Nxënësit që vijnë nga perëndimi penalizohen në Maqedoni

Sistemi i ndryshëm arsimor tek ne, krahasuar me italianët, i penalizon nxënësit që kthehen në vendlindje për shkak të krizës që po prek gjithnjë e më shumë perëndimin. Një rast të tillë përbëjnë edhe nipërit e një ish punonjësi në arsim Mefail Bajrami, të cilët për shkak të rregullativës sonë ligjore, po përsërisin vitin e njëjtë shkollor, njofton Televizioni Alsat-M.
Bajrami ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore, përfshi edhe Avokatin e Popullit. Sipas tij në ligjin për arsim fillor por edhe atë të mesëm, duhet të bëhet korrigjim për nxënësit që kthehen nga jashtë, për shkak të sistemeve të ndryshme arsimore. Në Maqedoni ekziston sistemi 9 vjeçar ndërsa në Itali, ai 8 vjeçar. Rastet e tilla janë të shumta, pohon Bajrami, duke shtuar se ky numër pritet të rritet edhe më shumë për shkak të krizës në Evropë.


“Pasi u drejtova te ministria, prita vendimin. Për fat, vendimi erdhi në kohë mirëpo ai i penalizoi këta fëmijë që të përsërisin materien që e kanë mësuar në klasën e parë. Për shembull, këtu klasa e tretë mëson mësimin e klasës së dytë. Ja, kam edhe nipërit e tjerë paralel që mund ta përcjellin këtë ndryshim. Edhe fëmijët vet, goditje shpirtërore na bëjnë kur thonë se pse o gjysh ne të mësojmë të njëjtën materie që kemi mësuar në Itali… çështja që më rëndon më tepër, pse afatet kohore pas ankesës që bëmë, u prolonguan shumë dhe do të vazhdojnë këto gabime edhe në të ardhmen se unë vetëm në 4-5 shkolla sa kam marr të dhëna përmes shoqërisë ka mbi 30 nxënës që janë kthyer vitin e kaluar, vetëm në 4-5 shkolla flas, jo të gjitha. Nëse shkojmë në të gjitha shkollat ka mbi 100 vetëm në komunën  e Gostivarit”, tha Mefail Bajrami, ish mësues.

Bajrami thotë se nuk do të heq dorë nga zgjidhja e kësaj çështje, për shkak se me këtë dëmtohen fëmijët, dhe humbja e një viti shkollor do të thotë shumë.

“Do të kërkojë që të avancohen. Patjetër të plotësohet  gabimi. Nëse ka bërë dikush le ta përmirësojnë. Nuk është fajtor fëmija. Ata janë një subjekt shumë i ndjeshëm. Kur punohet për faktorin fëmijë, mua më dhemb zemra, jo vetëm për nipëri e mi, por për të gjithë fëmijët. Shpresoj se ministria do të gjejë një rrugëdalje, do të bëjë ndonjë ndryshim ligji, se kjo nuk do të jetë as e para dhe as e fundit… Rruga më e shkurtër nëse ministria bën një rishikim të këtij ligji për këta që kthehen nga 8 vjeçarja apeli im për ata që kthehen, që mos të pajtohen me atë, sepse një vit për një person do të thotë shumë”, u shpreh Mefail Bajrami, ish mësues.

Por nga Ministria e Arsimit thonë se ligjet që prekin arsimin, janë të harmonizuara me legjislaturën evropiane dhe se në rastet e tilla, shqyrtohet edhe ekuivalenca e notave dhe lëndëve të mësuara. Sipas tyre edhe nxënësit që shkojnë nga Maqedonia jashtë humbin vitin për shkak se programet mësimore nuk janë identike. /Alsat-M.

Lajme të ngjashme

Back to top button