TI: Paratë e partive politike mund të kontrollohen me ligj, por askush se bën këtë

As ligjet, e as praktika në Maqedoni nuk është mjet i fuqishëm për kontrollimin e raporteve të sakta financiare të partive politike në kohën e zgjedhjeve, tregon hulumtimi i Transparency International Maqedoni.

Institucionet shtetërore kanë bazë të mirë që me ligj ta kontrollojnë financimin e partive në kohën e zgjedhjeve, por nuk e shfrytëzojnë. Që gjendja të përmirësohet, duhet të forcohen performancat e institucioneve shtetërore, të zbatohen ligjet në mënyrë më efikase, të publikohen donatorët e fushatave zgjedhore të partive politike, të identifikohen reklamat që mediumet i donojnë në kampanjë, por gjithashtu edhe të futet lehtësim të tatimeve për donacionet private të partive politike.

“Të hollat në politikë shpesh janë ana e errët e zgjedhjeve. Mungesa e transparencës në financimin politik e rrezikon legjimitetin dhe kredibilitetin e shtetit, por edhe të proceseve demokratike në vend. Transparenca e financimit politik është e duhur, sepse mungesa e besueshmërisë në politikë e shkatërron besimin në sistem dhe e zvogëlon pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset demokratike”, thuhet në rezymenë e raportit për të hollat e partive politike në Maqedoni.

Indeksi i përgjithshëm për transparencën e financimit të politikës në pjesën e financimit të fushatës për Maqedoninë, në bazë të këtyre analizave është 6,2 që është diku në kuadër të mesatares pasi thamë se notë e mirë, është 6,8.Indeks më të dobët kemi tek besueshmëria e të dhënave, dhe ajo është 2,9.  Indeks tjetër i dobët paraqitet tek sanksionet, pra masat ndëshkuese.

Dimensionet më të dobëta sipas hulumtimit, janë besueshmëria e raporteve të partive politike, dënimeve, masat preventive, mosekzistimi i mbikqyrjes shtetërore, ndërsa pozitive është që partitë dorëzojnë raporte të mëdha me gjerësi dhe dorëzojnë raporte të cilat janë të thella. Divergjenca mes ligjeve dhe praktikës është shkaku kryesor për publikimin e raporteve, e pastaj për zbatimin e ligjeve dhe mbikqyrjen shetërore. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button