A po realizohet ideja për parti të re shqiptare në Maqedoni?

Është koha ideale të lind një parti e re e cila shqiptarëve të Maqedonisë do tu ofrojë një mendim të ri politik, një subjekt politik autentik, autokton dhe autonom, që do të ndërtojë një vizion të ri për politikëbërjen shqiptare në Maqedoni. Është koha e fundit që shqiptarët të mësohen ta bëjnë politikën mbi vizione të përpunuara teorike e shkencore, e jo kjo të jetë për shkak të “bukurisë”, “trimërisë” ose “modestisë” së liderit. Kështu shprehen analistët politik për Portalb të cilët thonë se terreni është mirë i përgatitur ndërkaq sipas burimeve të portalit tonë, veç më kanë nisur aktivitetet për realizimin e një ideje të tillë. Madje, thuhet se në partinë shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim ndjehet panik për mundësinë e paraqitjes së kësaj partie shqiptare me synime serioze.

BDI e PDSH lanë shqiptarët në baltë, partia e re do ti përfaqësonte denjësisht

BDI është 10 vite në pushtet dhe rezultatet e saja janë tejet negative, shprehet për Portalb analisti Afrim Gashi. Sipas tij, kjo ndjehet sidomos viteve të fundit kur pritej një avancim, BDI jo që nuk arriti të mbajë status quo-në por ajo ka shënuar regres në veprimin e saj politik.

“Qëllimi kryesor i saj ishte implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, integrimi i brendshëm dhe i jashtëm, kurse gjendja faktike konsiston në faktin se të tria këto qëllime kanë pësuar fiasko. PDSH si parti opozitare është shndërruar në rast që nuk vlen as të analizohet, madje këto të dyja bashkërisht pas zgjedhjeve të fundit parlamentare u bënë bashkë me Gruevskin dhe të dyja këto pa asnjë kusht përkrahën formimin e Qeverisë Gruevski 4. Sëpaku nuk kishte asnjë kusht për të cilin ata kanë informuar publikisht se kanë arritur marrëveshje (natyrisht se e ashtuquajtura marrëveshja e BDI-së me VMRO-në për integrim në NATO deri në shtator ishte fyerje e opinionin shqiptarë dhe nuk konsiderohet si serioze për analizë). Terren më i mirë dhe më i lirë se ky nuk mund të ketë, sepse shqiptarët janë faktikisht të pa përfaqësuar politikisht.” thotë Gashi.

Nëse një subjekt i ri politik do të themelohet rreth një koncepti të ri me njerëz të ri, me elan dhe dëshirë për të përmirësuar gjendjen e përgjithshme dhe nëse punohet në mënyrë të vazhdueshme me sinqeritet dhe me moral të mirë, kam bindje të thellë se suksesi nuk do të mungojë, por vetëm do të jetë çështje kohe kur ajo të përqafohet nga shqiptarët e Maqedonisë të cilët, mbase nuk e meritojnë këtë qeverisje katastrofale, shton ai.

Ambienti ekzistues politik është tejet i favorshëm për një subjekt të ri mirë të organizuar. Subjektet ekzistuese janë sprovuar dhe madje lexuar nga elektorati, shprehet për Portalb, analisti Mersel Bilalli.

“Një freskim është tejet i domosdoshëm që do të ishte një mobilizim i ri i masës, e cila për fat të keq gjithnjë e më shumë thellohet në probleme. Tani dhjetë vite kemi dyfishim të borxhit dhe ramje drastike të standardit të jetesës. Shumëçka përfundon në kanale të errëta.”thotë ai.

Partia e re shqiptare, një kopje e DR dhe RDK, apo forcë e vërtetë politike?

Deri më tani, kemi parë dy parti të reja shqiptare të cilat nuk arritën ta përmbysin rezultatin e BDI-së e as të zgjojnë nga gjumi PDSH-në dhe në fund u shuan. Cila do të ishte strategjia e qëlluar që edhe kjo parti mos ta ketë fatin e njëjtë?

Analisti Zeqirija Ibrahimi për Portalb thotë se sa i takon përvojës së DR-së dhe, më vonë, të RDK-së, megjithëse secila e ka historinë e vet dhe shpjegimet e veta, para së gjithash ato kanë dështuar dhe nuk do të japin fryte sa kohë që projektohen si formacione reaksionare, që lindin për shkak të tekave e zënkave të dikujt, ndërsa nuk përpunohet në detaje arsyeja e tabani ideor i subjektit.

“Kujtoj se përfundimisht shqiptarët duhet të bashkohen në një subjekt politik mbi të gjitha dhe para së gjithash për shkak të idesë, ndërsa ideja dhe vizioni politik i shqiptarëve nuk është edhe aq vështirë të formulohet. Personalisht pres që shqiptarët të dalin me një subjekt të këtillë, i cili jo vetëm që do ta freskojë politikëbërjen shqiptare në Maqedoni, por do të jetë një stimulim më shumë edhe për partitë aktuale që të mobilizohen dhe të mos tallen deri në këtë derexhe me votuesit e tyre. “ shprehet Ibrahimi.

“Nuk besoj se subjekti i ri mund ta përjetojë fatin e dy partive të përmendura, pasi ata ishin një improvizim dhe ishin shume larg asaj që nënkupton parti politike. Partitë janë si organizmi i njeriut, madje edhe një organ qoftë shumë i vogël të mos funksionojë – i gjithë organizmi është i sëmurë.” shprehet për Portalb, analisti Mersel Bilalli.

Shqiptarëve ju duhet një organizim dhe veprim politik krejt tjetërfare nga ajo që kemi parë deri tani thotë më tej Afrim Gashi.

“Jo se ato nuk duhet t’i ngjajnë DR-së e RDK-së për të mos dështuar, por sepse ajo mënyrë e veprimit nuk është e duhura për të pasur sukses. Neve na duhet një subjekt politik i cili do të ketë koncept dhe platformë të re dhe e cila do të implementohet nga njerëz të ri.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button