Sela: Jemi në rrugë të mbarë, në tetor Këshilli qendror më pas Kongresi

Lëvizja për reformim të PDSH-së i afrohet konsolidimit të plotë, duke paralajmëruar formimin e Këshillit Qendror në tetor. Iniciatori i kësaj lëvizje, Ziadin Sela, kryetar aktual i Strugës thotë për Portalb se në dhjetor do të mbahen zgjedhjet brenda PDSH-së në Kongresin e partisë që do ta organizojë ai dhe sipas tij, në Kongres do të mund të ballafaqohen dy strukturat legjitime të PDSH-së, ajo e Selës përkundër asaj të Thaçit.

Për Selën nuk paraqet vështirësi për të takuar dy strukturat e partisë në këtë Kongres ku mund të konkurrojë edhe Menduh Thaçi për lider. Ai me bindshmëri thotë se lëvizja e tij është në rrugë të konsolidimit dhe shkrirjes së plotë edhe në degë dhe nëndegë tjera të partisë ndërsa paralajmërimet e Thaçit për një Kongres paralel bëhen sidomos pas kalimit të degës së Haraçinës në lëvizjen për reformim të PDSH-së.

“Në kuadër të këtij procesi degët duhet të fitojnë autonomi dhe për ndryshim nga Menduh Thaçi, goja se ka shpallur zgjedhje për Kongres, siç duket këtë e bëri që të mos ketë struktura që thirren në degët dhe nëndegët, sidomos kur dega Haraçinës kaloi në lëvizjen për reformim dhe në mënyrë që të tangoje një fenomen të tillë vrapoj të shpall zgjedhjet për Kongres”, thotë për Portalb, Ziadin Sela.

Sela thotë se ka një dallim mes dy strukturave të partisë PDSH. Lëvizja që për momentin e udhëheq , shprehet ai, është gjithëpërfshirëse e jo përjashtuese duke u nisur nga nëndegët dhe degët dhe duke përfunduar me zgjedhjen e kryetarit, ndërsa struktura tjetër shoqërohet vetëm nga disa persona të cilët refuzojnë që të dale në dritë shpresa për fitore.

“Partia dhe strukturë partie është anëtari i thjeshtë, është baza e saj, ato të cilët për 20 vite përkrahën PDSH-në dhe nuk e materializuan të njëjtën janë shumë më tepër se sa lideri aktual i PDSH-së, kushdo qoftë funksionari  i saj, prandaj nuk bëhet fjalë për vështirësi të grumbullimit të dy strukturave në një sepse është vetëm një strukturë e cila kërkon reformën dhe kjo strukturë është baza e PDSH-së. Ndërsa janë vetëm disa pashallarë të cilët refuzojnë që të dale në dritë kjo shpresë për fitore me të vetmin qëllim mos prishjen e rahatllëkut të tyre. Lëvizja për reforma është një lëvizje përtej interesave personale, kjo vërtetohet me vetë faktin  që këtë lëvizje e luftojnë njëjtë edhe Menduh Thaçi edhe e Ali Ahmeti”, thotë Ziadin Sela.

Sipas tij, në Kongres do të bëhen edhe ndryshimin statutare të partisë në mënyrë që kurrë më të mos të ndodh që dikush të mbajë peng partinë siç ndodh tani.

“Një ndër risitë do të jetë mbajtja e kongreseve pas çdo zgjedhje edhe dhe shumë risi tjera në të cilët nëse partia humb zgjedhjet me automatizëm kryetari dorëhiqet, Gjatë kësaj periudhe me partinë do të udhëheqë kryetari i Kuvendit Qendror deri në zgjedhjen e një kryetari tjetër”, thotë Sela. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button