Intervistë me Delvina Berishaj-Fituese e “Miss Malësia” 2014

Intervistoi: Kristjan Gj. Dukaj

Delvina Berishaj është fituese e “Miss Malësia” 2014-të . Delvina është një vajzë e re e cila vjen nga Franca. Ajo është vetëm 14-të vjeçare dhe dëshira e saj më e madhe është që pushimet verore ti kaloj pikërisht në Malësi. Edhe pse ka shëtitur nëpër shumë vende të botës, ajo tregon se Malësia ka një bukuri të veçantë e një ndër ato bukuri veçon edhe kanjonin e lumit Cem. Ajo thotë që shkolla është në vendin e parë, të gjitha gjërat tjera janë thjesht një hobi për të.

PORTALB: Në fillim Ju lutëm më tregoni kush është Delvina, nga vjen sa vjeçare është , me çfarë merret ?

Delvina:  Unë jetoj në Francë, jam e lindur atje. Jam 14 vjeçe dhe shkoj në shkollën fillore. Në Malësi vij çdo vit, është një vend që më pëlqen shumë. Gjithashtu këtu kam disa pjestarë të familjes andaj ky është edhe një motiv më shumë që ta vizitoj këtë vend.

PORTALB: Gjithashtu më intereson a është hera e parë që keni ardhur në Malësi ?

Delvina:  Jo nuk është hera e parë, në Malësi  vij çdo vit. Sinqerisht, i falënderoj shumë prindërit e mi, sidomos mamanë time e cila më ka ndihmuar ta mësoj gjuhën shqipe dhe e cila gjithnjë me mua bisedon në gjuhë shqipe.

PORTALB: Ju pëlqen ky vend ?

Delvina:  Po. Është një vend shumë i bukur, sidomos më pëlqen bukuria e Cemit, ku e kaloj kohën e shumtë kur jam në Malësi. Gjithashtu pranë bregdetit kam një shtëpi, andaj mund të them që pushimet në këtë vend i kaloj me mjaft kënaqësi.

PORTALB: Kur ke dëgjuar për “Miss Malësia” dhe kush ju përkrahi në këtë ide ?

Delvina:  Ideja që të marr pjesë në “Miss Malësia” është mjaft interesante. Çdo vit që kam ardhur në Malësi, kam shkuar me të afërmit e mi, për ti parë ato bukuroshe dhe mua më ka pëlqyer një gjë e tillë. Andaj gjyshja ime, e cila jeton në Malësi, duke e ditur që mua do më pëlqente sikur të merrja pjesë në këtë eveniment, ka folur me organizatorët e kësaj mbrëmje dhe kështu më ka futur edhe mua në listën e konkurrenteve për “Miss Malësia” çka për mua ishte një surprizë, të cilën e kam pritur shumë mirë. Gjithashtu më duhet të falënderoj prindërit të cilët më kanë përkrahur shumë.

PORTALB: Na e përshkruaj paksa  pjesëmarrjen tuaj në “Miss Malësia” ?

Delvina: Të them të drejtën unë nuk e kam pritur që do fitoj vendin e parë, duke u nisur nga vetë fakti që konkurrenca ka qenë mjaft e fortë, të gjitha vajzat kanë qenë të mrekullueshme. Në fillim ndoshta kam pasur paksa stres, mirëpo gjatë mbrëmjes kam arritur ta kontrolloj atë. Më duhet të veçoj një moment atë natë, është momenti kur kemi mbetur vetëm unë dhe një vajzë tjetër, në pritje të shpalljes së “Miss Malësia”. Në atë moment nuk kam menduar asgjë, thjesht kam buzëqeshur dhe të them të drejtën kur kam dëgjuar emrin tim, kam qenë shumë e befasur.

PORTALB: Sa jeni e kënaqur me organizimin e “Miss Malësia” ?

Delvina:  Për fat të mirë, kam parë edhe “Miss Shqipëria” si dhe “Miss Franca” të cilat janë në nivel shtetërorë dhe kuptohet që organizimi është shumë më i madh, mirëpo edhe me këtë organizim jam shumë e kënaqur.

PORTALB: A është hera e parë që merrni pjesë në evenimente të tilla?

Delvina:  Po. Sepse në Francë, kjo punë kërkon një përkushtim të madh, kërkon shumë kohë. Unë shumicën e kohës e kaloj në shkollë, kështu që nuk kam pasur mundësi të merrem me modë apo gjëra të tilla.

PORTALB:Çfarë bën Delvina në kohë të lirë ?

Delvina:  Siç e thashë pak më parë, shkolla më merr një kohë të madhe, pothuajse tërë ditën andaj, nuk kam edhe shumë kohë. Mirëpo, më pëlqejnë sportet dimërore, më pëlqen të dëgjoj muzikë, e sidomos muzikë shqip. Gjithashtu kam dëshirë të udhëtoj, kam qenë nëpër vende të ndryshme të Evropës si dhe në SHBA.

PORTALB: Si fituese e “Miss Malësia 2014” a do merrni pjesë vitin e ardhshëm në “ Miss Shqipëria”  ?

Delvina:  Do ishte një kënaqësi e madhe për mua.

PORTALB:Mesazhi juaj për të gjithë lexuesit e kësaj interviste?

Delvina:  Dua që të të  falënderoj  Kristjan, për këtë intervistë dhe për kohën tuaj. Mesazhi im është i thjeshtë, të vazhdojnë shkollimin sepse është gjëja më e mirë që mund të bëjnë për veten, nga vetë fakti se kjo vlerësohet lartë në çdo vend të botës.

Delvina Berishaj
Delvina Berishaj

Lajme të ngjashme

Back to top button