Llabënishta: Në batalionin e “Ujqërve” asnjë shqiptarë, në ARM 19.22 për qind

Njësiti special i ARM-së ‘Ujqit’ vazhdon të jetë i mbyllur hermetikisht për shqiptarët. Zv/ Ministri i Mbrojtjes Arben Llabënishta pranon përfaqësimin e tillë në këtë njësit, por premton se do të angazhohet në përmirësimin e gjendjes, transmeton Alsat.

“Në batalionin e Ujqërve realisht situata është ajo që thoni ju. Fatkeqësisht deri tani nuk është arritur që këtu të kemi pjesëtarë shqiptarë. Logjikisht, punohet brenda ministrisë dhe brenda armatës që të gjendet një mekanizëm që edhe batalioni i ujqërve, në një të ardhme të afërt, po them të ketë pjesëtarë shqiptarë”, tha Arben Llabënishta, Zv/Ministër i Mbrojtjes.

Pak më ndryshe paraqitet situata në njësitin special ‘Renxherët’ ku komandanti i tij është shqiptar.

“Në batalionin e renxherëve, komandanti për batalionin e renxherëve është shqiptar, pos asaj kemi oficer shtabi dhe një komandant çete. Ndërsa në çetën logjistike që po ashtu është pjesë e regjimentit për operacione speciale kemi 3 nënoficerë”, u shpreh Arben Llabënishta, Zv/Ministër i Mbrojtjes.

Ndërkohë përfaqësimi i përgjithshëm i shqiptarëve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtri, sipas Zv/ministrit Llabënishta, arrin në 19.2%.

“Në vitin 2014, përqindja është 19.22 %. Por kjo përqindje, është përqindja e përbashkët e personelit në Ministrinë e Mbrojtjes, pa ushtarakët dhe personelin ushtarak dhe civil brenda ushtrisë së vendit. Logjikisht, kjo shifër që ne shohim, nuk është shifra që ne do të donim dhe që duhet të jetë. Punohet në ministri dhe në qeveri pa dyshim, që kjo shifër gradualisht të rritet dhe të arrijë nivelet që kërkon Marrëveshja e Ohrit, që është 25 përqindëshi”, tha Arben Llabënishta, Zv/Ministër i Mbrojtjes. /Alsat

Lajme të ngjashme

Back to top button