Maqedonisë ia jep emrin, ta merr edhe gjuhën?!

Duke ndjekur tendencën e vazhdueshme të injorimit të aplikimit të gjuhës shqipe në këtë shtet, sidomos në shembullin e çdo vit të përsëriturave rreth Mbrëmjeve strugane të poezisë, mendoj se parashtrohet si prioritet vrojtimi i fenomenit të qenurit kundër dhe atë vetëm gjuhës shqipe, si dhe rregullimi i kësaj çështje me zgjidhje të plota dhe afatgjate. Sa i përket këtij manifestimi tradicional poetik me vlerë ndërkombëtare, prej të rrallave gjëra kësisoj që ka Maqedonia, mendoj se është lehtë të vendohet një pikë mbi problemet e përsëritura mbi gjuhën shqipe për çdo vit. Dhe kjo duke qëndruar në dy premisa kryesore; e para se ky manifestim para se me qenë i Maqedonisë apo i ndonjë bashkësie brenda këtij shteti është një manifestim i Strugës. Siç edhe qëndron në emërtimin e saj. Dhe mbi premisën e dytë që duhet përfundimisht të rregullohet dhe sanksionohet edhe me dispozita ligjore më të detajuara e ajo është se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Maqedoni. Qoftë edhe në këtë rast kur, për fat të keq ende, në Kushtetutën e këtij vendi ajo është e emërtuar vetëm me një emërtim të përçudnuar si: gjuha që e flet bashkësia që numëron mbi 20%.

Ashtu pasi ky problem përsëritet çdo vit dhe aludon në fenomenin e çuditshëm të injorimit të gjuhës shqipe edhe në nivel qendror edhe në atë lokal, ndonëse një kësi praktike është qenësisht jokushtetuese duhet menduar për zgjidhje që të mos vijë deri te paradoksi që poezia të pëson nga gjuha. Ndonëse gjatë gjithë historisë së njerëzimit ka qenë e kundërta; poezia vetëm ka fisnikëruar gjuhët.

Njashtu është prioritet rregullimi në përgjithësi i aplikimit të gjuhës shqipe në këtë shtet pasi të njëjtat paraqiten në dy nivelet; edhe në atë qendror, ku ende në mënyrë jokushtetuese qeveria nuk ka faqen e vet të internetit edhe në gjuhën shqipe, e edhe në nivel lokal siç është rasti në Shkup dhe në Strugë.

Sa i përket trajtimit dhe shërimit të fobisë apo ndjenjës vetëm kundër një gjuhe siç është rasti me gjuhën shqipe në Maqedoni kjo mund të jetë punë e denjë për një aktivitet gjithëpërfshirës shoqëroro-kulturor të shqiptarëve të këtushëm që në mënyra të ndryshme do kyçte edhe shtetin e Shqipërisë. Një aktivitet i madh, nga institucionet arsimore e deri tek neve qytetarët e rëndomtë shqiptarë në Maqedoni, por të cilit do duhej patjetër të ia hapë dyert politika shqiptare në Maqedoni.

Sigurisht që për të mbajtur bluza me shkronjat unike shqipe siç janë –Y- dhe Ë nuk duhet politikë, por gjithsesi së pari duhet një artikulim politik për të hapë dyert për një aksion kulturoro-shoqëror për gjuhën shqipe në Maqedoni. I cili aksion përfundimisht do sillte rregullimin e kësaj çështje deri në nivelin të kuptohet dhe pranohet nga mbarë shoqëria se gjuha shqipe këtu nuk ka ardhur nga askund, por ka qenë gjithmonë këtu, shumë para se të konstituohet politikisht çfarëdo forme e shtetit këndej pari. Që prej kongresit të alfabetit, që për gjithë shqiptarët e botës është mbajtur mu vetëm këtu, në Manastir, në vitin 1908.

Dhe artikulimi i dytë politik, të cilit i ka ardhur moti koha, por që ja po na shtyhet për vjet e për mot, e ajo është se gjuha shqipe për shqiptarët është veçori identitare qenësore, që mund të krahasohet me atë që thonë maqedonasit për vete se ka çështja e emrit Maqedoni. Pra një ndërlidhje e çështjes ende të pazgjidhur të emrit të këtij shteti dhe përdorimit dhe emërtimit të gjuhës shqipe, mu ashtu siç edhe e ka ajo emrin e jo me numra, në Kushtetutën e vendit është një artikulim politik i menjëhershëm që duhet bërë qytetarët shqiptarë në këtë shtet.

Të ju besojmë pra fqinjëve tanë, siç edhe jemi duke i përkrahë politikisht deri në zvarritjen edhe të proceseve integruese të këtij shteti për në NATO dhe BE, për çështjen e emërtimit të popullit të tyre, por duke u sqaruar atyre me zotnillëk se ashtu disi edhe gjuha shqipe është e rëndësishme për shqiptarët. Duke parë historikisht dhe aktualisht fatin e kësaj bashkësie sllavisht folëse me krejt fqinjët tjerë, përveç shqiptarëve, që nuk i trajtojnë asnjëherë me zotnillëk ndoshta edhe është lehtë i mundshëm ky aksion politik. Fundja shqiptarët duhet tentuar këtë patjetër pasi janë këtu dhe duhet të kenë një artikulim politik, e sidomos për gjuhën e tyre e cila i dallon prej kombeve tjera dhe i njëson ato si komb mes vete.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button