Xhinxhis Khani dhe dijetari nga Kina

Perandoria më e madhe e të gjithë kohërave, e ngritur brenda pak vitesh, i atribuohet mongolëve, ndërsa ata ia veshin heroit të tyre të pazëvendësueshëm, Xhinxhis Khanit (1162-1227).

Ai arrijë me sukses të sundojë Kinën krenare, Samarkandin e dijes, një pjesë të Indisë dhe Afganistanin e sotshëm, dhe e gjithë kjo brenda pak kohësh. Cilësia e tij, përveç trimërisë, ishte edhe marrja e dijes prej secilit që e posedonte atë. Pavarësisht se ai pushtoi lehtë ujgurët, ai ua përvetësoi vulat dhe alfabetin e tyre, e kështu me radhë.

Në jetën e tij, spikat edhe thirrja që ai i dërgoi një dijetarit nga Kina, për t’u dhënë përgjigje pyetjeve që e mundonin perandorin mongol apo stuhinë e Azisë. Bëhet fjalë për dijetarin Çang Çung  dhe takimin e tij me Xhinxhis Khanin, që bisedën e tyre ua sjellim të plotë.

Xhinxhis Khani: Ty të kanë ftuar edhe perandorë të tjerë, por ti se ke pranuar ftesën e tyre. Ndërsa tani ke bërë 10.000 km për të ardhur tek unë. E ndjej veten shumë të nderuar.

Çang Çung: “Ishte urdhër i Perëndisë”, tha murgu kinez, pa u përulur dhe pa rënë në gjunjë.

Xhinxhis Khani e ftoi më pas që të hante në sofrën e tij, ndërsa murgu u përgjigj se nuk hante mish dhe as pijet alkoolike, ndërsa orizin dhe miellin, ushqimet e preferuara të tij, i kishte marrë me vete.  Më pas Xhinxhis Khani vazhdoi pyetjen.

Xhinxhis Khani: O njeri i shenjtë, a ka ndonjë ilaç për ta bërë jetën e përjetshme?

Çang Çung: Ka barna që të zgjasin jetën, por jo të tilla që të të bëjnë të pavdekshëm.

Xhinxhis Khani: Por si ta bëj perandorinë time të pavdekshme?

Çang Çung: Një stuhi nuk zgjat më shumë se një mëngjes, një shi me tërsëllëm jo më shumë se një ditë – po kush e ka në dorë këtë? – Qielli e toka. Ndaj atë që nuk e bëjnë dot qielli dhe toka, se bën dot as njeriu.

Xhinxhis Khani: Por si ta bëj më të lehtë qeverisjen?

Çang Çungu: Vetëm atëherë është e vështirë për tu qeverisur kur sundimtarët kanë shumë për të qeverisur. Dhe sa më shumë të jetë zona që është për të qeverisur aq më shumë zien populli, sa më shumë ligje dhe dekrete aprovohen aq më shumë shtohen hajdutët dhe cubat. Sepse çdo gjë pjell të kundërtën e saj. Trajto secilin me drejtësi dhe se kur qeveris, më e rëndësishmja është të krijosh rezervat e nevojshme, nëpunësit besnik.

Xhinxhis Khani: Ç’mendoni për pleqërinë time?

Çang Çungu: Njeriu kur lind është i butë dhe i dobët,  kurse kur vdes i ashpër dhe i fortë. Të fortët dhe të qëndrueshmit janë shok të vdekjes, kurse të butët dhe të dobëtit miq të jetës.

Pas këtyre fjalëve, Khani filloi luftën verbale me Çang Çungun për ta pasur këshilltar të vetin, ndërsa ky i fundit nuk pranonte, duke thënë, “kush ka pasurinë humbet më shumë, kush ka dijen nuk lakmon gjë tjetër.”

Në fund, Khani e kuptoi se s’mund ta bënte për vete dijetarin, duke i kërkuar që ti jap një titull nderi. Por dijetari përsëri refuzoi.

“Nderet dhe titujt nuk kanë asnjë vlerë. Nderimi dhe mosnderimi krijojnë vetëm frikë. Se kur i ke, ke frikë mos i humbasësh. Dhe kur i humbet ke akoma edhe më tepër frikë.”

Në pyetjen e fundit, sesi pa këtë reklamë, do rruhej dija e tij. Çang Çungu e përmbylli:

“Fara e mirë kur gjen kohë të përshtatshme del sipër. Kur nuk gjen humbet dhe lë barërat e këqij të rriten.”

Më pas Çang Çungu u largua për të bërë jetën e tij askete, duke refuzuar titujt, nderet edhe pasuritë milionëshe të perandorit më të madh, me siguri të të gjithë kohërave. /Fitim Dika, Portalb

*Për punimit e këtij teksti u përdor edhe libri “Xhinxhis Khani – Stuhia nga Azia”, me autor Mihael Pravdin

Lajme të ngjashme

Back to top button