Ja si doktorohen të huajt tek universiteti i Henri Çilit pa ditur gjuhën shqipe dhe pa leje qëndrimi në Shqipëri

Skandali me doktoraturat në UET tashmë nuk është vetëm një çështje që i përket Shqipërisë. Kosova ka qenë e para që ka bllokuar doktoraturat e këtij universiteti privat. Por, ndërsa Kosova nuk i njeh më doktoraturat e këtij universiteti, qeveria shqiptare nuk e shkriu piramidën mashtruese të Henri Çilit. Agjencia zyrtare e Kosovës deklaroi se në këtë universitet jepen 300 doktoratura në vit dhe si qëllim nuk është cilësia, por vetëm lëshimi i tyre. Prej disa ditësh mediat po denoncojnë faktet e plota që vijnë nga Raporti Zyrtar, i Ministrisë së Arsimit, e cila ka hequr shumë licensa universitetesh, por në fakt e para duhet të ishte UET. Shkeljet në këtë institucion arsimor janë pa fund dhe vetë kontrollorët i kanë përmendur në rreshta, por nuk ka pasur asnjë vendim nga eprorët e tyre. Vetë Ministria e Arsimit nisi publikimin e raporteve të kontrollit, por vetëm të atyre që u janë hequr licensat. Me apo pa shkelje atyre tashmë ju është dhënë një vendim, shqiptarët duan të dinë këta që ngelën në treg çfarë specifikash kanë? A i plotësojnë kriteret apo vetë reforma në arsim ishte për të çuar studentët në dy apo tri duar, që janë pranë qeverisë? Jo si paragjykim, por si fakt që vjen për shkak të problemeve që ekzistojnë në UET, apo gjetkë ku nuk është marrë asnjë masë.

Fakte nga raporti

Në vijim të shkrimit të parë për “Piramidat e Doktoraturave në UET” po sjellim të tjera fakte nga raporti, që në fakti Ministria e Arsimit duhet ta bëjë publike dhe të sqarojë pse është toleruar UET e Henri (Naim) Çilit, që së shpejti pritet të bëhet Mega Kioska e universiteteve shqiptare. Naimi afër Ramës me Fugën, Sekretarin e Ministrisë, njerëzit e tij, të cilët si vemje, janë shtrirë kudo në politikë, në të gjitha krahët. Këtë e thotë edhe slogani i tij “Ne jemi kudo” dhe vërtet Çili me diplomat e prodhuara në shkelje të ligjit është kudo. Sot po i bën edhe doktorë, së shpejti do japë tituj “profesor” që në gjimnaz me ritmin dhe mënyrën sesi vepron ky institucion.

Si doktorohen shtetasit turk

Në raport vjen një rast flagrant, ku një shtetas turk ka mungesë dokumentacioni, për më tepër certifikatën e Gjuhës Shqipe. Për shtetasin e huaj Nazim Ahmet Turan Cinni, i regjistruar në studimet e doktoratës për vitin 2013-2014, mungon kopje e lejes së qëndrimit, vërtetimi i punës dhe vërtetimi i Gjuhës Shqipe. Këtu ngrihet pikëpyetja e një diplome të mundshëm fallco. Si mund të studiosh tek Çili pa leje e dokumente ligjore, ketë duhet ta sqarojë Ministria e Arsimit. Në raport lexojmë një fakt që të bën të dyshosh për regjistrime e ç’regjistrime sipas qejfit, që të çon tek dyshimi janë shitur apo jo?

Çështja e çregjistrimeve

Studenti që nuk plotëson dokumentacionin, regjistrohet me kusht. Nëse nuk i plotëson brenda semestrit të parë, çregjistrohet dhe për këtë mbahet procesverbal. Sipas listave të vëna në dispozicion, rezultojnë 43 studentë që kanë pezulluar studimet e doktoraturës. A janë çregjistruar vërtet apo ashtu i janë paraqitur grupit të kontrollit? Pyetja a janë çregjistruar vërtet është e drejtë, pasi më poshtë në raport konstatohet që s’ka fare regjistër doktoraturash, pra mund të hiqen dhe shtohen sipas qejfit. Disa nga rastet që jep raporti; Rasti E. A. H., datëlindja 1972, doktoraturë në ekonomik, procesverbal për çregjistrim datë 28.03.2014, mungon firma e studentit në procesverbal, kopja e kontratës e panënshkruar nga studentja, në dosje ndodhen vetëm kopjet e diplomës master të nivelit të dytë në administrim biznesi dhe listë notash për këtë cikël studimi, listë notash e vitit 1994 lëshuar nga UT, Fakulteti i Ekonomisë dhe Biznesit, dhe asnjë dokument tjetër sipas kritereve përcaktuar në pikën 7.2. të rregullores.

Megaskandali 7 milion euro

Sipas raportit të kontrollit nga Ministria e Arsimit, gjatë vitit akademik 2013-2014 rezultojnë të regjistruar në programin e studimit Doktoraturë: Fakulteti Ekonomik dhe IT-61 studentë; Fakulteti Juridik 39 studentë; Fakulteti i Shkencave Sociale 61 studentë. Numri total i studentëve të regjistruar nga 2011-2014 (duke përfshirë studentë me këshillues, studentë me udhëheqës, studentë të pezulluar) -774 studentë në total. Fakulteti Juridik-39 studentë; Fakulteti i Shkencave Sociale- 61 studentë. Në total në Shqipëri janë në proces rreth 1200 doktoratura, vetë UET-i i Naimit ka në proces gati 800, pra dyfishin e të gjithëve të marrë së bashku. Ka kapacitete apo jemi që jemi marrim 9 mijë euro për një doktoraturë dhe s’ka rëndësi sa copë japim, doktoratura si një kurs kompjuteri. Bëjmë një llogari të thjeshtë: 774 njerëz në proces për doktoraturë duke i shumëzuar me çmimin 9 mijë euro del shuma 6.966.000, afërsisht 7 milionë euro ose 9.7 milionë dollarë. Ndërkohë nga burime të brendshme brenda Piramidës së Doktoraturave mësojmë se çdo udhëheqës/pedagog ka kontratë të paguhet me 2000 euro, 400 nga të cilat i merr në fillim të doktoraturës, ndërsa pjesën tjetër i bie ta marrë vetëm në rast se doktoranti mbaron me sukses doktoraturën. Çka do të thotë që sistemi i pagesës i detyron udhëheqësit t’i bëjnë vetë doktoraturat ose t’i mbyllin me çdo kusht. Dyshimet vijnë nga faktet që sjellë vetë raporti.

Fakte të tjera

Raporti na jep të tjera fakte me të cilat ministria jo duhet të mbyllte UET, por prokuroria dhe policia duhet të prangosnin drejtuesit e institucionit. Regjistrat për të regjistruarit e vitit akademik 2013-2014 nuk gjendeshin në format Hard –Copy, pasi nuk ishin hedhur akoma të dhënat në regjistrat përkatëse. Gjithashtu, të gjithë studentët e regjistruar, nga viti 2011 e deri në 2014 nuk ishin të pajisur me Nr. Matrikullimi. Pse Naim University nuk i ka hedhur ende studentët e vitit të shkuar? A mund të ngrihet akuzë këtu për faktin se ai mund të shtojë student edhe pse s’kanë qenë fare vitin e parë? Në dokumentin exel shtohen e hiqen sa emra të duash, regjistrat nuk ekzistojnë vetëm kur t’i kërkon të shesësh diploma apo të falësh vite studimi, në të kundërt nuk ka arsye tjetër përse ky proces nuk kryhet. Pa lënë mënjanë këtu skandalin e matrikulimit për gati 3 vite që do të thotë se në UET është bërë qejf me diplomat, pa regjistra e pa matrikulime mund të shtosh e ndryshosh çfarë të duash.
Doktoratura kërkon mesatare 8, deklaroje sa të duash
Raporti na tregon se për të hyrë në Doktoraturë duhet të kesh mbaruar me mesatare mbi 8, një rregull i vetë institucionit, por që në fakt mendja e Naim Çilit ka gjetur një zgjidhje. Universiteti nuk ka punë me mesataren, ti e vetëdeklaron në formular, dhe rruga për doktoraturë është e hapur, kuptohet nuk mund të anashkalohen 9 mijë euro.

Skandali me doktoraturat

Sipas raportit të kontrollit UET, nuk ka problematika vetëm ato që janë denoncuar publikisht këto ditë, por skandali shkon tek doktoraturat. Ja çfarë thotë raporti i Ministrisë së Arsimit.
Verifikimi i katologjeve dhe broshurave, si dhe reklamimeve të ekspozuara nga IAL. Përditësimi i faqes ËEB. (rubrike raport monitorimi) “Ka mospërputhje me drejtimet e doktoraturës, deklarohen 15 drejtime ndërsa sipas VKM 503, DATË 07.10.2011 rezultojnë 12 profile në 3 Programe studimi”. Ashtu si tek të gjitha nivelet e studimit në UET edhe tek doktoraturat ka një reklamë abuzive nga Çili dhe stafi i këtij universiteti. Sipas raportit që edhe pse përpiqet të jetë miqësor me Çilin, shihet hapur se edhe tek doktoraturat, UET nuk i ka rezistuar tundimit për të reklamuar në treg drejtime, të cilat nuk i ka pasur ligjore.

Qendra shkencore

Kemi të bëjmë edhe me një tjetër rast skandaloz dhe abuzivist nga ana e Çilit dhe UET. Një individ pa doktoraturë, pra, pa titullin e duhur shkencor, drejton një qendër shkencore. Është njësoj si të vendosësh një fëmijë në klasën e 8-të të drejtojë një gjimnaz. Dhe ajo më flagrantja është tek fakti se ky individ, por edhe të tjerë persona, sipas deklarimeve të tij, japin leksione part- time në UET. Dhe vetë personi në fjalë, edhe pse jo doktorant udhëhiqte 2 studentë dhe këshillonte 6 të tillë. Vetëm në UET mund të ndodhin skandale të tilla, ku doktoraturën ta udhëheq dikush që nuk është me gradën Doktor Shkencash. Kjo që renditëm më lart nuk është gjithçka, kjo është pjesë e një skandali që e gjen po të lexosh raportin e kontrollit që reflekton shumë shkelje, por i anashkalon ato./ SotNews/

Lajme të ngjashme

Back to top button