Topalli thyen urdhrin për bojkot, shkon te darka e Metës

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli thyen urdhrin e kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe kreut të grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, duke marrë pjesë në aktivitetet e kryeparlamentarit Ilir Meta. Topalli nuk ka refuzuar ftesën e Metës si ish-kryetare Kuvendi për t’iu bashkuar darkës së para pak ditëve për nder të delegacionit japonez.

Më 19 dhe 20 gusht, kreu i Parlamentit, Ilir Meta, zhvilloi takime me dy delegacione të huaja, një japonez e më pas një delegacion nga Gjermania. PD zhvilloi takime të veçanta me këto dy delegacione, ndërkohë që para largimit, z.Meta shtroi darkë për nder të delegacionit japonez, ku ishte e ftuar edhe Jozefina Topalli. Sipas protokollit, mësohet se të ftuar kanë qenë edhe deputetë të opozitës, të cilët janë edhe pjesëtarë të grupeve të miqësisë mes Shqipërisë, Japonisë dhe Gjermanisë. Por ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka thyer urdhrin e kryetarit Basha për bojkot të çdo aktiviteti të organizuar nga Parlamenti dhe Ilir Meta, edhe kur janë me të huaj.

Mësohet se Topalli ke qenë e pranishme në darkën e shtruar nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta, për Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë, Bunmei Ibuki. Topalli nuk ka nguruar të shkojë në darkë dhe për më tepër ka respektuar ftesën dhe aktivitetin e zhvilluar. Burime nga Kuvendi saktësuan se Jozefina Topalli është thirrur si ish-kryetare, ndërkohë nuk sqarohet a kanë qenë të pranishëm ish-kryetarët e Kuvendit, si Pëllumbi, Islami, Dokle, Gjinushi. Aktiviteti është bojkotuar nga nënkryetari i Kuvendit, Edmond Spaho.(BW)

Lajme të ngjashme

Back to top button