Kembrixhi, librat e vjetërsuara dhe gabimet skandaloze do të shoqërojnë nxënësit këtë vit

Librat e matematikës dhe shkencave natyrore sipas programit të Kembrixhit kanë filluar të shpërndahen në shkollat, mirëpo ankesat e drejtorëve dhe prindërve janë tek librat që tani më pesë vite janë në përdorim.

Kualiteti i dobët dhe përmbajtja e tyre skandaloze janë disa nga ankesat e shumta që bënë drejtorët, arsimtarët dhe prindërit shqiptarë, mirëpo ato nuk largohen edhe këtë vit, kurse nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës ende nuk përgjigjen lidhur me këtë çështje.

“Librat e rinj kanë filluar të vinë, edhe pse ende nuk a janë kompletuar. Mirëpo problemi qëndron tek klasat tjera ngase tekstet shkollore janë ë shkatërruara dhe që nga viti i kaluar duhej të ndrohen. Nga katër vite e bënë pesë vite dhe tani si duket e kanë shtyrë për gjashtë. Me këto libra nuk mund të mësohet më po ja s’kemi çfarë të bëjmë”, tha për Portalb drejtori i shkollës fillore “Liria”, në Shkup.

Nuhi Dardhishta, kryetar i LASH-it, tha kohë më parë për Portalb se autorët shqiptarë janë të bllokuar nga vetë fakti se këto marrëveshje kanë mbyllur konkurset e autorëve vendas.

“Ky është një lloj diskriminimi si për neve shqiptarët ashtu edhe për maqedonasit. Pse të merren libra nga jashtë? Ata ndoshta janë shumë të mirë mirëpo neve nuk kemi kushte që të punojmë me to. Shkaku i këtyre marrëveshjeve, MASH ka mbyllur konkurset për autorët dhe në këtë mënyrë askush nuk mundet të jep programet e tyre të cilat mund t’i kenë realizuar në tekst shkollor”, theksoi Dardhishta.

Po ashtu edhe kryetari i LASH-it të Kumanovës, Etem Xheladini shprehet se shkollat e Maqedonisë nuk kanë kapacitet të punojnë me libra nga një universitet me renome botërore, ai si zgjidhje sheh bashkëpunimin me Kosovën e Shqipërinë.

Ndërkaq jemi dëshmitarë se viteve të fundit kishte gabime të shumta dhe skandaloze në librat e gjeografisë, shoqërisë, historisë dhe muzikës. Fyerje dhe pasaktësi kundrejt shqiptarëve. Disa herë në publik është reaguar, por arriti të tërhiqet vetëm libri i Shoqërisë ndërkaq në përgatitje janë vetëm librat në dy lëndë dhe atë “Dituri natyre” dhe “Matematika” për klasat e para, dyta dhe treta.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button