Lulzim Basha masakër në Tiranë, leje për pallat para zyrës së Adriatik Llallës, dy kulla tek shtëpia e Berishës

Disa muaj para largimit nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe i vetëdijshëm për disfatën që e pret në 2015, Lulzim Basha ka nisur një masakër ndërtimesh, ndoshta më të pamëshirshme që nga themelimi i kryeqytetit shqiptar, me pasoja të rënda për Tiranën dhe qytetarët e saj.

Pas dështimit spektakolar me 27 premtimet më të bujshme, të artikuluara para se të katapultohej në krye të Bashkisë së Tiranës me kutitë e shqyera në tavolinën e Arben Ristanit, Lulzim Basha ka firmosur me qindra leje ndërtimi për klientët e SHQUP-it dhe familjes Berisha, duke asgjësuar edhe hapësirat dhe frymëmarrjet e fundit në Tiranë. Denoncimi i katër kullave në vend të ndërtimit të xhamisë në Sheshin e Namasgjasë, pasuar me denoncimin e një pallati 20-katësh tek Liqeni Artificial, është vetëm maja e ajzbergut. Vetëm javët e fundit, me firmën e Lulzim Bashës, kanë nisur të ndërtohen dy kulla gjigante pranë pallatit ku banon sot familja e ish-kryeministrit, Sali Berisha, defakto kryetar i PD, kryebashkiak i Tiranës, president, kryeprokuror, kreu i SHISH etj. Dy ndërtesat e reja, pa i hyrë procedurave të dhënies së lejeve, duken hapur se po ndërtohen në mënyrë të paligjshme, pasi janë ngjitur me pallatet ekzistuese. Ndërkaq, një tjetër pallat, si për ironi, po ngrihet me shpejtësi përballë zyrës së kryeprokurorit, Adriatik Llalla. Një hapësirë që kishte mbetur përballë Prokurorisë së Përgjithshme, është rrethuar me shpejtësi, ndërsa brenda rrethimit ka nisur të mbijë një tjetër pallat. Por, në territorin që mbulon Bashkia e Tiranës, po ndërtohen paralelisht me dhjetëra, për të mos thënë me qindra pallate shumëkatëshe, duke e kthyer Tiranën në një qytet përbindësh dhe përfundimisht të pabanueshëm. Ndërkaq, pas këtyre ndërtimeve dhe lejeve për pallate, mësohet se fshihet Shkëlzen Berisha, kunati i Lulzim Bashës dhe një rrjet sekserësh dhe klientësh të familjes së Sali Berishës. Bashkia e Tiranës është pushteti i fundit që ka mbetur në duart e familjes së Sali Berishës, pushtet i cili pritet të dorëzohet në verën e vitit 2015. Por, deri atëherë, nëse nuk ndërhyn prokuroria dhe organet ligjzbatuese, pasojat mund të jenë fatale.

Njolla e ndërtimeve

Lejet i janë dhënë me shpejtësi një klientele pranë Lulzim Bashës, për shkak të konsumimit të mandatit si kryebashkiak si dhe shanseve të pakta për t’u rizgjedhur edhe një herë në krye të Bashkisë së Tiranës. Njollat e ndërtimeve në Tiranë janë caktuar nga një familjar i Sali Berishës dhe Drejtori i Përgjithshëm i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit, Florian Pustina. Ky i fundit ka hartuar planet e detajuara vendore, në funksion të krijimit të hapësirave për ndërtimin e pallateve.

Plani urbanistik

Është skandali më i madh i Lulzim Bashës pas rrugës Durrës-Kukës. Plani i ri Rregullues për Tiranën, një produkt i errët i kryebashkiakut të votave të vjedhura dhe i familjes Berisha, reflekton historinë më të zezë korruptive dhe kriminale në 23 vite pluralizëm, me pasoja fatale për të ardhmen e Tiranës dhe qytetarëve të saj. I kamufluar me zgjatjen e bulevardit deri në Paskuqan dhe i trumbetuar nga Sali Berisha si Kushtetuta e Tiranës, plani për kryeqytetin ngërthen në vetvete planin mafioz të familjes dhe të Saliut të vogël në bashki, për të asgjësuar hapësirat e gjelbërta si dhe për të pushtuar Tiranën me pallate shumëkatëshe. Plani kriminal për Tiranën është gatuar me urdhrin e Lulzim Bashës në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit, Florian Pustina. Konsultimet me qytetarët dhe me grupet e interesit, ishin një mashtrim dhe fasadë me natyrë po aq kriminale sa edhe parashikimet e planit./ SotNews/

Lajme të ngjashme

Back to top button