Asgjëja dhe hiçi

Për të mos u mashtruar nga titulli më duhet që në fillim të sqaroj se kjo nuk është asnjëfarë traktati nihilist i ndonjë filozofie dëshpërimi, por vetëm shkrim mbi shtetin në vigjilje të festimit të njëzet e tre vjetorit të saj. Shtet ku ka shumë dëshpërim, shumë pak filozofi dhe ku hiçi dhe asgjëja vazhdojnë në korrelacion me njëra tjetrën të ekzistojnë, por duke bërë dëm dhe aspak dobi. Kjo pasi edhe dobia e padrejtë është vetëm dëm.

Për të sqaruar më tej titullin e për të konstatuar hiçin na duhet të përmendim asgjënë, pra gjithë atë që i mungon këtij shteti. Ky shtet nuk ka emër zyrtar. Së paku jo ndërkombëtar, të evidentuar deri më tani në regjistrin e vetëm të emrave të shteteve në OKB ku ende ka titull punues FYROM. Nuk ka himn, flamur dhe festë të pranuar politikisht nga gjithë qytetarët e saj. Ajo ka një himn të trashëguar, disa festa nacionale dhe një flamur të zgjedhur në konkurs, por gjithë këto ende nuk kanë marrë pëlqimin ose votimin politik të një pjese të konsiderueshme të qytetarëve të saj, para të gjithëve atyre shqiptarë. Tani edhe kur së fundmi u ndryshua kushtetuta ende pas njëzet e tre vjetëve nuk u gjet vullnet dhe guxim politik që këto çështje të trajtohen. Ende mbetet konstatimi i dhënë shumë vjet më parë nga filozofi i këtushëm, Ferid Muhiç, se problemi numër një për momentin dhe gjatë tërë viteve pavarësi të këtij shteti është “mungesa e principit konstituiv të Maqedonisë, të pranuar dhe të respektuar nga të gjithë… mungesa e principit të saj themelor konstituiv të cilin qytetarët nëpër gjenerata e kanë si ideal të vetin dhe si obligim, kurse pushteti nëpër të gjitha ndryshimet e respekton si përcaktim të vetin themelor”

Por, për të gjet se pse ndonëse asgjëja rin në vend hiçi përparon dhe vetëm sjell dëm për qytetarët e saj, na duhet të përmendim dy arsye. E para është se përkundër asaj se Maqedonia tani dymbëdhjetë vite nuk as regjistrim të popullatës, përkundër krejt gjërave tjera që i mungojnë, ajo ka kufij, ligje, armatë dhe polici që i mundëson të ushtrojë sovranitet, sa për ti thënë vetes shtet, ose së paku sa për ti sunduar qytetarët e vet. Qytetarë të cilët janë bartës të atij sovraniteti, por që shumë nuk përmendet në këtë shtet. Këtu sjellja e pushtetit është se qytetarët ekzistojnë për te dhe jo ai për to. Andaj ata mund edhe të ikin dhe emigrojnë, siç në fakt edhe janë duke bërë tërë këtyre viteve qytetarë nga gjithë etnitë. Se sa është përqindja e saktë e zbrazjes nuk e dimë, pasi siç edhe u cek, nuk ka regjistrim.

Arsyeja e dytë është se me kalimin e kohës hiçi përparon. Ndonëse nga asgjëja duket se nuk ekziston ai ekziston dhe vetëm me të qenurit, kohën, mbajtjen e zgjedhjeve pa regjistrim të popullatës, ec dhe ja kështu i kalon mbi dy dekada histori politike. Tani më kjo është një afat kohor ku padija dhe asgjëja vetëm në saje të kalimit të kohës pretendojnë në vërtetësi. Ashtu në artikulim politik tani më vetëm shkaku i kalimit të kohës paraqet problem të artikulohen disa të vërteta historiko-politike të pamohueshme për këtë shtet. Se ky shtet në paraqitjen e parë politike në histori si pjesë e federatës jugosllave ka qenë njësi konstituive e maqedonasve, shqiptarëve dhe turqve. Se ata shqiptarë dhe të tjerë që nuk kanë votuar referendumin e pavarësisë në 1991 këtë e kanë bërë edhe ngase pyetja ka qenë dykuptimëshe me mundësi të bashkëngjitjes ndonjë federate jugosllave dhe jo thjesht për pavarësi. Se ky flamur shtetëror tani është miratuar në një konkurs dhe mandej bile i ndryshuar në qeveri pa qenë i votuar në parlament nga shqiptarët. Të gjitha këto të vërteta tani nëse thuhen dhe artikulohen nga qytetarët shqiptarë dhe të tjerë u duken qytetarëve nga shumica, sipas regjistrimit të fundit, si një gjë interesante, por shumë e rrallë dhe e panjohur. Tani ata që kanë lindur në vitin 1991 i kanë mbushur njëzet e tre vite dhe njëri prej tyre bile është bërë ministër në qeveri?! Si të artikulohen këto të vërteta pas aq shumë kohe të kaluar në një huti ku dikush kujton se ky shtet i takon vetëm një feje ose etnie, qytetarët tjerë janë pak ose të ardhur?!

Ndërkohë hutia vazhdon të artikulohet prej asgjëje në hiç dhe ashtu fillimi i vitit shkollor i gjen nxënësit e këtij vendi të nisin javën me intonim të himnit dhe ngritjes së flamurit, asnjëherë të votuar nga prindërit e vet. Padija dhe padrejtësia sjellin vetëm dëm. Maqedonia vazhdon ta vërtetojë këtë. Urime 8 shtatori!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button