RDK: Bejta Goditi rëndë standardin e gostivarasve

Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) ka reaguar ndaj vendimit të Këshillit Komunal të Gostivarit, miratuar me votat e këshilltarëve të BDI-së dhe VMRO-së, për rritjen e trefishtë të çmimit të ujit nga 1 gushti i këtij viti. 

Grupi i Këshilltarëve të RDK-së, ka njoftuar përmes një reagimi me shkrim, se ka kontestuar propozimin për shtrenjtimin e ujit, duke e cilësuar si të pabazuar në asnjë analizë të mirëfilltë ekonomike. 

Këshilltarët e RDK-së vlerësojnë se vendimi do të ketë efekt të kundërt në kuptimin e stabilizimit financiar të ndërmarrjes “Komunalec” dhe se “do të godasë  xhepin edhe ashtu të varfëruar të qytetarëve të Gostivarit”. 

“Këshilltarët e RDK-së argumentuan se në NPK ekzistojnë shumë rezerva të brendshme të cilat duhet të shfrytëzohen dhe të cilat do të rrisin përmbajtësisht nivelin e faturimit dhe arkëtimit të llogarive për ujin dhe kanalizim. Me këto  masa reformuese do të arrihej grumbullimi i rritur i parave dhe nuk do të kishte nevoje ti rritet çmimi aktual i ujit  dhe kanalizimit”, thuhet mes të tjerash në reagimin me shkrim. 

RDK i ka propozuar krerëve të Komunës të zbatojë në tërësi projektin e nisur nga Rufi Osmani, e që mbështetet nga KFË banka, me të cilin do të bëhet instalimi i matësve të rinj të shfrytëzimit të ujit. 

“Me ketë veprim do të plotësohet kushti minimal që së paku 80% e ujëmatësve të rinj të jenë funksional dhe kështu do të kishim një  pasqyrë shumë më reale për harxhimin e ujit që është bazë për faturim real dhe projeksione reale të të hyrave financiare të NPK”, thuhet më tej në reagim.

Lajme të ngjashme

Back to top button