Drejtori i muzeut nacional bullgar e lavdëron Ali Ahmetin

Drejtori i Muzeut Nacional Historik të Bullgarisë dhe ish-ministri i diasporës bullgare, Bozhidar Dimitrov ka deklaruar se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti po tregon se është i aftë për të qenë kryeministër i Maqedonisë. Dimitrov këtë e ka theksuar për agjencinë bullgare të lajmeve Fokus, duke komentuar vizitën e fundit të Ahmetit në Sofje, dhe angazhimin e tij për mbështetjen e marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë. 

“Prezantimi i Ahmetit në konferencën ndërkombëtare “Ballkani për 100 vite – nga lufta në paqe” në Sofje tregoi se bashkësia etnike shqiptare në Maqedoni gjithmonë ka pasur më shumë liderë politik të përgaditur. Ahmeti tregoi se marrëdhëniet mund të shkojnë në drejtim krejtësisht të ndryshëm, dhe nëse një ditë ai do të jetë kryeministër i Maqedonisë, atëherë marrëdhëniet me Greqinë, Bullgarinë, Shqipërinë dhe Kosovën do të lulëzojnë, ndërsa Maqedonia mund të dal nga izolimi që vetë e ka imponuar”, ka deklaruar profesori universitar bullgar, Bozhidar Dimitrov.

Ai njihet si një nga promotorët e rrymave probullgare në Maqedoni dhe për dhënien e shtetësive masive bullgare për qytetarët e Maqedonisë. Dimitrov gjithashtu ka bërë të ditur se Shkupi dhe institucionet maqedonase vazhdimisht po falsifikojnë dhe përvetësojnë historinë bullgare. 

Lajme të ngjashme

Back to top button