Agron Cana sot para drejtesisë me dy akuza në lidhje me skandalin seksual

Sot pritet të dalë para togave të zeza në Sarandë Agron Cane, i akuzuar për skandalin seksual të publikuar masivisht në media. Pas hetimeve paraprake, mësohet se Prokuroria e Sarandës do e çojë në gjykatë për dy vepra penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm….” dhe “Ngacmim seksual”.
Sipas Prokurorisë së Sarandës, referimi për këtë shtetas ka ardhur nga ana e Policisë së Shtetit, e cila e ka referuar fillimisht për “ushtrim i ndikimit të paligjshëm….”.
Pas shqyrtimit të materialeve paraprake, Prokuroria e Sarandës ka ngritur dy akuzat e mësipërme. Kjo çështje ka qenë në qendër të vëmendjes edhe të Prokurorisë së Përgjithshme, zyrtarë të së cilës kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë.

Ndërkohë, nga ana e prokurorisë së Sarandës po vijohet me mbledhjen e informacionit dhe pyetjet e personave të dëmtuar dhe atyre që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Në përfundim të hetimit të plotë, nga ana e Prokurorisë së Sarandës do të vlerësohet përfundimisht kualifikimi i veprës penale, pasi në varësi të provave, mund të ketë edhe rëndim të akuzave.

Nga materiali drejtuar Gjykatës së Sarandës, bëhet me dije se shtetësja E.G i është drejtuar më 16 gusht policisë me një kallëzim penal ndaj shtetasit Agron Cane. “Ajo ka depozituar një kallëzim me gojë para policisë gjyqësore, duke sjellë fakte dhe rrethana në ngarkim të shtetasit A. Canaj, i cili kryente detyrën e përfaqësuesit të deputetit të Sarandës, pikërisht në këtë qytet. Ajo ka pretenduar se ky shtetas në këmbim të një punë, kërkonte të kryente marrëdhënie seksuale më të dhe vajzën e saj të mitur, pra i dyshuari kishte konsumuar elementë të veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 të Kodit Penal. Ajo ka kallzuar se, për shkak të kushteve ekonomike të vështira ka vajtur të kërkojë punë tek zyra e deputetit të zonës Sarandë. Aty ka kontaktuar shtetasin e quajtur Agron Cane, i cili njihet me këtë emër, por që në dokumentat zyrtare figuron me emrin Andon Cane.

Këtë shtetas, kallëzuesja e ka kontaktuar pas muajit shtator të vitit 2013 dhe në vazhdim. Ajo i ka bërë prezent problemet e saj familjare, duke i kërkuar një punë të çfarëdoshme, mjaftonte të ushqente fëmijët jetimë. Kallëzuesja pasi ka aplikuar pranë zyrës së deputetit të Sarandës, ka mundur të sistemohet në një vend pune si punëtore dhe pastruese në objekt, pronë të shtetasit K. L., ku ka punuar pranë kësaj firme për rreth shtatë muaj. Para rreth një muaj, kallëzuesja, për shkak të disa problemeve familjare që lidhen me shëndetin e saj dhe të një vajze, por dhe të natyrës së vështirë të punës, ka ndërprerë marrëdhëniet e punës. Kallëzuesja ka pohuar se gjatë kohës që ka punuar pranë ambjenteve të firmës së shtetasit K.L., nuk është ndjerë mirë, për shkaqe shëndetësore, por dhe për faktin se puna që bënte ka qenë e rëndomtë, ndaj pothuajse çdo javë ka takuar shtetasin A. Canj, për t’i kërkuar një punë më të mirë dhe më pagesë më të lartë.

Ajo ka kërkuar të takohet edhe me deputetin e zonës, por i dyshuari i ka thënë se mos kërko të takosh deputetin se do të ndihmoj unë personalisht dhe në këmbim ka kërkuar marrëdhënie intime, por që ajo shmangej. Para disa ditësh, kallëzuesja ka telefonuar shtetasin A. Canaj dhe e ka pyetur se kur do të vijë deputeti i zonës? Ai i ka thënë se ti nuk ke punë me deputetin dhe zgjidhjen e ke me mua” bën me dije Prokuroria e Sarandës në materialet e saj. Gjithashtu, mësohet se mëngjesin e datës 15 gusht, Cane e ka telefonuar denoncuesen dhe i ka kërkuar takim urgjent, duke i thënë se i ksihte bërë hatanë. Por, gruaja nuk ka pranuar ta takojë, i ka mbyllur telefonin dhe i është drejtuar komisariatit të policisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button