AKSIONI I ÇETNIKËVE

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve….

 

Tash edhe pala bullgare na e ka pranuar punën lidhur me organizatën e makedonstvujushçëve. Sipas z. Milevit në Revue Contemporaine data e kësaj nisme është viti 1919. Prej asaj kohe bëhet organizimi i qytetarëve tanë në jug me qëllim të shkëputjes dhe bashkimit me Bullgarinë. Sot gjithkush e ka të qartë se Maqedonia e pavarur është vetëm një mashtrim për Evropën dhe për një pjesë të emigrantëve nga territori ynë. Nuk duhet demant tjetër përveç ikjes së federalistëve te ne pas vrasjes së Stamboliskit. E mos ta përmendim vitin 1915 kur Bullgarisë fitimtare nuk i shkonte mendja fare që Maqedonisë t’i jepte së paku një hije autonomie. Ëndrra e megalomania sanstefaniane për dalje “në tri dete” e përcaktuan politikën zyrtare të një fisi luftarak të sllavëve të jugut ndonëse për një çast tmerrësisht të handikapuar. Dhe kokëfortë, pikërisht për arsye se i kemi farë e fis, ata u futën në një aventurë të re.

Me rastin e shqyrtimit të vendosjes së tyre së menjëhershme pas luftës që t’i bëjnë këta hapa, duhet t’i rendisim objektivisht faktet, të cilat i çuan të veprojnë kështu. Pas thyerjes ushtarake dhe paqes së Versajës dukej se të gjitha përpjekjet për bullgarizimin e Maqedonisë ranë në ujë përgjithmonë. Nacionalistët duhej të privoheshin nga depresioni shpirtëror. Për shkak të mbajtjes së dinastisë duhej pasur njëfarë ideali kombëtar: vështirë është të mbahen monarkitë përgjithësisht pa nacionalizëm. Vëmendjen e opinionit publik duhej larguar nga mjerimi, invalidët dhe shtëpitë e rrënuara. Emigracionin e komprometuar maqedonas duhej angazhuar në një renditje të re të gjërave. Këta njerëz duhej të mbaheshin materialisht, gjë që u arrit me zbatimin e këtij organizimi. Sot ka të dhëna të sakta për secilin vend në territorin tonë sa haraç i ka paguar organizatës bullgare. Shtipi 3052 lira të kuqe turke. Shën Nikolla i Ovçe Poles 150.000 dinarë, fshati Projovc, (27 shtëpi) 370 lira ari, Murgashi (një fshat i vogël) 60.000 dinarë, fshati Sokolarci (vlleh të pasur) 2 milionë leva etj. etj.

Dhe me të vërtetë gjatë vitit 1919 autoritetet ushtarake në anën e majtë të Vardarit lajmëronin nga vise të ndryshme se vërehej lëvizje e çetave bullgare. Ato çeta i largoheshin çdo konflikti, iknin nga patrullat më të vogla dhe fshiheshin nëpër male. Për ata që kishin marrë pjesë në punën e përtejkufirit, para lufte, puna ishte e qartë: bullgarët po organizoheshin. Policia nuk pajtohej me këtë mendim, e rrjedhimisht edhe regjimi, të cilin ajo e përfaqësonte dhe e informonte (një naçallnik qarku i pensionuar edhe sot pohon kështu në mënyrë që ta fshehë turpin e tij në raportet zyrtare).

Momenti ishte mjaft i volitshëm për ta realizuar këtë punë. Vendi ishte i shkatërruar, kufijtë të pambrojtur, ushtria e lodhur, e dobët, pushteti i pafuqishëm. Ata që kishin ardhur nga fronti i Selanikut, nuk kishin jorganë, ata të internuarit ishin pa një enë në shtëpi. Të gjithë me arsye ishin dhënë pas derteve materiale. E fitohej lehtë duke importuar mallra, të cilat nuk gjendeshin në vend. Shoferët bënin tregti, kamerierët bëheshin importues të mëdhenj, një sekretar i naçellstvës u bë ortak me Kahremanin, një turk, për shkak të të cilit aq shumë shtëpi serbi kishin qarë. Në hekurudhë vidhej me të madhe. Nëpër kisha nuk kishte kambana, në koka ndërgjegje. Dhe, në këtë pakujdesi për gjërat e përgjithshme nuk ishte vështirë të dilte me sukses një aksion me qëllim të caktuar edhe pa mbledhur mjete për sukses.

I shkonin për shtat njerëzit të cilët me autoritetet bullgare deri dje paktonin, “dejcat” (veprimtarët, shën. i përkthyesit) nga të cilët disa madje nuk ishin larguar nga territori ynë pas shpërthimit të frontit, nëpunësit e regjimit të ri, për shkak se nuk kishin kontakt me popullin.

Një maskë mjaft të mirë për punë antishtetërore e dhanë edhe partitë politike. Z. Shukaloviçit i dridheshin duart nga shqetësimi kur e lajmëronte z. Spiro H. Ristiçin se si Serbisë Jugore i është dhënë kushtetuta. Vetëm pas dy vjetësh njëri nga miqtë e tij z. Nikola Dimitrijeviçi, avokat, deklaroi se gjatë aferës me komitët e Shkupit se viseve të jugut nuk është dashur t’u jepet kushtetuta dhe se ai haptas e pranon se ka gabuar kur ishte angazhuar për këtë.

Çështja se a duhet t’u jepet kushtetuta viseve të reja rrjedh që nga vitet 1913 dhe 1914. Atë në mënyrë të veçantë e vunë në lëvizje punëtorët tanë kombëtarë nga koha e turkut përmes të “Vardarit” të Shkupit. I padurueshëm që të hyjë në parlament z. Gligorije Bozhoviçi e kishte para sysh vetëm Kollashinin e tij. Praktika dëshmoi se ka situata të papërshtatshme, kur jo vetëm se mbetet pa mandat z. Boxhoviçi, por kur z. Ferat Draga i merr të gjitha votat pranë  Vande Pop Vukajlovës. Për kushtetutë ishte edhe shpirti i shqetësuar i z. Ante Todoroviçit, para të cilit në atë çast nuk dilte për asnjë çast fantomi i z. Sherif Bajramit ose i z. Ramë Bllacës[1]. Edhe z. David Dimitrijeviçi, ndaj të cilit të gjitha regjimet në mënyrë konsekuente e zbatojnë atë “zezaku e bëri të veten”, ishte për kushtetutë duke mos e çuar mendjen te z. Ante Petroviçi nga Ballkani ose z. Toma Zdravkoviçi, Voja Nenadiçi nuk e kishte marrë me mend Gligor Anastijeviçin, as Pop Sava Jergiçi s’e kishte paraparë z. Puzderlijeviçin.

Kur Stojan Protiçi, si ministër i punëve të brendshme, i pyeti naçallnikët e qarqeve se a duhet viseve të jugut t’u jepet kushtetuta, të gjithë, përveç dy vetëve, u përgjigjën se nuk duhet. Dhe, kështu ajo nuk u dha deri në kohën e falimentimit, më 1915, kurse “Vardari” u ndalua jo për këtë arsye, po për shkak të aluzionit për korrupsion në radhët e nëpunësve.

Shpërthimi i frontit të Selanikut i solli kushtetutën Alzasit tonë në kohën kur francezët Alzasit të tyre i dhanë guvernator dhe regjim të posaçëm. Kështu edhe një herë u dëshmua se kombi ynë është më liberal nga ai frëng[2]. Dhe që ta vërtetojnë këtë nga ana e tyre bullgarët dhe arnautët nisën të organizojnë aksione komite e kaçake në stil të lartë[3].

Rrethanat diktuan që partitë politike të bëhen mbrojtëse të jatakëve të komitëve dhe të kaçakëve. “Socijalistiçka zora”, organ i komunistëve të Shkupit çirrej me të gjithë forcën pse udhës për në Gjakovë na qenka vrarë një agjitator komunist, arnaut (fjala është për vrasjen e Zef Lush Markut, kurse autori për arsye politike nuk ia përmend emrin. Shën. i përkthyesit). “Demokrat”-i i mbronte “bashkëmendimtarët” e vet, kurse “Stara Sërbija” radikaliste të vetët. Vrasjet e serbëve udhëve, nga prita ose për shkak të hakmarrjes regjistrohen vetëm si dukuri, të cilat dalëngadalë e fitojnë të drejtën qytetare (Edhe sot e gjithë ditën flitet për vrasjet fiktive të sllavëve nga ana e shqiptarëve. Shën. i përkthyesit). Prandaj nuk është larg nga e vërteta ai pohim se për pesë vjetët e fundit të qeverisjes sonë janë vrarë më shumë serbë se sa për pesëdhjetë vjet të sundimit turk (Sot vriten shqiptarët).

Kur nisën konfliktet me çetat e komitëve në vitin 1920, u bënë zgjedhjet komunale dhe parlamentare. Atje ku ishte bërë organizimi, për kryetarë komune u votuan shefat e këtyre organizatave. Kjo shihet sot me rastin e zbulimit të tyre (rasti në Carrasellë, në komunat e rrethit të Strumicës etj. Domethënë autoritetet policore deri më tash u kanë dhënë urdhra për ndjekjen e komitëve vetë kryetarëve të komitëve. Prandaj edhe suksesi ka qenë i tillë. Sipas pohimit të z. Zhika Laziçit në “Vreme-n” e atëhershme autoritetet vetëm vitin e kaluar kanë vrarë tetëmbëdhjetë komitë. Me supozim se ata në numër janë një mijë e sa, del konkluzioni ngushëllues se ne do të shpëtojmë nga kjo e ligë pas 56 vjetësh (autori e sheh zgjidhjen në vrasjen e njerëzve vit për viti. Shën. i përkthyesit), nëse ata zellin e njëjtë e për çdo vjet iu humbin farën komitëve duke hequr nga tetëmbëdhjetë koka të tyre.

Është edhe një punë edhe më e vështirë. Të gjitha “udhëzimet për mobilizim” dhe aktet tjera të besueshme, të cilat i ruanin “mbyllur me dry” ata kryetarë komunash, tash janë pronë e gjeneralshtabit bullgar. Në këtë mënyrë nuk ka pasur nevojë të komprometohet atasheu ushtarak bullgar në Beograd edhe për këso punësh të imëta siç ishte i detyruar për një punë të këtillë z. Forgaçi në kohën e vet. Ne shkupjanët megjithatë jemi të lumtur në këtë aspekt. E gjithë kjo dosje e besueshme do të jetë me siguri në duart e kmetit të parë z. Fahri Gjulbegoviçit, redaktorit shumëvjeçar të “Hakut”[4].

Doli i pasaktë edhe ai pohimi se përmes partive do t’iu jepet një frymë e veçantë e ndjenjave të popullsisë në jug. Pikërisht në përcaktimin partiak ajo e ruajti karakterin “e masave flotante”. Në fillim anonte kah komunistët thuajse Maqedonia është visi më i zhvilluar industrial brenda shtetit. Pas kësaj hynë në modë demokratët, e më në fund radikalët. Tash e keni këtë paradoks. Z. Dobrica Matkoviçi, zhupani i madh i Shtipit për të cilin, përndryshe, tregojnë shumë gjëra të mira, i don raportet e shkurtëra telegrafike. Në mënyrë që Ministria e Punëve të Brendshme mos të grindet shumë me Ministrinë e Postave dhe të Telegrafëve, ai raporton për zgjedhjet për deputetë: Të dy deputetët janë tanët”. E kur bëhen zgjedhjet komunale, përsëri shturtimisht: “Të gjitha komunat janë tonat”. E pastaj nëse partia radikale është ultraserbe e shtetformuese, atëherë të tillë janë edhe bregallnicasit. Mirëpo ne të gjithë e dimë se çfarë telashesh të dhembshme na paraqesin ata në pikëpamje të sigurisë publike.

Megjithatë kushtetuta e dhënë njëherë nuk mund të suprimohet pa kompromitim të përgjithshëm. E kështu ujin, të cilin kemi mundur ta anashkalojmë, tash duhet ta shkelim. Dhe do të ngulfatemi në të.

Organizimi është bërë fero ignique. Kushtetuta e organizatës komite e cili u botua tekstualisht në “Politikë”, vitin e kaluar, i parasheh vojvodët e fshatrave, vojvodët rajonalë, korrierët, kuvendet, detyrat e anëtarëve, tatimet dhe vdekjen si dënim i veçantë. Në të nuk theksohen në mënyrë të veçantë gjobat e mëdha në të holla, rrahjet, djegia e shtëpive, prerja e hardhisë fisnike si mjete të rëndësisë së dorës së dytë. Se asgjë nuk mund të krahasohet në botë me madhështinë e vdekjes, ka thënë një poet. Dhe para tij u përkul popullsia në anën e majtë të Vardarit. Kështu do të veprojë edhe ajo nga ana e djathtë, nëse ajo sigurohet në masë të njëjtë nga autoritetet shtetërore. Z. Zhika Laziçi ose nuk e di ose e hesht me urti faktin se pikërisht këto ditë bëhet organizimi atje poshtë, në Prespë.

Shtypi ynë me të drejtë i ka dënuar këto vepra barbare. Dhe me të vërtetë gjithçka varet nga ajo se në ç’prizëm i shikojmë gjërat. E keni dëgjuar, ndoshta, sekretarin kryesor të Bashkësisë së krishterë nga Londra, i cili pohon se shkaku i gjendjes së vështirë në Irlandë është se njerëzit s’e lexojnë Ungjillin. Dhe, ai ka të drejtë. Se të ishte mbështetur Dë Valera në Dhiatën e re, ai politikës angleze do t’ia kishte ofruar edhe faqen tjetër për shuplakë. Kështu do të bënte edhe Todor Aleksandrovi po të mos kishte menduar se qëllimi i arsyeton mjetet, se ajo punë që bën nuk është humane, mirëpo është praktike në pikëpamje të suksesit dhe se ai vajtimeve dhe moralizimeve të shtypit nuk u jep rëndësi, po investon në efekte, të cilat do të dalin pas masakrës.

Shteti nuk mundi ta durojë një organizatë të tillë dhe midis tyre ndodhi një dialog interesant në stilin e moralistëve të shekullit tetëmbëdhjetë:

– Unë nuk mund t’ju lë këtu dhe do t’i përdor të gjitha mjetet që t’ju përzë.

– Për cilat mjete mendoni?

– Në radhë të parë ushtrinë.

– Ushtria nuk mund të na bëjë gjë. Derisa të arrijë një batalion në pozitat tona ne do të jemi në qarkun tjetër.

– Po unë e kam xhandarmerinë, e cila mund të vihet në lëvizje më lehtë dhe e cila është e vendosur si stacione në drejtimet tuaja dhe nëpër fshatra, të cilat ju simpatizojnë.

– Neve gjithmonë do të na informojnë të besuarit tonë për lëvizjen dhe për praninë e xhandarmerisë. Korrierët do të përcjellin në siguri të madhe. Dhe nëse biem në konflikt, a jeni të bindur se do të luftojnë me zemër njerëzit të cilët nuk janë të udhëhequr nga oficerët?

– Kjo është e vërtetë. Vetëm se unë me kohë do të kem mundësi ta zbuloj nga ndonjë organizatë tuajën, e do ta burgos dhe do ta nxjerr para gjyqit.

– Përsëri nuk do të keni shumë sukses, kurse edhe në këtë mënyrë do të bëni një shërbim. Para së gjithash, sipas kushtetutës suaj fajtorët politikë nuk dënohen me vdekje. Nëse e zbatoni ligjin për mbrojtjen e shtetit, ne do ta marrim avokatin të na mbrojë. Dhe, atëherë mund të vriten dy veta, tre, disa mund të shkojnë në burg, kurse të tjerët do të jeni të detyruar t’i lëshoni. Megjithatë ne fitojmë. Se edhe ata që janë në burg si dhe ata që kanë qenë bëhen martirë dhe armiq për ju. Le të jenë njëqind njerëz të tillë. Secili prej tyre ka tre anëtarë të familjes. Pra kemi treqind veta, të cilët do t’ju urrejnë. Secili syresh nëse ka tri familje të afërta farefisnore, ju dalin tashmë gjashtëqind armiq. Kurse ne nuk kërkojmë asgjë tjetër.

– E di, po aleati im është koha.

– Po ne për këtë arsye ekzistojmë që mos t’ua japim këtë kohë.

Dhe shteti pas këtyre bisedave binte në mendime për çështjen e komitëve. Vetëm z. Zhika Laziçi shkonte që shtypit t’ia diktojë deklaratat optimiste për gjendjen e sigurisë publike në jugun tonë fatkeq.

 

*

Shumadijasit të cilët këto anë i duan më shumë se Shumadinë dhe staroserbijanët të cilët sot s’i pyet kush për asgjë e kanë ditur gjithmonë se cila është zgjidhja e këtij problemi. Ata i mundonte në mënyrë të veçantë mendimi, i cili nisi të akreditohej ndër masa se shteti nuk është në gjendje t’i kundërvihet veprimit të atyre, të cilët aq me sukses i mposhtëm në vitin 1912. Krijohej një përshtypje sikur jemi një komb inferior. Paaftësia e qarqeve qeverisëse po e nxinte oreolin tonë të trimave nga luftërat dhe e po e asgjësonte krenarinë e brezit, e cila sakrifikoi gjithçka dhe “e dogj altarin”. Ndërkaq historia me këmbëngulje vërtetonte se ne jemi një komb me vullnet të mirë dhe se dobësia e një regjimi nuk duhet të ngrihet në shkallë të veçantisë së një populli. (Parulla të ideologjisë serbomadhe, të cilat përsëriten edhe sot, pa kurrfarë ndryshimi, madje. Shën. i përkthyesit).

Aksioni i çetnikëve eliminohet me aksion të çetnikëve, organizata – me kontraorganizatë.

            Vetëm vënia në lëvizje e reparteve çetnike, armatimi i njëjtë, një taktikë luftarake dhe metodat e njëjta në përgjithësi mund ta paralizojnë në start aksioni armiqësor të çetnikëve, pastaj mund ta eliminojnë dhe më në fund fushën e luftës ta zhvendosin në territorin kundërshtar.

Për realizimin e këtij plani duhen prijës të vendosur, moral i lartë dhe një disiplinë e hekurt.

Mirëpo që t’i mundësohet të marr hov, të marrë flatra, aksioni i tillë, duhet të sigurohet e gjithë ajo që e ka dhe armiku: organizatën e njëjtë. Nuk mund të çetohet nëpër fshatra me disponim armiqësor, pa të besuar, korrierë, vojvodë të fshatit, shtrofka armësh dhe ushqimi.  Organizata jonë do të merrte fshat pas fshati nga organizata armiqësore, t’i organizojë në mënyrën e vet, t’i mbrojë nga sulmi, të betohet në besnikëri, dhe me secilin, i cili s’i përmbahet betimit të dhënë, të veprojë si me tradhtarin. Kjo është shpikje jona ballkanike qysh nga kohët e turkut. Edhe ne edhe bullgarët e kemi mësuar popullin me kësi sistemi dhe ky sistem nuk do t’i vinte rëndë popullsisë në territorin e rrezikuar. Më në fund pse ta kenë bullgarët patentin e të qenit makedonstvujuçi? T’i bëjmë edhe ne makedonstvujuçit tonë. Vetëm këta tanët duhet ta kenë në zemër të vërtetën e ndritshme: sikur ta kishim blerë këtë tokë me të holla, do të na kushtonte shumë më lirë se kështu që e kemi fituar me gjak.

Sikur të pranohej kjo pikëpamje, do të kishte pasur mundësi që menjëherë të fillohet abolicioni i të gjitha proceseve dhe amnistia e të gjithë të dënuarve për vepra të tilla siç janë ndihma e dhënë komitëve në ushqim, në lëvizje nëpër male ose për shkak se kanë hyrë në organizatën armiqësore nën kërcënimin me vrasje ose me djegie të shtëpive. Këto faje do t’u mbeteshin më vonë si një ëndërr e keqe.

Një situatë e këtillë do të kishte pasur ndikim dhe peshë më të madhe në qëndrimin e Bullgarisë. E vetëm atëherë, ndoshta, edhe Bullgaria do ta shihte se shpëtimi është te bashkimi i sllavëve të jugut, e jo në bomba e kama. Po deri atëherë – me metoda të njëjta!

5. -9. -923.


[1]Autori nuk durohet në asnjë shkrim të vetin që të mos i fyej shqiptarët, siç veprojnë edhe sot e kësaj dite autorët serbë.

[2]krekosje

[3]Autori e ka fjalën për kryengritjet e përbashkëta të shqiptarëve dhe të maqedonasve kundër pushtetit okupues serb. Për këto kryengritje hesht historiografia zyrtare maqedonase, ndërsa historiografia shqiptare mrizon nën hijet e trasha të marksizëm-leninizmit

[4]tallje


 

LEXO PJESËN PARAPRAKE: KOLONIZIMI

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button