

Back to top button