Recension: FOTO: Gjendet një sirenë deti në Turqi

Gjithnjë e më shumë mediat e vendit publikojnë informata nga rrjetet sociale, që janë fare të paverifikuara dhe më shpesh të pavërteta. I tillë është rasti edhe me këtë tekst për gjoja sirenën e cila paska dalë në bregun turk. Artikulli jo vetëm që nuk ka asnjë gram vërtetësi, por tregon edhe një mungesë të plotë të angazhimit për të bërë përpjekje për të ardhurr deri te ajo se cila është e vërteta. Nuk mund të thuhet “vendosni vetë”, për shkak se është detyrë e gazetarit t’i verifikojë informatat që ia plason publikut.

Linku deri te artikulli origjinal: FOTO: Gjendet një sirenë deti në Turqi

Data dhe koha e publikimit: 26.08.2014, 11:18

Data e recensionit: 28.08.2014

Recensues: Vlladimir Mirçeski

 

A KA GAZETARI, VENDOSNI VETË!  

“Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.” – neni 1 i Kodit të gazetarëve.

Kjo në këtë rast nuk është bërë. Është plasuar një lajm, i cili jo vetëm që nuk është i vërtetë, por nuk është bërë asnjë përpjekje, qoftë edhe minimale, për ta verifikuar atë para se të publikohet. Thjesht, gazetari ka vendosur se lexuesit duhet vetë të vlerësojnë se a është e vërtetë informata që u ofrohet apo jo.

Përsëri vijmë deri te ajo se çdo “mbeturinë informative” nga Facebook nuk mund dhe nuk guxon të jetë lajm legjitim i mediave. Poashtu, në tekstin e shkurtër thuhet se ka, normalisht në rrjetet sociale, debat për vërtetësinë e fotografive të ofruara për “çudinë e natyrës”, por asgjë nuk është ndërmarrë që të konstatohet se cila është situata reale. Atëherë, pyetja që parashtrohet është se pse është vendosur në faqen e internetit të një televizioni nga Maqedonia një lajm në formën e njëjtë të paverifikuar siç qarkullon nëpër Facebook, pa asnjë element tjetër që do ta sqaronte se për çka bëhet fjalë? Përgjigja është, me siguri nga nevoja për ta mbushur portalin me lajme, qofshin ato edhe budallallëqe.

Duhet kuptuar se në mes tjerash, në këtë kohë të qarkullimi të lloj-lloj informatave, mediat duhet të jenë edhe një filtër për atë se çka do të arrijë deri te publiku. Gazetarët dhe mediat duhet të plasojnë informata, e jo spekulime, mashtrime laramane dhe “lajme” të tipit “verifikoni vetë”. Nëse duhet të verifikojmë vetë, atëherë pse na duhen mediat?! Do të ishte në rregull sikur në artikull të ishte futur edhe pjesa se “ndoshta” në Turqi janë paraqitur sirena, që më pas të sqarohet se bëhet fjalë për një kukull të bërë për nevojat e një filmi të Hollywood-it me buxhet të lartë. Mirëpo, qasja e këtillë joprofesionale e autorit të paemërtuar nuk ka kaluar pa u vërejtur nga një pjesë e lexuesve, të cilët në pjesën e komenteve nën tekstin kanë reaguar ashpër për materialin e ofruar.

Marrë në përgjithësi, kemi vetëm një “tallje” nga Facebook-u, që është vendosur në një portal në internet, pa burime të mirëfillta, pa përmbajtje të qartë dhe të pastër, dhe në fund, pa i respektuar kriteret elementare gazetareske. Ose, duke e përdorur stilin e njëjtë sikurse edhe ky tekst, muund të themi: “A ka gazetari, vendosni vetë?”. Mirëpo, për shkak se nuk duhet t’i përsërisim shembujt e këqinj, siç është ky artikull, do të japim përgjigje në këtë pyetje: “Jo, këtu nuk ka gazetari”!

Lajme të ngjashme

Back to top button