Strugë, shtohet besimi tek institucionet komunale, por edhe kërkesat

Qytetarët në Komunën e Strugës, janë bërë më kërkues kur bëhet fjalë, për lirimin e hapësirave publike, ruajtjen pastër të mjedisit, pengimin e ndërtimeve pa leje dhe kontestimin e atyre që janë  ndërtuar më herët.

Edhe subjektet ekonomike private që zhvillojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të ligjshme, duke paguar taksat dhe detyrimet tjera ndaj shtetit, janë gjithnjë e më kërkues në mbrojtjen e të drejtave të tyre. Ata gjithmonë e më shumë po i denoncojnë rastet  e keqpërdorimeve, të kësaj natyre  duke luftuar konkurrencën jolojale që u bëhet.

Kjo është përshtypja që ndan me Portalb, Agni Dauti inspektor Komunal, i cili sot  në mëngjes kishte dalë në punë në qytetin e Strugës, për të konstatuar pretendimet e qytetarëve për shkelje të natyrave që përmendëm më lartë.

“Qytetarëve u është shtuar besimi se ata mund t’i realizojnë të drejtat e tyre të munguara  për çështje që kanë të bëjnë me  pastërtinë në qytet, lirimin e hapësirave publike,  ndërtimet  pa leje, konkurrencën jolojale etj?”, thekson Agni Dauti, i cili konstaton se  krahas kësaj , si pasojë e shtimit të besimit në institucionet komunale,  janë shtuar edhe kërkesat e qytetarëve në raport me zbatimin e ligjit.

Ai madje, thotë se besimi në institucionet komunale është rritur tek të gjithë qytetarët pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.  Kështu sipas tij, ata jo rrallë shprehen se po e ndjejnë se disa nga problemet e tyre  kanë filluar edhe të zgjidhen. Në këtë kontekst, Dauti përmend pastërtinë më të madhe në qytet, rregullimin  e rrugëve, mbrojtjen e tregtarëve nga konkurrenca jolojale etj. 

Lajme të ngjashme

Back to top button