Samiti i NATO-s në Uells, kritika Rusisë

Samiti historik i NATO-s në Uells, i mbajtur në një kohë trazirash globale, ka dhënë disa nga mesazhet e para që mbajnë firmën e liderëve botërorë. Mes shumë diskutimesh dhe fjalimesh, udhëheqësit perëndimorë i kanë dhënë shumë peshë çështjes së grupit terrorist ISIS në Lindjen e Mesme, si dhe konfliktit të Ukrainës. 

Duke u ndalur tek kjo e fundit ishte presidenti Petro Poroshenko ai që bëri një prezantim të krizës që ka pushtuar vendin e tij, duke  përshkruar një tablo të qartë të luftrave atje. Bazuar në zhvillimet e këtyre muajve në Ukrainë, presidenti amerikan Barack Obama u shpreh i gatshëm për të ofruar ndihmë.

“Ne duam të dërgojmë një mesazh të qartë për Ukrainën, se e mbështesim dhe premtojmë se do të dërgojmë avionë amerikanë shtesë në kufirin e saj me Rusinë, me qëllim mbrojtjen e sovranitetit të vendit”, deklaroi Obama.

Por nga ana tjetër, liderët botërorë u shprehën se, nëse Rusia reagon pozitivisht ndaj kritikave duke ndryshuar kurs, atëherë sanksionet ndaj saj do nisin të zbuten. Aktualisht flitet për një armëpushim të mundshëm i cili u diskutua mes Poroshenkos, Obamës, David Cameron, Francois Hollande, Angela Merkel dhe Matteo Renzit e që mund të firmoset ditën e premte mes qeverisë së Kievit dhe Moskës.

Por nëse situata vazhdon të përshkallëzohet, atëherë NATO ka një plan të qartë jo vetëm për rritjen e sanksioneve ndaj Rusisë, por edhe për ndërhyrje ushtarake në rast nevoje. Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Anders Fogh Rasmussen tha se ky është një moment shumë i rëndësishëm për sigurinë ndërkombëtare.

“Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka qenë një alarm zgjimi. Ne do të miratojmë një plan veprimi gatishmërie që do t’i bëje forcat tona më të shpejta, më fleksibël, si edhe me të gatshëme për të mbështetur çdo sfidë sa herë që vjen dhe nga kushdo. Vendimet që ne po ndërmarrim janë shume të rëndësishme për të mbajtur lidhjet jetike midis Evropës dhe Amerikës së Veriut dhe për të ndihmuar në ndërtimin e stabilitetit në një botë tashme të rrezikshme”, deklaroi Rasmussen.

Më tej kryeministri britanik David Cameron, si mikpritës i samitit, u tha të pranishmëve se momenti solemn i takimit do t’u japë një zgjidhje të mirë prioriteteve ndërkombëtare.

“NATO është një spirancë sigurie dhe ne jemi fokusuar për t’i dhënë rrugë zgjidhjes së krizës së Ukrainës. Edhe pse Putin po bën shumë zhurmë, ne do ta arrijmë paqen”, tha Cameron. Blloku transatlantik i mbrojtjes po vazhdon me diskutime për sfidat që kanë përfshirë botën. / Top Channel 

Lajme të ngjashme

Back to top button