Fjalimi përshëndetës!

Profesoresha Rajna Dragiçeviq u është drejtuar studentëve të saj në mbrëmjen e absolventiadës me një fjalim i cili ka vërshuar rrjetet sociale. Në mes tjerash, ajo ka porositur:

“Të dashur studentë të mi, të respektuar kolegë, profesorë të ardhshëm, Në ditën kur festojmë absolventiadën tuaj, provimi i maturës është shtyrë sepse testet që duheshin bërë, u shfaqën në publik. Kjo ngjarje është vetëm një nga manifestimet e shumta  të shkatërrimit të sistemit arsimor, ashtu si dhe atij shoqëror në të gjitha sferat. 
Duke ju parë kështu të ngazëllyer, të rregulluar, të ri e përplot energji, mendoja për atë nëse do t’ia dilni ta ruani këtë optimizëm edhe mbasi të diplomoni, edhe kur të ballafaqoheni me rrogat e ulëta, me nënçmimin e profesionit të profesorit, me nxënësit e painteresuar, me prindër që gjithmonë janë në anën e fëmijëve të tyre (edhe nëse kjo është në dëm të tyre), me presione të ndryshme dhe përçmim. 

Shumë gjëra rreth jush do t’ua vrasin motivimin…
Njerëz të ndryshëm analfabetë dhe gjysmë të shkolluar me shumë lehtësi vetë-quhen do farë piarësh (PR – Public Relations)* apo menaxherësh, udhëheqës(e) të paarsimuar(a) vetë-quhen gazetarë, ndërsa folk këngëtaret – artiste, të mos flasim për drejtorë, biznes konsulentë, wellness konsulentë, event koordinatorë, produkt dizajnerë…

Pas titujsh të lartë profesionesh shpesh fshihen hipokritë të cilët mendojnë se reputacioni mund të arrihet brenda natës, fshihen njerëz që ndërrojnë profesionet si çorape të ndyra. Mos harroni se askush nuk mund të vetë-deklarohet profesor, mjek apo gjykatës. Mos lejoni vetë-lavdëruesit dhe pronarët e vetë-bindur të restoranteve, firmave të ndryshme, avionëve privatë, banesave luksoze t’ju mbanë ligjërata për sukses – ata janë veç pronarë metrash katrorë!
Nëse ju e nënçmoni dhe dështoni vetveten, atëherë edhe rrethi do t’ju shikojë me përçmim…
Doni nxënësit tuaj, njoftoni ata me atë që e kanë në vetvete, përforcojuani reputacionin karshi vetvetes, dhe për asgjë në këtë botë mos dhuroni nota, por gjithmonë jepuni mundësinë të përmirësohen.
Mos ua mbytni vullnetin…Mësoni ta duan vendin e tyre. Shpesh mund t’i dëgjoni profesorët duke ju thënë nxënësve më të mirë që një çast e më parë ta braktisin këtë vend. Le ta ndryshojmë këtë! Mos i lejoni të shkojnë dhe t’ua lënë në dorë vendin plehrave! Jepuni detyrë jete të luftojnë kundër baltës në të cilën po zhytemi, mbilluni ndjenjën e përgjegjësisë dhe sqarojuni se askush nuk mund ta pastrojë këtë vend, përpos atyre vetë. Nisuni në luftë kundër të gjitha starletave, sponsorushave, këngëtariçkave, tajkunëve, biznesmenëve, dhe mundni ata. Për këtë luftë keni nga 45 minuta në ditë, çdo ditë pune, dhe kjo nuk është pak. Do t’ia dilni në këtë vetëm nëse dini shumë, nëse e doni atë që e bëni dhe nëse jeni të përkushtuar. 

Mos u varni veshin kolegëve tuaj të cilët nuk punojnë asgjë ndërsa marrin rrogë; mos u kushtoni vëmendje kalbësirave përreth jush dhe mos u dorëzoni përpara tyre!
Ju keni mision: nëse ia dilni mbanë që të riktheni autoritetin në shkolla dhe diturinë, të gjitha pengesat drejt një jete më të mirë do të shemben. Nga ora e gjuhës deri te reformat ekonomike; nga ora e gjuhës deri te lufta kundër korrupsionit; nga ora e gjuhës deri në gjithësi!
Dallimi ndërmjet jush dhe menaxherëve, koordinatorëve, pronarëve të ndryshëm të lokaleve, ekspertëve për të shitur pallavra, është që ata kanë në duar projekte, lokale, avionë…ndërsa ju e keni ardhmërinë e këtij vendi…!”

Përktheu nga maqedonishtja:
Kujtim Ramadani

Lajme të ngjashme

Back to top button