I dërgonte SMS erotike dhe kërcënuese gazetares, dënohet me burg

Një 56-vjeçar i divorcuar, baba i dy fëmijëve, u arrestua dje nga Policia e Tiranës, pasi rezultonte person në kërkim, i dënuar me 2 vjet burg për përndjekjen e një gazetareje.  Sipas Policisë, i arrestuari është Olger Zylfi, nga Elbasani dhe banues përkohësisht në kryeqytet, ku jetonte në një banesë me qira. Arrestimi i tij u bë nga shërbimet e Komisariatit Nr.1, ku edhe mbahet në paraburgim, derisa t’i komunikohet vendimi i gjykatës. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se Zylfi akuzohet për përndjekjen dhe kanosjen e gazetares 26- vjeçare, Denada Dajlani, në vitin 2012. 

Vendimi i formës së prerë i Gjykatës së Tiranës, që e dënon me 2 vjet burg, është marrë në mars të këtij viti. Sipas vendimit të Gjykatës, më 12 shtator të vitit 2012, Prokuroria e Tiranës mbi bazën e kallëzimit të bërë nga gazetarja Dajlani ka regjistruar procedimin penal për veprën “përndjekje”, në ngarkim të shtetasit Olger Zylfi. “Shtetasja Denada Dajlani është e punësuar në kompaninë ‘Top Media’ dhe drejton një emision në radion ‘Top Albania’, duke vënë në dispozicion të dëgjuesve dhe numrin e telefonit. 

Pikërisht në këtë numër është marrë vazhdimisht në telefon nga numri 066 21 10 210, i cili i përkiste shtetasit Olger Zylfi”, thuhet në vendimin e Gjykatës. Zylfi me anë të këtij numri telefoni vazhdimisht i ka dërguar Dajlanit mesazhe ngacmuese dhe, përveç mesazheve, ka shkuar disa herë te zyrat e kompanisë ku ajo punon, duke kërkuar me këmbëngulje që ajo të dilte ta takonte. Veprimet shqetësuese dhe që përbëjnë vepër penale të Olger Zylfit, i ka sqaruar në deklarimin e saj në Polici vetë gazetarja e dëmtuar, shkruan Panorama.

Lajme të ngjashme

Back to top button