Fotografia në Instagram, superfoto me dy klikime

Miliona amatorë postojnë fotografi të ndryshme në rrjetin Instagram. Miliona foto kanë vërshuar në këtë platformë. Sa mund të rrezikojnë ata fotografinë profesioniste. Një vështrim në 175 vjetorin e fotografisë.

Justin Bieber ka 20 milionë fansa në platformën e tij fotografike në Instagram. Ylli i popit poston me shumë zell ‘selfie’, fotografi automjetesh, takime me miq, me cigare në pishinë. Ndërsa këngëtarja tjetër e njohur, Rihanna, me 1,2 milionë fansa tregon në foto fundin e saj të ri, byzylykun e dorës, këpucët e reja. Boris Becker, ish-ylli i tenisit me 45.000 fansa, poston foto të tij, të djemve apo proverba. Po kështu miliona vetë në botë ndjekin shembullin e yjeve dhe postojnë ç’të mundin: Gishtërinjtë e sapolyer me manikyr, tavolinën e shtruar bukur për mëngjes, një ‘selfie’ me mikun më të mirë pas festës së një nate më parë. Instagram ofron momente që njerëzit duan t’i ndajnë me të tjerët.

Kjo platformë fotografike tingëllon fillimisht si një pikëtakimi në rrjet, ku një fotograf profesionist nuk futet. Realisht nuk është kështu: Shumë artistë e përdorin Instagramin për të prezantuar punimet e tyre – dhe kanë qindra mijë fansa.

Fotografi amerikan Kevin Russ me javë të tëra me makinë fotografon peizazhe dhe natyrën e egër, po ashtu edhe kolegu i tij kanadez, Janske, i poston fotografitë në rrjetin Instagram. Në këtë platformë të bie shpejt në sy se dizajnerët janë artistët më të dashur, aty bën pjesë edhe fotografi berlinez Sebastian Weiss, me më shumë se 110.000 fansa që shohin fotografitë e tij arkitekturore. Weiss fokusohet tek detajet e ndërtesave dhe ka stilin e tij të ngjyrës. Grafisti është i entuziazmuar për platformën: “Instagram është një mundësi shumë personale për të shkëmbyer fotografi. Fotografinë unë e bëj me telefon të mençur, dikush tjetër e shikon atë në celularin e tij, të duket sikur i dikujt tjetër i jep dorën – pra një lloj rrokje duarsh në formë digjitale”. Fotografi gëzohet për komentet që i bëjnë përdoruesit. “Një grua më shkroi njëherë, se pas një ditë të vështirë pune kishte parë në internet fotot e mia dhe është ndjerë mirë. Ishte një gjë shumë e bukur”.

Vërtet në Instagram sundon një atmosferë pozitive. Aty ka lëvdata, duartrokitje, ‘like’ sa të duash. Disa dërgojnë falënderime ose iu përgjigjen pyetjeve të fansave. “Çdokush ka gjetur këtu atë që dëshiron”, thotë fotografi Weiss. Njerëzit zhvillojnë stilin e tyre, nuk ka rëndësi për çfarë bëhet fjalë, për modë, peizazh apo njerëz. “Sigurisht që ka shumë foto pa cilësi, po çdo fotografi ka të drejtën e saj”.

Artisti fotograf nga Këlni, Mario van Middendorf, nuk e përdor këtë platformë. Për të, fotografitë aty janë shumë të vogla. Sipas tij, fotografitë me cilësi kanë nevojë për formate të mëdha – gjë që nuk është e mundur me Instagram. Në rast se do të zmadhosh foto të tilla, atëherë ato e humbasin cilësinë. “Është për të të ardhur keq. Unë i marr seriozisht njerëzit që postojnë fotografitë aty, madje ka mjaft ambiciozë”.

Por ai nuk e sheh si konkurrencë Instagramin. Gjithçka fillon me mjetet e punës. “Unë përdor një kamera reflektuese të cilësisë së lartë, të tjerë përdorin telefona të mençur për të bërë fotot, secili ka metodat e veta. Por, ai pohon se “spontaniteti tek fotot që ofron Instagram është i paarritshëm. Interesante është edhe fakti që fotografitë përpunohen drejtpërdrejt aty ku edhe bëhen. Në celular”.

Lajme të ngjashme

Back to top button