Atentatet që ndryshuan historinë

Nga Julias Cesari deri tek atentati i Papës. 10 atentatet që ndryshuan rrjedhën historike.

-Lexoju (Muhammed) atyre (jehudive e të tjerëve) ngjarjen e vërtetë të dy djemve të Ademit, kur të dy flijuan kurban, nga të cilët njërit iu pranua. Ai (që nuk iu pranua) tha: “Unë do të mbys ty” (Kabili i tha Habilit). E ai (që iu pranua) tha: “All-llahu pranon vetëm prej të sinqertëve. (5:27) – Kuran

Ajeti i lartpërmendur kuranor, në formë të ngjashme përmendet edhe në Bibël ( Libri i Musës, Kapituli 4, Fjalia 8), gjë që tregon se vrasjet kanë zanafillën prej te djemtë e njeriut të parë në planet, Ademit.

Sa i takon fjalës atentat, ajo rrjedh prej latinishtes, “attemptare” që don të thotë “të përpiqesh”.

Historia e përpjekjeve dhe sukseseve të vrasjeve kundrejt rivalëve, heronjve, despotëve dhe njerëzve të fuqishëm është shumë e gjatë dhe aktuale. Në zgjedhjet e fundit në Irak, 2014, u bë atentat ndaj ministrave të këtij vendi. Në Europë, atentati i fundit kundrejt një kryeministri, ishte ai i vitit 2003 në Serbi, kundrejt Zoran Gjingjic.

Me rastin e 100 vjetorit të atentatit në Sarajevë,që u bë edhe shkaktar i nisjes së luftës së parë botërore, ne ju sjellim edhe 9 atentate tjera që ndryshuan historinë.

Gaius Julius Cesar (44 p.e.s.)

Edhe pse në zenitin e fuqisë së vet, Julius Cesar, i cili para pak kohësh kishte mposhtur edhe rivalin e tij Pompein, në momentin kur futet në pallat, 15 mars të 44 p.e.s, senatorët nxorën thikat e tyre dhe vranë atë.

„Edhe ti, Brut…”

Me 23 plagosje në trup dhe mes 80 të pranishmit në sallë, fjalët e fundit të Cesarit, ishin – Edhe ti, Brut..”, që ishte djali i tij. Kjo vrasje njihet në histori si një atentat kundër një tirani. Përveç pikturave dhe skulpturave të ndryshme, mbi këtë temë ka edhe shumë vepra letrare e historike, ku më së shumti spikat ajo e Shekspirit po me të njejtin emër. Ky atentat i parapriu atentatit tjetër të njohur në histori, asaj të Kleopatrës.

Napoleon Bonaparta (1800)

Autobomba e parë në historinë njerëzore është përdorur kundër Napoleon Bonapartës në vitin 1800, edhepse kjo armë do perfeksionohej pas 200 vjetësh te mafia siciliane. Vepër e rojalistëve, të cilët deshin të zbehin hovin që po merrte figura e re politike, ata nuk ia arritën qëllimin. Me autobombën e tyre, dëmtuan 46 shtëpi dhe vdiqën 8 persona, por jo edhe Napoleoni.

Perandoresha Elisabeth e Austro-Hungarisë (1898)

Me një emër të rremë, perandoresha austriake qëndronte e qetë në hotelin “Beau Rivage”, pranë Gjenevës. Por kjo nuk i shpëtoi anarkistit italian, Luigi Lucheni, i cili, arriti ta vërejë prezencën e saj. E ndodhur pa truprojat e saj në një shëtitje rreth liqenit të Gjenevës, në 10 shtator 1898 rreth orës 13:30, atentatori Luigi Lucheni e sulmon dhe e plagos rëndë. Pa ndjenja, ajo sillet në hotelin e saj, ku pas një ore ndërron edhe jetë.

Kujtimet rreth bukurisë dhe historisë së saj, vazhdojnë të jenë akoma aktuale edhe sot e kësaj dite.

Franz Ferdinandi (1914)

Pasardhës i fronit austriak, Franz Ferdinandi, në 28 qershor 1914 ishte duke vizituar Sarajevën, një vend i sapo sunduar nga austro-hungarezët. Shtuar faktit që ishte tokë e populluar me boshnjakë e serbe, që të dy komunitete jo fort besnike kundrejt Austrisë katolike; vizita e tij hasi në dy atentate të njëpasnjëshme, por që e dyta rezultoi fatale për jetën e tij.
Atentatori ishte Gavriel Princip, pjesë e një organizate nacionaliste serbe. Ky atentat hapi kutinë e Pandores, që rezultoi me Luftën e Parë Botërore, pasi Pashiqi nuk mund të plotësonte kriteret e vendosura nga Austria pas atentatit. Me ç’rast, filluan luftërat e njëpasnjëshme.
Sistemi komunist jugosllav e paraqet Gavrielin si prototip të bashkimit jugosllav, por ai më shumë se kaq, mbeti i dashur vetëm për nacionalistët serbë që e kremtojnë akoma veprën e tij.

Adolf Hitler (1939, 1944)

Sipas dëshmive historike, Adolf Hitleri u ka shpëtuar 40 atentateve, por dy prej tyre janë më të rëndësishmet.

I
Disa ditë pas fillimit të luftës, 8 Nëntor 1939, Hitleri duhej të mbante një fjalim propagandë. Bomba e përgatitur prej Georg Elser nuk arrin të kapë Hitlerin, pasi ky i fundit kishte shkurtuar fjalimin dhe gjatë shpërthimit të bombës, ai veçmë ishte larguar prej vendngjarjes. 8 nga 100 të pranishmit në sallë, vdiqën nga bomba e përgatitur për Hitlerin.

II
Në 20 Korrik 1944 Hitleri i shpëton një atentati tjetër. Edhepse 4 oficerë të tij mbeten të vrarë dhe ai vetë i plagosur lehtë, nuk u mundësua eliminimi i tij. Atentatori Claus Schenk Graf kapet befas, ku një ditë më pas ekzekutohet në Berlin.

Mahatma Gandhi (1948)

Si qëllim kishte të bashkojë hindusët me muslimanët, por shpesh ishte pjesë e sulmeve të fanatikëve. Një hindust nacionalist, në 30 Janar 1948 gjuan tre plumba kundrejt tij që i sjellin edhe vdekjen.
Merita e tij qëndron, se pas largimit të kolonizatorëve britanik, India u nda në dy pjesë në formë paqësore, India dhe Pakistani.
2 milion njerëz ishin të pranishëm ne varrimin e tij, ndërsa atentatori Nathuram Godse u dënua me vdekje. Fëmijët e Gandhit protestuan kundër dënimit kapital, pasi babai i tyre vetë ishte pacifist.

John F. Kennedy (1963)

Ai është ndër presidentët më të vlerësuar amerikan të kohës moderne, që bëri për vete jo vetëm amerikanët, por edhe europianët me thënien e tij të famshme “Ich bin ein Berliner”.
Në 22 Nëntor 1963 John F. Kennedy (1917 – 1963) udhëtonte sëbashku me gruan e tij, Jacqueline, me kabriolet të hapur përmes qytetit të Dallasit. Mes simpatizantëve dhe duartrokitjeve, rreth orës 12:30 dëgjohen tri krisma, e para nuk arrin trupin e presidentit, e dyta prek qafën e tij, ndërsa e treta goditën kokën e tij. Vrasësi ishte Lee Harvey që u kap një orë më pas në një kino. Dy ditë më pas vritet edhe atentatori, duke ia hapur rrugën ideve më të mëdha konspiracioniste të kohëve moderne.
Edhe sot e kësaj dite, vrasësit e vërtetë të tij nuk dihen.

Martin Luther King (1968)

Lufta e tij kundër racizmit dhe shoqërisë dyklasorë amerikane, e bënë Martin Luther Kingun hero të SHBA-ve, por gjithashtu edhe pjesë të atentateve të ndryshme. I njohur me thënien e famshme “I have a dream”, në 4 Prill 1968 ai qëllohet për vdekje në ballkonin e një hoteli të Memfisit. Ndihma e parë arriti shpejt, por një orë e 4 minuta më vonë, ndërron jetë edhe oratori më i njohur i kohëve bashkëkohore.
Atentatori ishte James Earl Ray (1998).
Ditëlindja e tij, 15 Janar, është festë kombëtare në të gjithë SHBA-në.

Papst Johannes Paul II. (1981)

Është 13 Maj 1981 dhe në bazilikën e Vatikanit ndodhen 30000 vizitorë. Papa Johannes Paul II. († 2005) është dukë udhëtuar ngadalë dhe duke bekuar të pranishmit. Rreth orës 17:17 turku Mehmet Ali Agca (23) nxjerr revolverin dhe qëllon mbi papën. Pavarësisht gjakderdhjeve, pas 4 ditëve, mjekët japin lajmin se papa nuk do ketë pasoja nga atentati.
Sipas disa historianëve, atentatori ishte pjesë e shërbimit sekret rus, KGB, që kërkonte zëvendësimin e papës. Ky i fundit luajti një rol të rëndësishëm në prishjen e sistemit komunist të fundshekullit të kaluar.

Azem Hajdari (1998)

Për të përmbyllur këtë shkrim, dëshironim që ta përfundojmë me një të historisë shqiptare, e ai është Azem Hajdari. I njohur për udhëheqjen e lëvizjes studentore dhe si njeri i guximshëm kundrejt komunistëve shqiptarë, ai bëhet shkak i shumë sulmeve dhe atentateve, që për fat të mirë u kishte shpëtuar deri atëherë. Një ndër atentatet kundrejt tij ishte edhe në mes të parlamentit shqiptar.
Vdekjeprurëse qëlloi atentati i 12 shtatorit 1998, ku pranë zyrave të Partisë Demokratike, ai u qëllua disa herë nga persona të panjohur, por që akuzohet Fatmir Haklaj.

Dy ditë më pas, fillojnë protestat mbarëpopullore në vend si pasojë e vrasjes së tij, ku mbeten disa të vrarë dhe dhjetëra të plagosur.
Azem Hajdari është shpallur martir i demokracisë në Republkën e Shqipërisë./ Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button