Google sjell telefon të mençur 100 dollarësh

Kur të gjithë presin me padurim daljen e të kushtueshmit iPhone 6, Google përgatit nxjerrjen e një telefoni më ekonomik. Ende nuk është e sigurt, por duhet ta prezantojë më 15 shtator dhe do të quhet Android One, pikërisht për të theksuar pikënisjen e një game telefonësh Android, që aktualisht shkojnë deri në 700 euro. Në këtë rast, çmimi do të jetë rreth 100 dollarë, më pak se 76 euro. Mund të thuhet se ky prototip nuk është nga ata për t’u injoruar, pavarësisht çmimit të tij.

Në bord duhet të ketë një procesor quad core (flitet për Mediatek), një ekran 4 inçësh, 1 gigabajt RAM dhe një fotokamerë prej 5 megapixel. Bateria prej 17000 mAh duhet të lejojë një ditë përdorim të vazhdueshëm. Ndërkaq, mundësia për të futur dy karta SIM e shndërron në një telefon vërtet interesant, pse jo për të shfrytëzuar ofertat e përkohshme të operatorëve mobilë.

Aktualisht, ky telefon është i destinuar veç për në Indi, aty edhe ku do të prezantohet fillimisht. Por, edhe në këtë drejtim tregu do të jetë i vështirë, pasi aty prej kohësh ka lëvizur Nokia, mbretëreshë e celularëve, që së fundi ka hedhur 130-shin, duke vazhduar një rrugë të braktisur vite më parë. Po ashtu aty operon edhe Mozilla, që ka lansuar Intex Cloud FX me vlerë 25 euro.

Lajme të ngjashme

Back to top button