Shkëndija festoi 35 vjetorin e themelimit, dëgjoni himnin e ri (VIDEO)

35 vite përkushtim, 35 vite krenari, 35 vite ‘kuqezi’. Kjo ishte motoja e manifestimit të organizuar nga drejtuesit e KF Shkëndija, në shënimin e përvjetorit të 35-të të klubit para fillimit të përballjes së xhiros së 5-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë ndërmjet Shkëndijës dhe Renovës.

Manifestimi u hap me një referat në të cilin në pika të shkurtëra u përkujtua themelimi i klubit, vështirësitë e të së kaluarës, goditjet dhe ngritjet e vazhdueshme dhe momentet më të mira dhe titujt e fituar. Eventi u madhështua me praninë e themeluesve dhe gjeneratës së parë të futbollistëve të cilëve kryesia e klubit u kishte përgatitur nga një dhuratë në shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë dhe për faktin që në vitin 1979 i dhanë jetë ëndrës për formimin e një skuadre shqiptare të futbollit në Tetovë. Ndërkohë në pamundësi për prezencë fizike në këtë ndeshje dhe këtë event shumë të rëndësishëm, pronari i klubit, z.Lazim Destani përshëndeti të pranishmit me një letër.

“Të nderuar themelues të Klubit të Futbollit, Shkëndija. Të nderuar futbollistë të skuadrës së parë të Shkëndijës. Të nderuar menaxhues dhe futbollistë të Shkëndijës që nga themelimi e gjer më sot. Të dashur tifozë. Kam kënaqësinë që nëpërmjet kësaj letre, në këtë vit jubilar të Shkëndijës t’jua përcjell përshëndetjet e mia më të ngrohta. Të nderuar futbollistë të gjeneratës së parë dhe Ju themelues të Shkëndijës, dua të shpreh mirënjohjen time dhe respektin e thellë për punën dhe sakrificën tuaj për t’i dhënë jetë një ideje të kahmotshme që ishte në gjirin e popullatës së Tetovës. Ju ishit vërtetë shkëndija që e ndezi flakën e quajtur Shkëndijë, në një kohë shumë të vështirë. Dhe kjo flakë e Shkëndijës u bart brez pas brezi me shumë sakrifica ashtu siç bartet flaka e zjarrit olimpik. Këtë zjarr olimpik, tani më të shenjtë për të gjithë ne, duhet ta vazhdojmë ta mbajmë dhe ta ruajmë si të shenjtë. Respekti ndaj Jush është edhe zotim për përgjegjësinë tonë që kemi tani, pasi Ecolog-u  tha ‘Po’ që t’a mbështesë dhe sponzorojë Klubin e Zemrës. Po, për të mbajtur ndezur flakën e Shkëndijës, pasi kjo flakë buron nga miliona kandilë që ndriçojnë  në zemrat e të gjithë tifozëve të Shkëndijës, si dhe të gjithë sportdashësve në trojet tona. Sakrifica, energjia dhe emocionet tuaja të investuara  në themelet e Shkëndijës janë shumë të vlefshme për të gjithë ne, e në veçanti për futbollistët e gjeneratës së tanishme, pasi ata e dinë  se fanella e Shkëndijës përveç ngjyrave kuq e zi, si emblemë ka zemrat e të gjithë atyre sportdashësve që kanë kontribuar për Shkëndijën. Ata janë duke bërë dhe duhet të bëjnë çka është e mundur që ta nderojnë këtë fanellë të klubit tonë të zemrës. Tani më Shkëndija për të gjithë ne është më shumë se një klub futbolli,  pasi është krenaria jonë. Që nga themelimi e gjer më sot, për kapërcimin e të gjitha këtyre vështirësive dhe arritjen e rezultateve të shkëlqyera, në këtë përvjetor jubilar dua t’ju përgëzoj të gjithë juve, themelues, menaxherë dhe futbollistë për kontributin tuaj dhe për përpjekjet e sakrificat e mëdha që Klubin e Futbollit Shkëndija e bënë të quhet më shumë se një klub sporti. Gëzuar përvjetorin e 35-të  të Klubit tonë të zemrës. Dhashtë Zoti festojmë edhe shumë përvjetorë dhe suksese të tjera së bashku. Shkëndija mbi të gjitha!”, thuhej në letrën e pronarit të KF Shkëndija, z. Lazim Destani.

Tani më dihet se me sa zemër e shpirt u kyç në këtë përgjegjësi të madhe pronari i klubit z.Lazim Destani. Ai nuk lëshon asnjë mundësi që me vepra të ndryshme të plotësojë të gjitha nevojat e klubit, standardet krahasuar me ato të klubeve të huaja, e bile edhe më tepër se kaq. Për këtë përvjetor, jubile, ai me plot zemër kërkoi që të punohet një këngë, që do të bëhet dhe do të mbetet për breza me radhë Himni i Klubit tonë të Zemrës. Natyrisht gjithë këtë nuk mund ta përpunonte më mirë askush tjetër, përveç se sa grupi i njohur tetovar Elita 5! Tekstin e këngës e shkroi Vigan Sulejamni, muzikën e kompozoi Nexhat Mujovi-Virusi, ndërsa interpretimi i grupit ‘Elita 5’ ishte kulmi i atmosferës në këtë manifestim kushtuar përvjetorit të 35-të të Shkëndijës. Gjithë manifestimi u nderua edhe nga platforma Digitalb dhe kanalet Super Sport që për herë të dytë transmetuan direkt derbin Shkëndija-Renova, kësaj rradhe së bashku me manifestimin kushtuar 35 vjetorit të themelimit të ekipit ‘kuqezi’.

Lajme të ngjashme

Back to top button