Strugë, të punësuarit në dializë, kërkojnë takim me ministrin Todorov

Të punësuarit në Institutin e Nefrologjisë në Strugë, kanë kërkuar sot  në mënyrë publike takim me ministrin Todorov, në mënyrë të mos nënshkruhet ndonjë marrëveshje për dhënien me koncesion të këtij Instituti apo të ndonjë pjese të tij, pa u sqaruar dhe pa u konsultuar me njerëz profesionistë, të kësaj fushe.

Kërkesa publike për ministrin ka ardhur pasi ai nuk i është përgjigjur letrës që Këshilli profesional i këtij Institucioni Shëndetësor, i kishte drejtuar paraprakisht atij, nëpërmjet së cilës ata kërkonin ndalimin e procedurës për dhënien në koncesion të tij. 

“Kemi kërkuar mënyrë publike takim apo bisedë me  ministrin, që të na sqarohet dhe mundësisht mos nënshkruhet marrëveshja  e koncesionimit për spitalin tonë, i cili nuk është për nga funksioni si qendrat tjera, ku kryhet vetëm dializë, sepse këtu kryhen edhe shumë veprimtari tjera përveç dializës. Këtu bëhet diagnostifikimi para dializës dhe përgatitja e pacienteve për dializë. Këtu ofrohen shërbime , të cilat nuk ofrohen në asnjë spital tjetër të këtij lloji në vend, përveç se nëpër klinika”, thotë Dr. Asim Musa për Portalb.

Ai, duke shprehur qëndrimin edhe të të punësuarve tjerë të këtij Institucioni thekson se në bisedë me ministrin, por edhe me profesionistë të tjerë të kësaj lëmie, duhet të sqarohet nëse duhet që të jepet në koncesion,  Instituti për Nefrologji i Strugës, apo një pjesë e tij dhe nëse gjykohet se është mirë që të jepet, atëherë kjo edhe mund të bëhet, por gjithsesi pas vlerësimit të çështjes edhe nga profesionistë të kësaj fushe. Musa, pohon ndërkaq se të punësuarit në këtë institucion nuk janë pyetur fare  për mundësinë e dhënies me koncesion të tij. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button