Analistët: ‘diplomacia’ e Ahmetit në marrëveshje me Gruevskin

Vizitat e liderit të BDI-së Ali Ahmeti, në SHBA, Gjermani dhe Bullgari janë komentuar në mënyra të ndryshme në opinionin e vendit. Komentet në pjesën dërmuese janë orientuar në dy drejtime.

Kështu, çështja është shtruar nëse  mund të ndihmojë realisht lideri i BDI-së në zgjidhjen e kontestit për emrin, kur të kihet parasysh pozicioni që aktualisht ka partia e tij në qeverinë Gruevski dhe fakti që konteksti me Greqinë shihet më tepër si një çështje që ka të bëjë me identitetin maqedonas.

Pastaj, nuk janë të paktë edhe ata që problemin e kanë shtruar më ndryshe duke supozuar se “ofensiva diplomatike” e liderit të BDI-së është projektuar së bashku dhe  në marrëveshje me kryeministrin Gruevski.

Malinka Jordanova nga Instituti për Politika Evropiane thekson për Portalb se vendimet për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë i merr VMRO-DPMNE, por nuk përjashton mundësinë që edhe BDI të ndihmojë në këtë proces, aq më tepër që në fund të fundit, sipas saj, ka ndonjë marrëveshje midis partive në koalicion.

“Unë nuk kam njohuri për  këtë, por do të ishte e çuditshme nëse nuk do të kishin ndonjë marrëveshje. Domethënë, supozoj se ka marrëveshje por, nuk e di, nëse vërtetë është kështu”, thotë Jordanova.

Nga ana tjetër analisti Alajdin Demiri, i konsideron jologjike veprimet e liderit të BDI-së, sepse ai si lider partie merr rolin e diplomatit a Ministrit të Punëve të Jashtme, rol të cilin partitë politike nuk e kanë. Dhe në vijimësinë e kësaj logjike, për më tepër, Demiri  vlerëson se krijohet përshtypja se ka një marrëveshje midis Gruevskit dhe Ahmetit për ndërmarrjen këtyre veprimeve.

“Në të vërtetë ai (Gruevski)  e ka lëshuar Ali Ahmetin që të testojë, në mënyrë që më pas vetë të sillet konform këtyre vërejtjeve apo sugjerimeve që do i bëhen Ahmetit. Kjo është përshtypja që fitohet sepse Ali Ahmeti nuk ka mandat dhe kapacitet të negociojë me askënd për çështjen e emrit”, vlerëson analisti Alajdin Demiri, duke supozuar se ka një marrëveshje të tillë, sepse tani, sipas tij, ka ardhur koha që Gruevski, pas gjithë këtij presioni të bëj diçka.

Në këtë kontekst Demiri ngre dyshime për atë nëse nisma e Ahmetit është ndërmarrë kokë më vete. Ky dyshim atij i përforcohet  edhe ë shumë, pas  bërjes publike, nga Ali Ahmeti të propozimit të fundit të ndërmjetësit të OKB-së për emrin.

Kjo, sepse  propozimi  do të sillet në Shkup dhe për të  do të negociohet, ndërkohë që paraprakisht vetë kryeministri i kishte dërguar letër homologut të tij për intensifikimin e bisedimeve për zgjidhjen  kontestit.Kjo e bën veprimin e Ali Ahmetit  të duket një aventurë në fushën  diplomacisë, aq më tepër, kur kjo nuk është kompetencë e tij, përfundon Demiri. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button