Samiti i NATO-s le jashtë Maqedoninë, ambasadorët inkurajojnë për reforma

Ambasadorët e vendit mikpritës të Samitit të NATO-s dhe të shtetit më me ndikim në Aleancë, Britanisë dhe SHBA-së, shuan çdo shpresë rreth mundësisë së anëtarësimit të Maqedonisë në samitin në Uells. Zgjerimi i NATO-s nuk bën pjesë në listën e çështjeve që do të diskutojnë krerët e shteteve dhe të qeverive të Aleancës Ushtarake. Megjithatë ambasadorët Uollers dhe Garret inkurajuan Maqedoninë të vazhdojë reformat dhe profesionalizmin me qëllim që të sigurojë standardet e kërkuara nga NATO, transmeton Alsat.

“Dua të jem i sinqertë dhe i qartë se çfarë nuk do të adresojë Samiti. Kjo nuk është diçka që duan ta dëgjojnë Maqedonia dhe maqedonasit por është e qartë se nuk ka plane për anëtarësimin e shteteve të reja në Aleancë në Samitin e Uellsit. Do doja të kisha lajme më të mira por njëkohësisht dua të inkurajoj fuqishëm se SHBA beson se Maqedonia do të jetë anëtare e çmuar e NATO-s por është çështje kohe se kur”, deklaroi Poll Uollers, Ambasador i SHBA-së

“Spekulimet këtu veçanërisht më herët gjatë verës, rreth qasjes së Samitit ndaj zgjerimit, janë të kuptueshme. Dëshira për t’iu bashkëngjitur në NATO sa më shpejtë që e mundur është shumë e fuqishme këtu. Megjithatë mesazhi i anëtarësisë mbetet i njëjtë, deklarata e Çikagos të vitit 2012. Por rezultati i përgjithshëm i Samitit do të jetë i rëndësishëm për Maqedoninë, pasi nëse përmbush synimet Samiti do të forcojë NATO-n dhe forcimi i NATO-s do të sjell përfitime të rëndësishme në fushën e sigurisë edhe për Maqedoninë” , u shpreh Çarles Garret, Ambsador i Britanisë.

Sipas kreut të Këshillit Euro-atlantik të Maqedonisë, Ismet Ramadani, megjithëse çështja e emrit paraqet pengesë në rrugën e anëtarësimit të Maqedonisë, vendi duhet të vazhdojë përpjekjet për të qenë kandidate e denjë për anëtarësim në Aleancë.

“Sfidat e ardhshme të NATO-s janë edhe sfidat tona. Nuk mund të izolohemi dhe të themi se problemet që sot e karakterizojnë botën ne nuk do të na prekin. Maqedonia duhet të vazhdojë fuqishëm në rrugën e integrimeve euro-atlantike dhe të ndërmarr të gjitha obligimet me qëllim që ta sigurojë vendin mes aleatëve” , tha Ismet Ramdani, kryetar i Këshillit Euro-atlantik të Maqedonisë.

Maqedonia në Samitin e NATO-s në Uells, e cila pritet të jetë një nga më të mëdhatë, me pjesëmarrjen e mbi 60 krerëve shtetesh dhe qeverish, do të përfaqësohet nga Ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes Popovski dhe Jolevski. Në delegacion nuk merr pjesë asnjë zyrtarë i BDI-së e cila këtë e arsyetoi me atë se resorët që ajo drejton nuk kanë lidhje direkte me aleancën veriatlantike.

Lajme të ngjashme

Back to top button