Shkëndija kërkon sukses ndaj Rabotniçkit

Shkëndija të shtunën përballë Rabotniçkit kërkon një fytyrë të re me sulm efikas dhe mbrojtje stabile. Mungesa e efikasitetit dhe mos realizimi i rasteve të pastërta para portave kundërshtare Shkëndijës në dy ndeshjet e fundit i ka kushtuar humbje të 4 pikëve, në barazimet 1:1 me Metalurgun dhe Renovën. Në të dyja ndeshjet Shkëndija ka shpërdoruar shumë mundësi, ndërsa në takimin e fundit me xhepçishtasit edhe fati sportiv nuk ishte me ‘kuqezinjtë’ që në katër raste goditën shtyllën. Pikërisht për këtë arsye stafi teknik ditët e fundit ka punuar në eliminimin e mangësive që shfaqen në lojë. Akcenti është vendosur në përmirësimin e efikasitetit dhe qartësisë para portës, ndërsa njëkohësisht është punuar në stabilitetin dhe koncetrimin e mbrojtjes që pranon gola në të gjitha ndeshjet. Të gjithë në taborin ‘kuqezi’ janë të vendosur që të sjellin një përmirësim të madh në lojë dhe kundër Rabotniçkit pritet një Shkëndijë kompakte dhe kolektive.

“Pas dy barazimeve të fundit, ku kishim shumë raste të cilat nuk i shfrytëzuam dhe nuk arritëm që të korrim fitore edhe pse realisht ishim më të mirë se Metalurgu dhe Renova, jemi duke menduar për takimin e ditës së nesërme kundër Rabotniçkit. Githsesi ambiciet tona mbeten tre pikët për secilën ndeshje dhe kjo vlen edhe për ndeshjen e nesërme. Kemi respekt për skuadrën e Rabotniçkit, duke ditur se kemi të bëjmë me një ekip që vitin e kaluar u shpall kampion në Ligën e Parë të futbollit në vend dhe gjithmonë paraqitet një kundërshtarë i papërshtashëm në terren vendas. Megjithatë ne do ti mbledhim forcat për të dhënë maksimumin dhe të kthehemi nga Shkupi me tre pikë.”, deklaroi sulmuesi i Shkëndijës, Hristijan Kirovski.

Trajneri Roy Ferençina përveç punës në teren, gjatë gjithë kohës me futbollistët ka punuar edhe në aspektin psiqik, duke parë se në këtë segment paraqitet një ngërç i madh në lojë. Dëshira e madhe për të ndihmuar ekipin të sigurojë fitore, në shumë raste ka sjellë momente egoizmi te lojtarë të caktuar dhe stafi teknik ka potencuar që kolektiviteti të vendoset para personales. Listës të futbollistëve të lënduar i bashkangjitet Stenio Zhunior, i cili ka pësuar zgjatje në muskulin e këmbës, ndërsa për shkak të dëmtimit të kyçit të këmbës nuk do jetë në kombinim edhe i riu, Shpend Asani. Dihet prej më parë që një periudhë më të gjatë mungojnë Egzon Bejtullai, Jasir Selmani dhe Deni Krleski. Përballja ndërmjet Rabotniçkit dhe Shkëndijës zhvillohet të shtunën në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ në Shkup, me fillim në orën 17:00.

Lajme të ngjashme

Back to top button