Shqipëri, gati ligji i ri antiduhan

Sipas ligjit, pronari i një ambjenti publik ku do të konstatohet pirja e duhanit do të gjobitet me 300 000 mijë lekë, administratori i ambienteve të përbashkëta 50 000 mijë lekë, ndërsa individi duhanpirës, 5 mijë lekë.

Më 23 gusht në Shqipëri hyn në fuqi një ligj i ri që ndalon pirjen e duhanit në vendet publike. Në një intervistë dhënë TVSH, Drejtori i Inspektoriatit Shëndetësor Eltar Deda, tha se në këtë datë do të fillojë kontrolli në terren i zbatimit të ligjit si dhe ndëshkimet për të gjithë shkelësit e tij.

Faza e parë e zbatimit të këtij ligji do të synojë një fushatë intensive ndërgjegjësimi për të gjithë qytetarët. Ky është ligji i dytë antiduhan që hyn në fuqi në Shqipëri në harkun kohor të pak viteve.

Ligji i mëparshëm me gjithë synimet dhe përpjekjet për të ndaluar pirjen e duhanit në vendet publike në Shqipëri nuk ja arriti qëllimit. Ndryshimet në ligjin e ri prekin jo vetëm masat e gjobave, por edhe shtrirjen e kompetencave për ndëshkim.

Sipas tij, pronari i një ambjenti publik ku do të konstatohe pirja e duhanit do të gjobitet me 300 000 mijë lekë, administratori i ambienteve të përbashkëta 50 000 mijë lekë, ndërsa individi duhanpirës, 5 mijë lekë.

Zbatimi i këtij ligji pritet të jetë i vështirë qoftë dhe për faktin se shqiptarët llogariten si një popull duhanpirës. Sipas të dhënave të Institutit për Shëndetin Publik, 40 për qind e shqiptarëve pi rreth një paketë cigare në ditë. Ky zakon u kushton gjithsej 1.4 milionë USD në ditë duhanpirësve shqiptarë, ose rreth 511 milionë USD në vit.

Lajme të ngjashme

Back to top button