NATO dështimi i radhës për Maqedoninë, retorikë e konsumuar për VMRO dhe BDI

Ambasadorët e vendit mikpritës të Samitit të NATO-s dhe të shtetit më me ndikim në Aleancë, Britanisë dhe SHBA-së, shuan çdo shpresë rreth mundësisë së anëtarësimit të Maqedonisë në Samitin e NATO-s në Uells.

Për qeverinë NATO mbetet një alternativë kohore e cila do të shfrytëzohet edhe pas çdo dështimi, vlerësojnë analistët. Sipas tyre shprehja e gatishmërisë kërkon edhe masa konkrete dhe jo vetëm arsyetime që në mënyrë të drejtpërdrejtë shterë substancën politike të partnerëve të koalicionit qeveritarë veçanërisht BDI-së.

Samiti i NATO-s nuk ka plane për zgjerim

Deklaratat pesimiste për Samitin e Uellsit sa i përket anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, shoqërohen me mesazhin inkurajues për vazhdimin e reformave dhe se një aleancë e fuqishme e dalë pas Samitit do të thotë siguri më shumë edhe për Maqedoninë.

“Spekulimet këtu veçanërisht më herët gjatë verës, rreth qasjes së Samitit ndaj zgjerimit, janë të kuptueshme. Dëshira për t’iu bashkëngjitur në NATO sa më shpejtë që e mundur është shumë e fuqishme këtu. Megjithatë mesazhi i anëtarësisë mbetet i njëjtë, deklarata e Çikagos të vitit 2012. Por, rezultati i përgjithshëm i Samitit do të jetë i rëndësishëm për Maqedoninë, pasi nëse përmbush synimet Samiti do të forcojë NATO-n dhe forcimi i NATO-s do të sjell përfitime të rëndësishme në fushën e sigurisë edhe për Maqedoninë” , u shpreh Çarles Garret, Ambsador i Britanisë.

“Dua të jem i sinqertë dhe i qartë se çfarë nuk do të adresojë Samiti. Kjo nuk është diçka që duan ta dëgjojnë Maqedonia dhe maqedonasit, por është e qartë se nuk ka plane për anëtarësimin e shteteve të reja në Aleancë në Samitin e Uellsit. Do doja të kisha lajme më të mira por njëkohësisht dua të inkurajoj fuqishëm se SHBA beson se Maqedonia do të jetë anëtare e çmuar e NATO-s, por është çështje kohe se kur”, deklaroi Poll Uollers, Ambasador i SHBA-së

Maqedoninë nuk ka nevojë nga organizimi i Samitit të ri të NATO-s

Tani më kur është e qartë se në Samitin e NATO-së, në Uells, Maqedonia nuk do të jetë në argjend, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti vazhdon me të njëjtën retorik.

Rreth mundësisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO në samitin e ardhshëm, Ahmeti theksoi se ajo mbetet prioritet i lartë i BDI-së si përfitim për paqen, stabilitetin dhe rritjen e ekonomike të shtetit dhe se BDI vazhdon të punojë që ky moment të ndodhë sa është e mundur më shpejt. Megjithatë, sipas Ahmetit, në Samitin e ardhshëm të NATO-s prioritet do të jenë gjendja në Ukrainë dhe çështje të tjera botërore.

“Për Maqedoninë nuk ka nevojë nga organizimi i Samitit të ri të NATO-s për shkak se Maqedonia ka ftesë të hapur për anëtarësim që varet nga ngjarjet mes neve dhe Greqisë rreth çështjes për emrin. Ne duhet sa më shpejt që bashkërisht të punojmë me bashkësinë ndërkombëtare për zgjidhjen e këtij problemi dhe Gjermania ka rol të rëndësishëm në pajtimin mes neve dhe Greqisë”, tha Ahmeti

Maqedonia rrezikon të humbas edhe konkluzën e Samitit të Bukureshtit

Pas Samitit të NATO-s do dëgjojmë të njëjtat premtime, se në Samitin tjetër do anëtarësohemi dhe se do punohet më shumë për euro-integrimet, por në fakt nuk do ndodh asgjë, vlerësojnë analistët e kontaktuar nga Portalb.

“Samiti i Natos nuk do ketë zgjerimin si prioritet, por do merret me krizat e mundshme ose me daljen nga krizat dhe në ketë drejtim njëra nga substancat elementare të partive në koalicion, veçanërisht të BDI-së harxhohet. Mirëpo as BDI dhe as VMRO nuk do heqin dorë nga anëtarësimi në NATO, por do kërkojnë alternative kohore, në aspektin, nëse s’u bë tani, do bëhet radhën e ardhshme dhe kështu pafund.
Ç’është e vërteta nuk kanë edhe alternativë tjetër.” – Tha analisti Alajdin Demiri për Portalb.

Edhe për analistin e mirënjohur, Mersel Billali, nga ky Samit nuk mund të pritet asgjë, pasi nuk janë kryer obligimet themelore, por rrezikon të humbasim edhe konkluzën e samitit të Bukureshtit.
“Nuk mund të presim asgjë pasi nuk janë kryer obligimet themelore, dhe pikërisht Maqedonia edhe si vullnet politik. i ka bind institucionet e larta se nuk ka interesim të plotë për NATO-n dhe e përdor si retorikë të brendshme.

Tash do shohim se çfarë do bëjë BDI-ja më tutje, do jetë fat nëse mbahet konkluza e Bukureshtit. Nëse humbet ajo konkluzë do ketë jo vetëm krizë politike, por edhe më shumë se kaq.” – Tha për Portalb, analisti Mersel Billali.

Konkluza e Bukureshtit, parasheh anëtarësimin e plotë të Maqedonisë në NATO, në secilën kohë që ajo do zgjidhte problemin e emrit me Greqinë, pa qenë nevoja të pritet samiti i ardhshëm i NATO-s. Por, prej atëherë kjo konkluzë nuk është shfrytëzuar aspak.

Lajme të ngjashme

Back to top button