Simeone pranon fajin: Kam gabuar

Diego Simeone e përqëndroi konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Rayo Vallecanon te një skualifikim i mundshëm i tij.

Në sfidën e Superkupës mes Atleticos dhe Realit që u luajt të Premten në “Vicente Calderon”, El Cholo pasi u ndëshkua me karton të kuq nga arbitri kryesor Fernandez Borballan i dha një goditje me pëllëmbë pas koke arbitrit të katërt në nerva e sipër, gjest ky aspak i hijshëm. Për veprimin që bëri trajneri argjentinas rrezikon deri në tetë ndeshje skualifikim nga federata spanjolle e futbollit.

“Për mua ajo është një çështje e mbyllur. Nuk është diçka e mirë të vazhdojmë të flasim për të njëjtën gjë. Ata që vendosin për këto gjëra do të gjykojnë se cili do të jetë ndëshkimi më i drejtë. Kur një person gabon është mëse normale që ai të paguajë për gabimin që ka bërë. Unë jam i qetë dhe nuk i trembem vendimit që do të marrë komisioni i disiplinës pranë Federatës Spanjolle të Futbollit. Dua të them gjithashtu se kam besim të madh te aftësitë trajnuese të ndihmësit tim German Burgos, pasi ne të dy e shikojmë futbollin në të njëjtën mënyrë”, transmeton supersport.

I pyetur mbi shanset që ka Atletico për të triumfuar sërish në La Liga, El Cholo preferoi të mos komentonte, ndërkohë që dha mendim e tij për merkaton e deritanishme që ka zhvilluar Atletico.

“Kemi bërë një merkato të mirë. Jemi në pritje edhe të një tjetër futbollisti por edhe nëse nuk vjen asnjë nuk shqetësohem, sepse kemi një grup lojtarësh shumë të mirë në përbërje, të aftë për të përballuar një sezon të gjatë e të lodhshëm”.

Mbrojtja e titullit për Atleticon do të nisë me transfertën e Vallecas përballë Rayos. Për këtë takim Simeone konfirmoi edhe një herë tjetër portierin Miguel Angel Moya, ndërsa tha se Vallecano është një kundërshtar shumë i rrezikshëm.

“Ndaj Rayos do të luajë përsëri Moya. Sa i përket sfidës dua të them se Vallecano ka një ekip me cilësi dhe i sigurt është fakti se do të na hapë shumë punë. Por pavarësisht gjithçkaje ne do të zbresim në fushë vetëm për tre pikët”./ Supersport

Lajme të ngjashme

Back to top button