Remitancat e shqiptarëve e mbajnë gjallë ekonominë e Maqedonisë

Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia janë vendet në të cilat dërgesat e emigrantëve (remitancat) ose transfertat luajnë rol vendimtar në ekonominë e vendit. Por, të dhënat për atë se sa arrin vlera e këtyre dërgesave jo gjithmonë përputhen me njëra-tjetrën kur deklarohen nga burime të ndryshme.

Banka Popullore e Maqedonisë, ndërkaq ka bërë të  ditur se në periudhën janar-korrik të viti 2012 remitancat kapën vlerën 897,4 milionë euro. Dhe pikërisht në kushtet kur investimet e huaja, sipas ekspertëve, vitin që shkoi ishin dyfish më të ulëta nga viti 2011, shpëtimi i ekonomisë së vendit ka ardhur nga të ardhurat që sjellin emigrantët që jetojnë jashtë vendit. Janë pikërisht këto të ardhura, thonë ata, që ngushtojnë deficitin.

Ekonomistët, pra janë të të njëjtit mendim për dobinë që ka ekonomia e vendit nga dërgesat e emigrantëve. Ata thonë se pikërisht janë këto dërgesa, ato të cilat i japin stabilitetin e nevojshëm ekonomisë, në kushtet e zhvillimeve negative në sektorët e ndryshëm të ekonomisë.

Ish Ministri i financave Xhevdet Hajredini deklaroi për Portalb, se  ekonomia e vendit nuk shkon në kolaps pikërisht falë dërgesave të emigrantëve, të cilët në pjesën dërmuese, apo 90 përqind janë shqiptarë.

Kryeministri Gruevski dhe Ministri i financave, Zoran Stavrevski  e mbajnë të fshehtë vlerën e remitancave. Megjithatë, dihet që ato arrijnë  afro ¼ e prodhimit bruto të vendit apo rreth 2 miliardë euro, 90 prqind e së cilës shumë, sillet në vend nga emigrantët shqiptarë”, thekson Hajredini.

Ai shton se me këto para mbulohet deficiti tregtar, mbahet stabil denari, krijohen rezervat devizore dhe mbahet përgjithësisht gjallë ekonomia e këtij vendi. “Pa këto para Maqedonia do të binte në kolaps ekonomik”, thekson Hajredini.

I të njëjtit mendim me ish ministrin e financave, Xhevdet Hajredini  është edhe profesori i  Fakultetit Ekonomik të USHT-së, Petrit Pollozhani, i cili thekson se emigrantët për  çdo vit vendit i bien të ardhura, të cilat në gjuhën ekonomike quhen transferta (dërgesa).

“Ata kanë ndikim shumë pozitiv për ekonominë e vendit. Maqedonia është një vend që më shumë importon se eksporton, por edhe pse ka deficit të madh tregtar, nuk ka problem me rezervat devizore, sepse pikërisht transfertat e emigrantëve e mbulojnë këtë vakum”, pohon Pollozhani.

Ai përmend vlerën e përafërt prej 1 miliardë e 300 mijë eurosh që vijnë në mënyrë të drejtpërdrejt  ose jo të drejtpërdrejtë  në vend, por nuk përjashton mundësinë që vlera të jetë edhe më madhe, sepse  një pjesë e tyre nuk kalojnë nëpër sistemin  e pagesave të vendit.

“Ky është një injeksion shumë i fortë për ekonominë. Maqedonia vetëm si rezultat i këtyre transfertave , sidomos të shqiptarëve, mbahet në këmbë, domethënë nuk  ka probleme me rezervat, nuk ka probleme në sferën monetare, dhe as  me investimet, sepse këtu investohet në forma të ndryshme”, thotë për Portlab, Petrit Pollozhani.

Ai vlerëson se remitancat janë një impuls shumë i fuqishëm për ekonominë e Maqedonisë, sepse  këtu vijnë para kesh në sasi të mëdha, në sajë të  investimeve në sektorin  ndërtimit, i cili punon me të gjitha kapacitetet,  ashtu si dhe sektori i shërbimeve, si përshembull hotelet, restorantet,  që tre muaj rresht  punojnë me kapacitete të plota. /Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button