Parlament apo partallment

Fakti që kaluan disa ditë nga ngjarja e fundit në Kuvendin e Maqedonisë na mundëson pak më gjakftohtë të mundohemi të analizojmë të njëjtën. Sigurisht që pamja nga ajo ngjarje do mbetet e arkivuar si diçka e keqe në historinë e politikbërjes në Maqedoni, por tani pas disa ditëve ndoshta edhe mund të mendojmë për ndonjë aspekt të mirë nga gjithë ajo që ndodhi në parlament. Diçka si e mirë kolaterale ose thënë ende më shqip: të mirë në të keqe.

Kurse kjo e mirë mund te jetë vetëm tërheqja e vëmendjes së opinionit mbi kuvendin, debatin dhe buxhetin e shtetit. Kjo pasi përplasja ndodhi në komisionin parlamentar duke debatuar buxhetin shtetëror për vitin e ardhshëm. Sigurisht që fillimisht ofendimet e mandej edhe dhuna nuk ndodhën për numra dhe paragrafë të buxhetit, por ajo që mund edhe të jetë e mirë në këtë është se kjo ishte mu për një çështje politike shumë me rëndësi e të cilën politikanët në Maqedoni gjatë kohë e anashkalojnë e ajo është buxheti. Kur të kihet parasysh se ky anashkalim ende më shumë bëhej mu nga ana e politikanëve shqiptarë në këtë shtet, atëherë vetëm përmendja e buxhetit, qoftë edhe kështu si pasojë e ndonjë incidenti, mund të vlerësohet si përparim në politikbërjen e këtushme.

Por, ajo që është më afër cilësimit si “e mirë në të keqe” është hedhja dritë mbi njërin nga institucionet bazë të një shteti demokratik: parlamentin. Kjo pasi kuvendi i Maqedonisë përjetoi anashkalim, harrim, delegjitimim dhe kontestim shumë vite me radhë e sidomos pas ngjarjeve të 24 dhjetor 2012, prej kur faktikisht u delegjitimua në tërësi Kuvendi i Maqedonisë. Kjo  pasi atëherë kishte rrahje me dëbim edhe atë të kryer nga trupa jashtëkuvendore. Kontestimi i pastajmë i procesit zgjedhor nga ana e opozitës maqedonase LSDM dhe të tjerët solli në pozicionin që parlamenti të mos mund ende të rrumbullakojë legjitimitetin e vet, përkundër ndryshimit të përbërjes së saj si pasojë e zgjedhjeve parlamentare.

Çështja pra ka mbet pezull në dilemën nëse kemi parlament apo diçka si “partallment”, ku kuvendi republikan trajtohet si partalle qeveritare apo i është bërë copë e partalle legjitimiteti nga kontestimi.

Sidoqoftë ajo që mund të jetë e mirë politike për shqiptarët nga incidenti ku protagonistë ishin vetëm deputetët shqiptarë është kthimi i vëmendjes e mandej edhe i legjitimitetit dhe funksionit të vërtetë të parlamentit si institucioni më i lartë ligjvënës i shtetit.

Ndoshta mund të radhiten shumë argumente se pse është me rëndësi të veçantë shqiptare kthimi i funksionit të vërtetë të parlamentit të shtetit, por sa për argumentim këtu besoj që mjaftojnë dy.

E para se parlamenti është organi ligjvënës prej ku instalohet korniza ligjore, tani aktualisht edhe kushtetuta pasi e njëjta është duke u ndryshuar, me të cilën më pastaj funksionon shteti si një marrëveshje shoqërore e shtetasve e bazuar në drejtësi. Ashtu vendi dhe kuvendi ku duhet të vështrohet drejtësia nis në parlament me ligjet dhe buxhetin. Kjo vlen njashtu edhe për padrejtësitë ku edhe të njëjtat instalohen dhe nisin mu nga ky vend e kuvend.

Kurse argumenti i dytë është edhe më specifik për shqiptarët pasi Kuvendi është prej institucioneve të rralla që ka institucione që mbrojnë nga majorizimi etnik, diçka që për vite me radhë iu është bërë shqiptarëve në këtë shtet dhe që ka qenë një prej motiveve inicuese të revoltës shqiptare që kulmoi në vitin 2001. Ashtu në parlament ka një trup për marrëdhëniet mes bashkësive, i cili institucion nëse do përdorej drejtë politikisht mundëson shumë mbrojtje nga uzurpimi dhe keqpërdorimi etnik i shtetit dhe institucioneve.

Ashtu ngjallja e funksionit, debatit dhe kthimi i vërtetë i parlamentit nacional edhe në këtë vend, si kudo në botë, duhet të jetë çështje prioritare mu për ata që nuk kanë në dorë timonin e shtetit dhe qeverisjes, siç është rasti me qytetarët shqiptarë në Maqedoni.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button