A shiten vizat e Haxhit?

Një qarkore e Bashkësisë Fetare Islame së Maqedonisë (BFI), që ngërthen kushtet dhe çmimin e haxhit për vitin 2014, kishte arritur më 16 qershor të po këtij viti në zyrat e muftinive në mbarë vendin. Një lajm jo i mirë për besimtarët që kanë planifikuar të vizitojnë Mekën dhe Medinën e Arabisë Saudite, vende këto të shenjta për pjesëtarët e fesë islame. Aranzhmani i Haxhit këtë vit ka arritur çmimin prej 3200 euro. Nëse në vitin 2003 paguhej 950 euro, atëherë rezulton se për 11 vite aranzhmanet janë shtrenjtuar për 2250 euro.

“Rijaseti i BFI-së, duke u bazuar në nenin 3 pika 17 e Kushtetutës  së BFI-së, si ëdo here edhe këtë vit organizon udhëtim për kryerjen e kushtit të pestë islam – haxhit.  Çmimi i një aranzhmani për kryerjen e Haxhit, përmes vijës ajrore është 3.200 euro, ndërkaq me çmim përfshihen këto shërbime: viza dalëse, procedura administrative për marrjen e vizës së haxhit, vaksinimi dhe mbrojtja shëndetësore, biletat…”, thuhet mes tjerash në qarkoren e BFI-së.

Ligji i bashkësive fetare dhe grupeve religjioze parasheh që BFI-ja të jetë bashkësia e vetme fetare që mund të dërgojë njerëz nga Maqedonia në haxhillëk, ndërkohë që Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) duhet të sigurojë viza dalëse për qytetarët e saj që udhëtojnë drejt Arabisë Saudite, por vetëm me pëlqim paraprak të kësaj bashkësie fetare.

 

A SHITEN VIZAT E HAXHIT?

 

Pagesat për vizat dhe bashkëpunimi i BFI-së me Qeverinë kanë nxitur debat dhe kritika në opinion, duke akuzuar bashkësine fetare islame për bërje biznes lukrativ me haxhin. Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) nxjerr në sipërfaqe akuzat për shitjen e vizave dhe përifim nga lidhjet e ngushta të BFI-së me qeverinë.

“Disa njerëz brenda qeverisë dhe komunitetit mysliman kanë deklaruar se BFI gjithashtu ka përfituar nga lidhjet e ngushta me qeverinë. Si shembull, ata përmendën dhënien e përgjegjësisë së drejtpërdrejtë BFI-së, për ndërlidhje me zyrtarët konsullorë të Arabisë Saudite për lëshimin e vizave për haxhillëk. Këta individë deklaruan se kjo e drejtë i ka mundësuar BFI-së që të marrë taksë shpërpjesëtimore në vlerën përafërsisht 400 euro ($551) që të lejojë aplikimet për viza për pjesëmarrje në haxhillëk, të cilat janë pa pagesë nga Arabia Saudite”, thuhet në Raportin e DASH-it.

Ky informacion për shitje të vizave u shpërnda nga mediet lokale dhe ka arritur në veshët e shumë haxhinjëve.

 “Nëse është e vërtetë, marre t’iu vjen…”, tha haxhi Bajram Zendeli nga Tetova, duke mos dashur të komentojë më shumë. Ai thotë se ka vizituar Mekën dhe Medinën në vitin 2010 dhe ndjehet i zhgënjyer se në mënyrë të padrejtë i janë marrë para për vizat që kanë qenë gratis. Në pasaportën e tij ende është e ngjitur viza, ku afër fotografisë është e shënuar në anglisht “Viza e Haxhit, Pa pagesë”.   

 

Por, sekretari i BFI-së Afrim Tahiri, i hedh poshtë si të pavërteta akuzat për shitje të vizave.

“Është e vërtetë sa ka kritika për vizat e haxhit. Por, BFI nuk merr të holla për vizat por për shërbimet që ajo i bën. Për organizimin e Haxhit BFI e Maqedonisë punon plot një vit, kurse më me intenzitet punohet gjatë muajit të Ramazanit dhe gjatë kësaj periudhe”, thekson ai.

Agjencitë turistike që shesin aranzhmane për në haxh thonë se gjithëçka varet nga BFI-ja. Nëse BFI vendos që të mos marrë para për vizat, atëherë çmimi i aranzhmaneve do të bjerë për 400 euro. Kjo, sipas tyre, do të ishte e mirëpritur nga shkaku se do të riste interesimin e qytetarëve për të shkuar në haxh, gjë që do të shtonte edhe punën e agjencive.

Por, Tahiri nga BFI thotë se organizimi i haxhit është një punë e lodhshme dhe që kushton.

“Ne Haxhin e organizojmë në përputhshmëri me ligjet, me Kushtetutën e BFI-së dhe me marrëveshjen që kemi ne me Ministrinë e haxhit të Arabisë Saudite. Në bazë të dispozitave të veta, BFI në çdo 25 haxhinj delegon një udhëheqës, në çdo 50 një mjek kurse mesatarisht në çdo 17 haxhinjë ne kemi një njeri që kujdeset për to”, thekson ai.

Sipas Tahirit, informacionet se BFI fiton nga 2 mijë euro prej çdo haxhiu nuk është e vërtetë.

“Ne jemi transparent dhe themi se BFI këtë vit Haxhin e organizon nga 3200 euro. Haxhi nuk është obligim fetar për secilin besimtar por për ato që kanë gjendjen e mirë materiale. Çmimet tona janë të ngjashme me ato të vendeve tjera të rajonit, por kemi edhe vende si Sllovenia ku haxhi kushton 3850 euro, ose në Turqi ku kemi axhillëk me 2700, 3000 apo edhe VIP aranzhmane me 17000 euro”, shprehet ai.

Tahiri thotë se në adresë të BFI-së nuk ka pasur asnjë ankesë me shkrim nga ndonjë besimtar apo dikush tjetër lidhur me organizimin e haxhit. “Në këtë drejtim nuk ka asnjë problem veç se dikush dëshiron të krijojë artificialisht”, shtoiTahiri.

Nga ana tjetër, eksperti i çështjeve fetare në Maqedoni, Ramadan Ramadani, tha se arsyetimet e BFI-së për skandalin e vizave janë edhe më skandaloze.

“Kjo pasi tentohet të bëhet legalizimi i një haraçi ordiner, i cili tani më u faktua në nivelin më të lartë – në një raport ndërkombëtar për liritë fetare”, theksoi ai.

Sipas tij, sqarimet anashkalojnë pjesën ku “dikush në BFI u shet viza agjencive turistike” dhe flitet vetëm për ato pak haxhinjë që shkojnë nën organizimin e drejtpërdrejtë të BFI-së.

“Por, numri i atyre që shkojnë nëpërmjet agjencive turistike është gjithmonë më i madh. Pikërisht për këtë arsye janë pikërisht agjencitë ata që bartin harxhimet për personelin dhe harxhime të tjera shtesë”, tha Ramadani.

 

ÇMIMET E JOREALE

 

Çmimi i haxhit mund të jetë shumë më i ulët në rast se organizohet individualisht nga secili haxhi. Nëse merren parasysh distanca, kushtet dhe kohëzgjatja e qëndrimit nëMeka dhe Medina, rezulton se mund të sigurohet një aranzhman më i lirë nepërmjet faqeve të Internetit për rezervime të hoteleve dhe fluturimeve. Qëndrimi në hotelet me tre yje në Meka për 21 ditë, aq sa zgjat haxhi, lëviz nga 900-1000 euro për një dhomë. Nëse kësaj i shtohet edhe bileta kthyese me autobus deri në Stamboll prej 60 eurosh dhe bileta kthyese e avionit Stamboll-Meka prej 500 eurosh, në udhëtimi dhe qëndrimi në total rezulton të jetë 1560 euro.

Në BFI nuk dëshirojnë të tregojnë sa është fitimi nga pagesa e procedurës për marrjen e vizës së haxhit. Por, deri te një shifër e përafërt mund të arrihet nëse kalkulohet numri i haxhinjëve apo vizave të lëshuara nga ana e BFI-së. Nëse Maqedonia dërgon nga 1200 haxhinjë në vit, atëherë përfitimet nga vizat rezultojnë të jenë 480 mijë euro në vit.

Sekretari i BFI-së Tahiri thekson se BFI merr një shumë vetëm për shërbimet, por jo për vizat. Ai është i bindur se “të gjithë e dinë se profiti që ngelet nga ky organizim shkon për nevojat e Medresesë “Isa Beu”, për nevojat e nxënësve të cilët falas shkollohen në institucionet tona arsimore”.

Sipas tij, BFI i ka siguruar vaksinat për haxhinjtë si donacion nga Turqia, e cila ia dhuron Byrosë se Barërave të Maqedonisë. Por, tha ai, “kjo Byro neve na merr nga 50 euro për çdo haxhi me pretekstin se këto janë për shërbimin e kryer”.

“Nëse institucionet shtetërore për dhënien e një vaksine marrin nga 50 euro, atëherë pse qenka e ndaluar që BFI të ketë përfitim nga shërbimet e veta që ua ofron haxhinjëve gjatë gjithë kohës së Haxhit?”, pyet Tahiri duke shtuar se“të kota janë orvatjet e disave që të krijojnë probleme midis BFI-së dhe të interesuarëve për të shkuar në haxh”.

Edhe Ramadani, ndërkaq, pranon se edhe në vendet fqinje ka taksë për shërbimet për marrjen e vizave, por se për dallim prej asaj që paguhet në Maqedoni është shumë më e vogël dhe gjithnjë e evidentuar.

“Në Maqedoni askush nuk lëshon dokument për këto 400 euro për haxhi që i merr dikush në BFI. Mendoj se kjo skemë duhet të trajtohet nga organet shtetërore pasi këtu ka zhvatje të pasurisë të qytetarëve të Maqedonisë dhe krejt veprat e mëtejme që mund të burojnë nga kjo si: krim i organizuar dhe ikje nga pagesa e tatimit”, vlerësoi Ramadani.

 

TË HYRAT E BFI-së

 

Sa në të vërtetë janë të hyrat dhe të dalat vjetore në arkën e BFI-së? Bashkësitë fetare në Maqedoni gëzojnë një lloj autonomie financiare kur bëhet fjalë për kryerjen e shërbimeve fitimprurëse.  Afera të shumta finansiare kanë dridhë bashkësite fatare, por asnjëra nuk është hetuar deri në fund. BFI dhe Kisha Ortodokse Maqedonase (KOM) janë institucione publike, por jo edhe obligues tatimorë.

Ramadan Ramadani nuk pajtohet që institucionet fetare të lihen që të punojnë të privilegjuara nga institucionet, derisa qytetarët dhe kompanitë paguajnë tatime për çdo transaksion apo aktivitet fitimprurës.

“Mendoj se edhe bashkësitë fetare duhet të jenë objekte trajtimi nga ana e organeve kompetente. BFI dhe KOM tani më kanë qenë të përfolura edhe në afera me shuma në miliona euro, sikur vizat e haxhit të BFI-së dhe hotelet e KOM-it. Njëri nga funksionet e shtetit është mbrojtja e qytetarëve nga zhvatja e pasurisë së tyre, qoftë kjo edhe kur dikush bën këtë në emër të fesë”, theksoi ai.

Tentimi i shtetit për të fiskalizuar edhe transaksionet e organizatave fetare kanë rezultuar pa sukses.

Si institucione, sipas Ligjit të kontabilitetit të organizatave jofitimprurëse, janë vetëm të obliguara që çdo fundviti fiskal të dërgojnë raportin nga bilansi i gjendjes dhe bilansi i suksesit. SCOOP erdhi te dokumenti zyrtar ku nuk shihet asnjë numër që ka të bëjë me të hyrat dhe të dalat e këtij institucioni.

“Subjekti nuk ka dorëzuar llogari vjetore ose lajmërim se nuk ka pasur aktivitet afarist gjatë vitit 2013”, theksohet nëdokumentin e marrë nga Regjistri Qendror i Maqedonisë.

 

Ndërkohë, SCOOP arriti të sigurojë disa dokumente zyrtare të muftinive ku planifikohet buxheti vjetor dhe bëhet bilansi. Siç vërehet në dokumentin për vitin 2012 të njërës nga muftinitë, burimet e të ardhurave që planifikohen janë: 300 mijë denarë nga taksta fetare, 45 mijë nga taksat administrative, 350 mijë nga fitrat, 320 mijë nga zeqati, 150 mijë nga fitrei qefaret, 5.1 milionë denarë nga dhënia me qira e objekteve të muftinisë, 135 mijë nga lëkurat e kurbaneve, 16 mijë nga literatura fetare, 1.2 milionë denarë nga intervenimi, 200 mijë nga ndihmat vullnetare, 850 mijë nga parkingu, 5.5 milionë denarë nga sponzorët e ndërtimit të medresesë dhe 7.8 milionë denarë nga bilanci pozitiv nga viti 2011. Të ardhurat e planifikuara nga haxhi për të njëjtin vit, vetëm kjo muftini, kishte paraparë 512 mijë denarë. Por, nga realizimi shihet se nga 101 haxhinjtë e kësaj muftinie janë realizuar të hyra mbi 730 mijë denarë.

Kjo i bie se në vitin 2012 fitimi i dokumentuar nga një haxhi ka qenë afër 7300 denarë, apo 120 euro. E njëjta muftini në vitin 2013 nga haxhi ka fituar afër 847 mijë denarë ose afër 14 mijë euro, të cilat janë të dokumentuara.

Derisa nga institucionet fetare kërkohet më shumë transparencë, shteti është duke shqyrtuar format se si t’i fiskalizojë aktivitetet e tyre fitimprurëse. Në rast se ndodh futja tyre në sistemin tatimor të vendit, mbase do të prishet afërsia me qeverinë, e apostrofuar në raportin e DASH.

Për Ramadanin kjo është pjesa më e rëndësishme e storjes: “kush lejon që në emër të pushtetit në Maqedoni të mundësohet vjedhja e mijëra haxhinjve në Maqedoni, e që përsëritet tani disa vjet”./ Inbox7

 

Lajme të ngjashme

Back to top button